LSI merr postet kryesore në Berat, nisin emërimet

596
Sigal

 Drejtuesit e strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe elektorati shprehen se, Nasip Naço ishte ideatori i fitores

Lëvizja Socialiste për Integrim, si një forcë politike e krijuar disa vjet më parë, e ka treguar veten si një forcë politike që ka punuar në vazhdimësi në interes të kombit dhe të elektoratit të saj. Fakti tregon, se kjo parti i kthen fjalët në vepra. LSI nga zgjedhjet e 2009-ës me 4 deputetë ka arritur të marrë 19 deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit, tregon që kjo parti përbën forcën kryesore në krijimin e qeverive. Kjo forcë politike asnjëherë nuk humbi sensin si parti e majtë dhe së bashku me Partinë Socialiste krijuan koalicionin e majtë kryesor, i cili do t’i shërbejë shqiptarëve, por dhe vetë elektoratit të saj dhe duke qenë në pushtet, ajo i ka të gjitha mundësitë që t’u vijë në ndihmë elektoratit të saj, sidomos përsa i përket punësimit. Në bazë të përqindjeve të arritura në këto zgjedhje në koalicion me Partinë Socialiste ajo përfiton kontigjente të rëndësishme si ministra, zv/ministra, Kryetarin e Parlamentit, prefektë dhe drejtues të institucioneve të ndryshme. Mjafton të përmendim Qarkun e Beratit, ku ajo arriti një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare, ku dhe mori dy deputetë të mundshëm dhe shumë të rëndësishëm për këtë forcë politike. Krahasuar me Partinë Socialiste në këtë qark kjo forcë politike ka një rritje të madhe, ndërsa Partia Socialiste ka një rënie të theksuar, ku ende edhe sot nuk është bërë një analizë në radhët e Partisë Socialiste për këtë rënie.

Naço

Kjo arritje e LSI-së ka ardhur si pasojë e një punë të madhe të deputetit Nasip Naço, i cili së bashku me deputetin tjetër, Rahovica, arritën të marrin në Berat dy deputetë shumë të rëndësishëm. Drejtuesit e kësaj forcë politike në këtë qark shprehen se deputeti Naço, që sot mban postin e ministrit të Drejtësisë, tregoi një strategji të lartë në zhvillimin e fushatës, ku arriti të afrojë një numër të madhe votuesish, në të gjithë qarkun. Nasip Naço bëri realitet premtimet e tij, ku shpesh herë ka thënë se “ne si parti kemi potencial të madh politik, por dhe dimë t’i mbajmë premtimet e dhëna elektoratit tonë”.

Postet dhe emërimet

Kjo tashmë është bërë realitet si në zgjedhjet e mëparshme, por dhe në këto zgjedhje, ku forca politike e LSI ka marrë institucionet më të lartë në Qarkun e Beratit, si prefekturën, ku kreu i saj u emërua 40-vjeçari, Selfo Kapllani me profesionin inxhinier nafte, i cili sapo është njohur me gjendjen, ka filluar menjëherë nga puna. LSI ka gjithashtu kreun e Këshillit të Qarkut, me në krye Petrit Sina, njëkohësisht dhe kryetari LSI-së në Qarkun e Beratit, i cili me zgjedhjen e tij si kryetar qarku i ka dhënë frymëmarrje qarkut, në të gjitha sferat. Tashmë, LSI ka marrë në drejtimin e saj edhe Drejtorin e Spitalit Rajonal, ku drejtoreshë është vendosur mjekja, Valbona Papa. Nën administrimin e LSI-së do të jetë edhe Drejtoria e Bujqësisë, ku drejtor është emëruar Lad Frashëri. Mori Drejtorin e Postës, ku drejtor u emërua Lunik Çuedari, si dhe ndërmarrjen e Bordit të Kullimit, drejtorin e Nxjerrjes së Naftës në Kuçovë dhe Postën në këtë qytet si dhe një numër të madhe ndërmarrjesh të tjera. Kjo tregon se kjo forcë politikë ka potencialin e saj në këtë qeveri, ndërkohë që po vazhdojnë emërimet e zëvendësve dhe punonjësve të tjerë.