Lotaria dhe vizat, përgjigjet e ambasadës amerikane

3289
Lotaria dhe vizat amerikane, ja përgjigjet e zyrës konsullore
Forumi/ Ambasada e SHBA-së sqaron qytetarët shqiptarë lidhur me shqetësimet dhe pyetjet për pajisjen me leje udhëtimi
1 – Nëse unë kaloj aplikimin nga kategoria F4 që jam aktualisht me datë prioritare 2010, në kategorinë F3, këto vite më llogariten apo fillon procedura nga fillimi?
Zyra konsullore: “Data prioritare e F4 nuk mund të ‘transferohet’ si datë prioritare e F3. Ndërsa data prioritare e F3 ose e F1 mund të ruhet, kur personi ndërron statusin civil nga i martuar në beqar dhe anasjelltas”.

2 – Jam duke aplikuar për një vizë turistike, pasi më duhet të shkoj për një konferencë në DC në javën e parë të shtatorit. Sa kohë i duhet një qytetari/studenti shqiptar për të marrë një vizë të tillë?
Zyra konsullore: “Zakonisht nga momenti që ke kryer pagesën, ti mund të caktosh takimin brenda rreth dy javëve. Nga momenti i aplikimit kërkohen rreth 15 ditë kohë për kthimin e pasaportës me vizë, parashikuar që ju të jeni gjendur i kualifikuar për vizën”.

3 – Mami im ka marrë vizë turistike 3-vjeçare. Unë do të doja të dija sa kohë (muaj) i lejohet asaj të qëndrojë në SHBA? Dhe pyetja tjetër është, kur të kthehet në Shqipëri, sa kohë duhet të qëndrojë atje përpara se të kthehet përsëri për vizitë?
Zyra konsullore: “Kini parasysh që viza turistike ka për qëllim një qëndrim për një kohë të shkurtër në SHBA. Në përgjithësi, ju duhet të qëndroni për aq kohë sa ju keni deklaruar në aplikimin tuaj për vizë. Gjithashtu, brenda një viti nuk mund të qëndroni më shumë se gjashtë muaj në total. Me vizë turistike është e ndaluar të punoni në SHBA. Nëse oficeri i imigracionit ngre dyshime që qëllimi juaj i vizitës nuk është turistik, por për punë, juve mund t’ju revokohet viza”.

4 – Unë kam katër muaj në SHBA. Kam ardhur me lotari. Babai im ka qejf të aplikojë për vizë turistike, të vijë të na shikojë nga afër. Kam mbesën 5 vjeç, është mundësia të aplikojë edhe për atë? Lejohet për një fëmijë 5-vjeçar të aplikojë dhe të vijë me gjyshin?
Zyra konsullore: “Çdokush ka të drejte të aplikojë për vizë turistike. Kini parasysh që nëse ju dëshironi të aplikoni ju mund ta bëni atë duke ndjekur hapat këtu: https://al.usembassy.gov/…/nonimmigrant…/si-te-aplikoni/. Vetëm oficeri konsullor që ju merr në intervistë pasi të ketë shqyrtuar çështjen tuaj dhe t’ju ketë intervistuar, ai do të marrë vendimin nëse gjendeni ose jo i kualifikueshëm. Gjithsesi, mbani parasysh që secili aplikant i vizës turistike duhet të tejkalojë prezumimin e qëllimit imigrues të aplikantit (https://travel.state.gov/…/visas/en/general/denials.html), pra që të dëshmojë që nuk është një imigrant i mundshëm, dhe që ka lidhje të forta ekonomike e familjare me Shqipërinë dhe që do të kthehet në Shqipëri pas një qëndrimi të shkurtër në SHBA. Aty ku ne dalin në përfundimin që një person ka lidhje të forta (punë, sociale, lidhje të tjera ekonomike, etj.), dhe që tejkalon prezumimin e qëllimit imigrues – të cilin ne jemi të detyruar me ligj që të prezumojmë çdo aplikant të kategorive jo-imigruese, atëherë ne jemi të lumtur dhe krenarë të lëshojmë këto viza, shpejt dhe me respekt. Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, gjithçka varet posaçërisht nga situata juaj. Cilat janë qëllimet tuaja në SHBA? Sa kohë keni ndërmend të qëndroni? A do të punoni në SHBA? A keni lidhje të forta në Shqipëri dhe a keni në plan të ktheheni? Ju duhet të siguroheni që t’ia bëni vetes tuaj me ndershmëri këto pyetje (përpara se ju të aplikoni për vizë) dhe pastaj t’u përgjigjeni me sinqeritet gjatë intervistës tuaj, nëse ju aplikoni. 

Këshilla jonë më e mirë mbetet që të tregoheni të sinqertë dhe të vërtetë përpara oficerit konsullor rreth qëllimeve dhe kualifikimeve tuaja në sportelin e intervistës. Personat që duan të aplikojnë ta dinë që nuk na duhen të shikojmë gjithë ato dokumente – unë dua të bëj një bashkëbisedim me aplikantin e vizës në sportel, pa dokumente”.

5 – A mund t’i liberalizoni vizat për ne shqiptarët? Të paktën për një kategori të caktuar njerëzish, përfshirë artistët dhe intelektualët?
Zyra konsullore: “Unë e di që kjo është diçka që shqiptarët e duan shumë, por ka kritere shumë specifike në mënyrë që qeveria e Shteteve të Bashkuara të fillojë bisedimet me një shtet të veçantë rreth kualifikimit për udhëtim pa vizë për në Shtetet e Bashkuara. Këtu keni një link ku mund të shikoni me saktësi se çfarë kërkohet: https://travel.state.gov/…/visit/visa-ëaiver-program.html dhe https://travel.state.gov/…/Non…/refusalratelanguage.pdf. Kriteri kryesor është që përqindja e refuzimit të vizave të jetë nën 3% për atë shtet”.

6 – Si ka mundësi që lotarinë amerikane e fitojnë vetëm komunistët, biles edhe familje të tëra?
Zyra konsullore: “Përzgjedhja është krejtësisht e rastësishme dhe kryhet nga Qendra Konsullore Kentaki, SHBA. Çdo aplikuesi i vendoset një numër dhe kompjuteri në Qendrën Konsullore Kentucky përzgjedh numrat, pa asnjë dallim. Më pas shikohen aplikimet që kanë kryer regjistrim më shumë se një herë dhe skualifikohen. Pasi personi rezulton i përzgjedhur dhe i caktohet data e intervistës, është oficeri konsullor që shqyrton çështjen e tij/saj dhe merr vendimin final për vizën, bazuar në kualifikimin dhe pranueshmërinë për vizë të aplikantit. Dhe mund t’ju jap edhe shembuj, kur një person është përzgjedhur dy vite rresht, apo në një familje tjetër kanë rezultuar të përzgjedhur të dy bashkëshortët në të njëjtin vit. Seksioni Konsullor njoftohet mbi listën e të përzgjedhurve, të cilët kanë intervistën në muajin pasardhës rreth 1 deri 2 muaj para intervistës së tyre”.

7 – Pas sa kohësh dalin dokumentet për bashkim familjar, pasi është bërë aplikimi?
Zyra konsullore: “Kjo varet nga lidhja juaj me personin në SHBA (peticionerin)”.

8 – Më ka ardhur njoftimi nga NVC për të filluar procedurën për marjen e vizës F3, kam kaluar hapin e parë online (choose an agent) dhe sapo më erdhën faturat për t’u paguar. Më kanë dërguar faturën time dhe të burrit, ndërsa të vajzës 6 vjeç jo. Ç’duhet të bëj?
Zyra konsullore: “Kontaktoni NVC që t’ju bëjnë të mundur ose shtimin e fëmijës në çështjen tuaj, ose nëse ajo është, të mundësojnë linkun për të bërë pagesën online. https://travel.state.gov/…/nvc-contact-information.html”.

9 – Në formularin e aplikimit fillestar të lotarisë, në hapësirën që ishte për edukimin, kam shënuar që kam bërë shkollë profesionale, ndërsa ne DS-260 kam shënuar që kam gjimnazin e përgjithshëm. Në fakt unë i kam përfunduar të dyja, dhe gjimnazin e kam me kohë të plotë, dhe kam dhe diplomën dhe certifikatën e notave. A mund të më thoni në qoftë se më penalizon kjo gjë?
Zyra konsullore: “Jo, nuk të penalizon. Rëndësi ka që ti të kesh arsimin e kualifikueshëm për lotarinë dhe ai të jetë i saktë. https://al.usembassy.gov/…/kriteret-kualifikuese-mbi…/”.

10 – Një pyetje për një mikun tim, nëse do të aplikonte për vizë turistike, a do të penalizohej nga fakti që ka qenë në azil para 2 vjetësh në Gjermani?
Zyra konsullore: “Ne nuk mund të themi paraprakisht nëse dikush është ose jo i kualifikueshëm për vizën. Vetëm oficeri konsullor, pasi të ketë shqyrtuar të gjitha rrethanat, do të vendosë nëse aplikanti gjendet ose jo i kualifikueshëm për vizë”.

11 – A mundem të aplikoj për vizë pune në Amerikë, pasi jam shef kuzhine ekzekutiv dhe kam oferta pune sezonale 6-mujorëshe?
Zyra konsullore: “Vizat e punës janë të specifikuara: ju duhet të jeni i kualifikuar për punën; punëdhënësi t’ju bëjë peticion pune me USCIS dhe vetëm pasi peticioni është miratuar, ai vjen tek ne për shqyrtimin e vizës. Pra, niseni procesin me punëdhënësin në SHBA. Lexoni këtu: https://al.usembassy.gov/…/non…/punonjesit-e-perkohshem/ dhe këtu: https://al.usembassy.gov/…/employment-based…/. Suksese!”.

12 – Jepini vizat për ne se s’jemi njerëz të këqinj ne shqiptarët. Kur s’kemi, atëherë bëhemi ashtu. Na jepni një vizë të ikim andej nga Amerika…
Zyra konsullore: “Ligji është shumë i rreptë, dhe ne si oficerë konsullorë jemi të detyruar të zbatojmë ligjin. Secili aplikant i vizës turistike duhet të tejkalojë prezumimin e qëllimit imigrues të aplikantit (https://travel.state.gov/…/visas/en/general/denials.html), pra që të dëshmojë që nuk është një imigrant i mundshëm, dhe që ka lidhje të forta ekonomike e familjare me Shqipërinë dhe që do të kthehet në Shqipëri pas një qëndrimi të shkurtër në SHBA”.

13 – Kam aplikuar për lotarinë amerikane, por nuk fitova. Unë e adhuroj Amerikën dhe doja të dija, a ka ndonjë mënyrë për të nxjerrë një vizë amerikane?
Zyra konsullore: “Mënyrat e imigrimit në SHBA janë të përcaktuara nga ligji i imigracionit, ose nga familjarë të menjëhershëm që keni në SHBA, ose nga viza me bazë punën. Lexoni mbi vizat që përfitohen nga familja: https://al.usembassy.gov/…/family-based-immigration-sq/.”

14 – Jam nga Ferizaj, jam trajner i shahut. Dëshiroj një vizë turistike, ku mund të luaj shah me shahistët amerikanë?
Zyra konsullore: “Normalisht ju duhet të vizitoni faqen e Ambasadës Amerikane në Kosovë për të parë nëse ju mund ta kryeni intervistën në Prishtinë apo në Shkup”.

15 – Kam datën e intervistës më 1 gusht 2017 për bashkim familiar. Dua të di në se certifikatat në gjuhë të huaj që duhen dorëzuar në ambasade duhen me vulë apostile? Dhe duhen dërguar me DHL?
Zyra konsullore: “Nëse shteti që ka lëshuar certifikatën bën pjesë në Konventën e Hagës për vulat apostile, patjetër që po”.

16 – Mund të themelohet një organizate jo-fitimprurëse, jo-qeveritare nga një shtetas shqiptar në SHBA, përkatesisht në Nju-Jork?
Zyra konsullore: “Për këtë pyetje ju mund të pyesni autoritetet përkatëse në Nju-Jork”.

17 – Sa të ardhura duhet të ketë sponsori në mënyrë që të bëj garancinë për mua dhe bashkëshortin tim si fituese e DV 2018? Nëse familja e tij përbëhet nga 5 persona dhe të ardhura rreth 60.000 USD në vit, a janë të mjaftueshme? Dhe gjithashtu bashkëshorti im tek arsimi në DS e ka bërë që do marrë diplomën në vazhdim. Nëse ai nuk e mbyll dot universitetin dhe nuk merr diplomën, a ka problem? Ai nuk është aplikanti kryesor.

Zyra konsullore: “Nëse bashkëshorti yt nuk është aplikanti kryesor, arsimi i tij nuk do të shqyrtohet fare. Në lidhje me taksat: sponsori duhet të ketë të ardhura mbi 100% të nivelit të varfërisë për totalin e personave në familjen e tij, të familjes që po sponsorizon për vizë, si dhe të numrit të personave që ka sponsorizuar më parë dhe që nuk janë bërë akoma qytetarë amerikane. Pra, nëse ai është 5 vetë dhe ti 2 vetë, dhe parashikuar që nuk ka sponsorizuar të tjerë më parë që janë akoma me ‘Green Card’, atëherë për 7 vetë 100% e të ardhurave është 36,730 USD”.

18 – A do të ketë përzgjedhje në shtator për lotarinë?
Zyra konsullore: “Tek udhëzimet e lotarisë, që i gjeni tek https://al.usembassy.gov/…/immigrant…/diversity-visa-sq/, citohet që ju duhet ta kontrolloni statusin tuaj nga 2 maji 2017 deri më 30 shtator 2018. Suksese!”.
Sa kohë mund të qëndroj në Shtetet e Bashkuara?
Zyrtarët e kufirit të Shteteve të Bashkuara përcaktojnë se sa kohë mund të qëndroni në Shtetet e Bashkuara. Për shumicën e mbajtësve të vizave të vizitorit (B1/B2), koha maksimale e qëndrimit është në përgjithësi gjashtë muaj në një vit kohor. Studentët, vizitorët e e programeve të shkëmbimit dhe punëtorët e përkohshëm janë në përgjithësi të pranuar për kohëzgjatjen e statusit (e shkruar “d/s” në pasaportën tuaj). Pavarësisht nga kjo, për të shmangur në të ardhmen problemet me vizën apo me hyrjen në Shtetet e Bashkuara, qëllimi dhe koha e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara duhet të jetë në përputhje me çfarë keni thënë në aplikimin për vizë.
Sa kohë mund të qëndroj me vizën B1/B2 në SHBA? Ambasada e Shteteve të Bashkuara lëshon viza 3-vjeçare. A do të thotë kjo që unë mund të qëndroj në SHBA për tre vite?
Një vizë nuk garanton hyrjen në SHBA, por ju lejon të vini nga jashtë e të udhëtoni në pikën e hyrjes në SHBA dhe të kërkoni leje për të hyrë në SHBA. Zyrtarët e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare, kanë të drejtën të japin lejen apo të mos pranojnë hyrjen në SHBA, si dhe të përcaktojnë se sa kohë mund të qëndroni. Ky zyrtar, pasi ju lejon hyrjen, ju vendos një vulë në pasaportë, ku ka ose një datë, ose një shënim D/S (duration of Status). Nëse vula juaj e pranimit ka një datë specifike, atëherë ju duhet të largoheni nga SHBA përpara kësaj date.

Për shumicën e vizave të vizitorëve (B1/B2), maksimumi i kohës është zakonisht gjashtë muaj në një vit kohor. Kini parasysh që në përgjithësi nuk lejohet të punosh në SHBA ndërkohë që je me vizë turistike. Për të shmangur probleme të mëvonshme me vizën apo probleme me hyrjen në SHBA, qëllimi dhe kohëzgjatja juaj e udhëtimit duhet të jetë në përputhje me kohën që keni deklaruar gjatë aplikimit tuaj për vizë dhe gjatë intervistës suaj në Seksionin Konsullor.

Kam qëndruar gati gjashtë muaj në SHBA, u ktheva për tre javë në Shqipëri, dhe dua të iki përsëri në SHBA, a mundem?
Jo. Një vizë 3-vjeçare nuk do të thotë që ju mund të qëndroni në SHBA për tre vite. Në përgjithësi ju nuk mund të qëndroni më shumë se gjashtë muaj në një vit. Nëse ju e bëni një gjë të tillë, zyrtari i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit do jua anulojë vizën dhe do ju kthejë mbrapsht. Qëndrimi përtej afatit të lejuar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, apo qëndrimi jashtë statusit në SHBA është shkelje e ligjit të imigracionit të SHBA-së dhe mund t’ju bëjë ju të papranueshëm për vizë në të ardhmen.
Sigal