Lojërat e ERE-s për të kamufluar abuzimet dhe vjedhjet e CEZ-it

516
Shkrimi i “Telegraf”, 12 tetor 2012 me titujt e mësipërm
Bordi i komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë ka shtyrë mbledhjen e paralajmëruar për ditën e djeshme, për heqjen e licencës së CEZ Shpërndarje. Kjo bën pjesë në lojërat e ERE-s që të shtyjë pa afat marrjen e masave ligjore ndaj CEZ-it. Këshilli i Ministrave autorizoi pardje KESH-in të marrë kredi 40 milionë euro, për importin e energjisë dhe për të blerë energjinë që prodhojnë hidrocentralet e reja në vend. Një rast i paprecedent, ku qeveria ndërmerr rolin e kujdestarit ndaj mospërmbushjes së detyrimeve ligjore të CEZ-it, në bazë të kontratës të nënshkruar. Pak ditë më parë, u bë publike, që CEZ-i, në pamundësi që të marrë kredi bankare nga asnjë bankë, kërkoi që qeveria shqiptare të bëhej pjesë e garancisë së kredisë së saj. Dhe qeveria shqiptare, bëhet kështu pre e kërkesave të CEZ-it, duke ngarkuar me borxh-kredi KESH-in me 40 milionë, që të blejë energji elektrike për llogari të CEZ-it. KESH-i do ta blejë miliona kë me çmimet e tregjeve ndërkombëtare dhe do ta shesë të CEZ-i me çmimin e përcaktuar nga qeveria, e cila është 2,2 lekë/kë. Diferenca e çmimeve, ku çmimi i blerjes të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare, do të jetë shumë më i lartë nga çmimi i shitjes, do të shënohet në humbje për llogari të KESH-it. E tha vetë Kryeministri Berisha, pardje, në mbledhjen e qeverisë: “Qëllimi i parë që të bëjë import të energjisë, pasi këtë detyrim ligjor kontraktual kompania CEZ nuk e ka përmbushur”. 

Diskutime në Komisionin e Ekonomisë

Në Komisionin e Ekonomisë, pardje, u përmend edhe një fakt. Që ERE po studion mundësinë e heqjes së licencës CEZ-it, për mosdetyrime. Fakte kontradiktore. Qeveria nga njëra anë, urdhëron KESH të mbingarkohet me kredi (humbjeje) që të importojë për llogari të CEZ-it energji elektrike, meqë- sipas Kryeministrit- CEZ-i këtë detyrim kontraktual nuk e ka përmbushur,si edhe me akt normativ, qeveria bllokon fondet e pushtetit vendor, për të mbledhë detyrimet që i kanë CEZ-it, duke u bërë qeveria edhe rolin e përmbaruesit për të mbledhë lekët e CEZ-it! KESH-i ka paguar 2 miliardë lekë në muajt e parë të 2012-s për të blerë energji elektrike për llogari të CEZ-it dhe 4 miliardë lekë kësti i dytë, tani, ndërkohë që CEZ-i i ka 700 milionë kë KESH-it të papaguar. CEZ-i për çdo ditë vonesë u vendos kamatë qytetarëve shqiptarë, deri në 100 % të vlerës, ndërsa shteti nuk i vendos asnjë % kamatë vonesë CEZ-it për miliona euro që nuk i paguan me vite KESH-it! Me vendim gjykate CEZ-it i janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare, për shkak të mosshlyerjes të detyrimeve financiare të CEZ-it, por askush nuk e di nëse ky vendim i gjykatës është ekzekutuar, duke i lënë fushëveprimi CEZ-it, (me ndihmesën e qeverisë Berisha) që të nxjerrë jashtë Shqipërisë të gjitha miliardat lekë që grumbullon. Dhe nga ana tjetër, ERE përhap (dashakeqësisht) thashetheme se do të…studiojë mundësinë e heqjes së licencës CEZ-it! Taksë-tatimet e kanë gjobitur CEZ-in me 3 miliardë lekë për mosdeklarim të energjisë elektrike të faturuar, por askush nuk mund të pohojë që CEZ-i e ka paguar këtë gjobë. Kur ndërkohë, ERE para disa muajsh propozoi që CEZ-i të rritë çmimin e kë që u shet konsumatorëve shqiptarë, duke e bërë energjinë elektrike në Shqipëri, më të shtrenjtën në rajon, dhe njëkohësisht, ERE propozon qeverisë që të ulë çmimin e energjisë elektrike që CEZ-i i blen KESH-it. CEZ-i blen energjinë elektrike me 2,2 lekë/kë, më lirë se në çdo vend të rajonit, dhe ERE e lejon CEZ-in që kë ta shesë me 9 lekë dhe 12,7 lekë/kë, duke i siguruar CEZ-it normë fitimi mbi 600 %! ERE, si një organizëm që emërohet nga Kuvendi, ku e gjen këtë të drejtë që të lejojë që CEZ-i të ketë normë fitimi 600 % në dëm të konsumatorëve shqiptarë? Mos vallë ERE është pronë e Kryetarit Soklo Ramadani e drejtorit ligjor të ERE-s, Eduard Elezi, që të bëjnë politikën e CEZ-it në ERE? 
CEZ, në tre vjet asnjë investim

Në një intervistë për “Telegraf”, para disa kohësh drejtori ligjor i ERE-s, Eduard Elezi pohoi që CEZ-i ka tre vjet që nuk ka bërë asnjë investim dhe ERE nuk i ka vendosur deri tani asnjë gjobë! Me mijëra janë përditë akuzat e qytetarëve për vjedhjet sistematike e abuzimet e CEZ-it ndaj qytetarëve shqiptarë, por ERE nuk pranon që të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve shqiptarë, sepse është bërë palë me CEZ-in. Me qindra janë ankesat e qytetarëve ndaj CEZ-it, i cili po regjistron matësit e energjisë elektrike që të vjedhë sa më shumë kë nga konsumatorët e energjisë, ndërsa ERE nuk ka ndërmarrë asnjë kontroll verifikimi, sepse luan rolin e kamufluesit të vjedhjeve e abuzimeve të CEZ-it në dëm të shqiptarëve. ERE, duke qenë një organizëm që emërohet nga Kuvendi, nuk luan aspak rolin e tij të ushtrimit të kontrollin ndaj ERE-s, sepse, siç dëftojnë praktikisht, Kryetari i ERE-s, Sokol Ramadani e drejtori ligjor i saj Eduard Elezi, meqë janë emëruar në Kuvend me votat e maxhorancës, duhet të ishin shprehës të mbrojtjes të interesave të konsumatorëve të energjisë elektrike, por, me qëndrimin e tyre favorizues ndaj CEZ-it, janë bërë palë e interesave të qeveritarëve me CEZ-in. Nuk mund të pranohet tjetër logjikë. ERE me kohë duhet të sillte në Kuvend propozimin për heqjen e licencës për CEZ-in dhe jo të sillte rekomandimet për uljen e çmimit të energjisë që CEZ-i blen nga KESH-i e rritjen e energjisë që CEZ-i u shet shqiptarëve. Dhe thashethemet e ditëve të fundit, ku ERE do të propozojë heqjen e licencës të CEZ-it, kanë vetëm një qëllim. Që të fashitin reagimet e protestat masive të qytetarëve kundër vjedhjeve e abuzimeve të CEZ-it. Nuk gjejmë në asnjë botim në faqen elektronike të ERE-s ndonjë masë disiplinore ndaj CEZ-it. Një organizëm rregullues i energjisë, sikurse ERE nuk mund të lejojë që normat e fitimit për CEZ-in të jenë 600 %! Në kë vend të botës, një shtet normal mund të lejojë këdo kompani, i kujtdo qëllimi të jetë, të ketë normë fitimi 600 %? Në kë vend tjetër të Europës, CEZ-it i lejohen këto norma fitimi, sikurse lejon ERE në Shqipëri? Nga ana tjetër, ERE po mban monopol të drejtën e CEZ-it në shpërndarjen e energjisë elektrike në Shqipëri. Qeveria shqiptare, në mënyrë absurde i ka dhënë në përdorim CEZ-it edhe kabinat elektrike, duke përjashtuar përdorimin e tyre nga kompani që mund të kenë të drejtën e shpërndarjes të energjisë elektrike, në rast liberalizimi të këtij tregu, duke favorizuar njëanshmërisht CEZ-in në një konkurencë tregu. Të gjitha këto lehtësime lidhen padyshim me interesa koruptive midis palëve të interesuara, ndryshe, num kund të besojmë se qeveria jonë nuk i njeh mirë lojrat e tregut e të konkurencës, që të jetë kapur e paditur dhe idiote nga CEZ-i.
Sigal