Luan Duzha: “Në opozitë nuk mund t’i ndihmoja dot ata që më votuan”

858
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Luan Duzha, deputeti i LSI-së për Cërrikun

Pas një lëvizje spektakolare në politikën e ditëve të sotshme, deputeti nga Cërriku, Luan Duzha u shpreh se, përgjegjësia e mandatit të tij do të fillojë nga këndvështrimi kundrejt votuesve, të cilët e dërguan pa asnjë mëdyshje në poltronin e pallatit Kuvendor të Shqipërisë, i njohur shpesh nga bashkëqytetarët e tij, për vlerat, korrektësinë dhe virtytin, Luan Duzha tha se shumë shpejt, përmes zërit të tij në parlamentin shqiptar, do të ketë një këmbëngulje të vazhdueshme, që votuesit e tij të marrin atë ç’ka besuan dhe dhanë në zgjedhjet e 23 qershorit. Në një intervistë dhënë për “Telegraf”, Luan Duzha shfaq një koncept të ri bashkëjetese, i cili do t’i shërbej komunitetit brenda Qarkut të Elbasanit.

Z. Duzha, lëvizja juaj e fundit është konsideruar si spektakolare, pasi kartoni juaj në Parlamentin e maxhorancës së majtë, “blindoi” me 84 vota këtë shumicë, ndërsa ju erdhët në parlamentin shqiptar nga e djathta e PR-së?

Është e vërtetë që erdha nga e djathta e Partisë Republikane, por specifikat e politikës në ditët e sotshme është ‘të jesh dhe jo sikur të isha’. Megjithëse pozicioni im është sqaruar publikisht më shumë se disa herë, për arsye dhe rrethana të ndryshme, unë sërish pranoj se përgjegjësia ndaj votuesve të mi është disa fish më e madhe, sesa pozicioni i të qënit në opozitë. Ndaj kjo lëvizje, gjykoj se do t’i shërbej më së miri atyre që besuan dhe votuan për numrin tim.

Ju jeni banor ose ish-banor i qytetit të Cërrikut, ku keni lindur, jeni rritur dhe diplomuar. A keni një mesazh të qartë për këtë komunitet? Dhe nëse po, mund të na jepni ndonjë detaj?

Natyrisht që Cërriku, qytetarët dhe shumë histori të bukura dhe të hidhura më lidhin shumë me këtë qytet fisnik. Jam dhe mbetem në kontakt pothuaj të përditshëm me miq, shokë të afërm dhe zyrtar të pushtetit lokal, me të cilët diskutojmë për të ardhmen dhe zhvillimin e këtij qyteti, i cili ka shumë shanse të ketë një bum industrial, bujqësor, blegtoral dhe kulturor. Fillimisht një kompani e huaj do të vërë në punë ish-Rafinerinë e Përpunimit të Naftës, ku parashikohet të punësohen afro 300 punëtorë. Kjo është shumë pozitive. Ndërsa jam në pritje të një projekti që po studiohet nga specialistë të bujqësisë, për të vënë në punë disa hektarë tokë, ku pritet të ndërtohen disa stalla lopësh, baxho qumështi dhe punishte të bulmetit me produkte bio të zonës jashtë dhe brenda Cërrikut.

Çfarë është një dëshirë e pathënë, e parealizuar dhe e mbetur pezull për ju në Cërrik?

Duhen hedhur sytë menjëherë nga kultura, sporti dhe arti i këtij qyteti. Breza me radhë kanë dhënë kontribute mjaft të çmuara, të cilat sot janë të shpërndara nëpër Shqipëri, Europë dhe botë, identifikojnë rrënjët e vërteta si potenciale të dala nga këto shtëpi cërrikase. Mjafton të përmendim violinistin e talentuar të familjes Abeshi në Amerikë, pedagogen Jasini në Oksford, profesorin Luan Zyka në Selanik, artistët e “Portokallisë”, Rrapi dhe Gjici, por edhe mjaft personazhe të tjerë, për të cilët duhet bërë një libër i posaçëm. Për këto dhe për të gjitha në këtë qytet do të ketë hapa konkret, siç është rikthimi sa më shpejt i kinemasë së djegur, por edhe rikthimi i një biblioteke bashkëkohore aq të munguara gjatë dy dekadave të fundit.

Artan PAJA