LLOGARITË, SI PO VDES BIZNESI I VOGËL

582
Gjergj Erebara

Kostoja shtesë e TVSH-së mbi biznesin e vogël
Qeveria shqiptare vendosi TVSH-në mbi biznesin e vogël kundër FMN e BB, duke pretenduar se asgjë nuk do të ndryshojë 
Kryeministri Edi Rama, ministri i Financave,Arben Ahmetaj dhe drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, këmbëngulën kundër logjikës se vendosja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar “nuk do të sjellë taksa shtesë” për biznesin e vogël të përfshirë në regjimin e TVSH-së. Që të tre janë përpjekur ta trajtojnë ndryshimin si një “jongjarje”, një panik të kotë të përhapur mes biznesit të vogël nga kundërshtari i tyre politik. “Nuk ka taksë të re për biznesin e vogël, vetëm detyrim për deklarim. Zero ngarkesë fiskale të shtuar”, deklaroi ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Aritmetika e thjeshtë duket se bie ndesh me konkluzione të tilla drastike. Bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë deri tani kanë qenë të përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Tani e tutje ato që bëjnë më shumë se 2 milionë lekë xhiro, do të duhet të paguajnë. Në rastet kur biznesi konsiston në shërbime profesionale, të tillë si avokatë, ekonomistë etj., TVSH do të mbahet nga niveli zero. Kostoja reale e shtuar për biznesin e përfshirë në TVSH, përveç kostos së administrimit dhe raportimit të këtij tatimi, varet shumë nga lloji i biznesit dhe nga “vlera e shtuar”. Një dyqan lagjeje që zakonisht ka norma shumë të ulëta fitimi bruto, fjala vjen, 10%, do të duhet të paguajë TVSH për këtë “vlerë të shtuar bruto”, gjë që do t’ia rrisë kostot e të bërit biznes me 2%. Dhe në rast se je një lokal, ku marzhi i fitimit bruto është më i lartë, për shkak se kostoja kryesore nuk është malli i shitur por shërbimi, kostoja e TVSH-së do të jetë më e lartë. Nëse një lokal ka marxh bruto fitimi prej 50%, TVSH-ja e tij do të jetë sa 10% e xhiros. Por më shumë do të vuajnë bizneset që kanë pak ose aspak furnizime me TVSH. Një riparues makinash, i cili shet punën e tij, ka furnizime me TVSH minimale, fjala vjen, ka një faturë dritash a faturë uji. Këtij riparuesi makinash, në rast se bën xhiro mbi 2 milionë lekë, do t’i duhet të paguajë TVSH thuajse të plotë në masën 20%. Problemi është se në të njëjtin treg mund të jenë dy tregtarë, njëri me xhiro nën 2 milionë dhe një tjetër me xhiro mbi 2 milionë. Kjo është një nga ato lloj situatash që ligji aktual i TVSH-së dhe qeveria nuk e shpjegon se çfarë do të ndodhë. Nëse një riparues makinash detyrohet të shesë shërbimet e veta me TVSH ndërsa komshiu i tij i shet pa TVSH, kuptohet se ky i pari do të mbetet efektivisht pa biznes, pasi të jetë detyruar të shesë të njëjtin shërbim 20% më shtrenjtë. Problemi është se në tatimet shqiptare është shumë e lehtë të kalosh nga biznes i vogël në biznes i madh dhe shumë e vështirë të ndodhë e kundërta, të kalosh nga biznesi i madh në biznes të vogël. Më 1 prill të këtij viti, tatimet kaluan automatikisht në regjimin e TVSH-së rreth 10 mijë biznese. Kriteri i vetëm i ndryshimit ishte që këto biznese të kishin deklaruar xhiro mbi 2 milionë lekë të kryer gjatë vitit të kaluar. Tatimet normalisht do të duhet të kontrollojnë të gjithë ato biznese që kanë deklaruar xhiro nën 2 milionë lekë për të parë se sa prej tyre kanë gënjyer vetëm me synimin për të mos hyrë në regjimin e TVSH. Aktualisht në Shqipëri ka rreth 70 mijë biznese të vogla. Tatimet nuk kanë mundësi as në ëndërr t’i kontrollojnë këto të gjitha, sepse në Shqipëri ka gjithsej rreth 1,500 punonjës tatimorë. Por edhe ato biznese që kanë hyrë për herë të parë në regjimin e TVSH, në kushtet e pabarazisë së taksimit me konkurrentët e tyre pa TVSH do të jetë e lehtë që të mos deklarojnë një pjesë të shitjeve apo të blejnë pa fatura shoqëruese për të rifituar aftësinë konkurruese. Tatimorët vështirë se janë në gjendje të kontrollojnë në kohë reale mbi 30 mijë biznese që tashmë janë në regjimin e TVSH-së. Gjithashtu, argumenti i qeverisë se “dëshiron të mbyllë ciklin e TVSH-së” vështirë se qëndron. Biznesi i vogël e ka aktualisht detyrimin që të ruajë faturat e blerjeve të furnizimeve të veta. Kuptohet që nuk është e logjikshme që të pritet që tatimorët të mësyjnë çdo biznes të vogël për të gjetur se çfarë malli ka në dyqan të shoqëruar me faturë dhe çfarë malli e ka të pashoqëruar me faturë. Tatimet kanë mundësi më efikase për të disiplinuar tatimpaguesit. Në fund fare, qëllimi i çdo sistemi fiskal, thotë FMN, është të krijojë vetërespektim të ligjit tatimor nga ana e taksapaguesve. Tatimorët mundet që të kontrollojnë zinxhirin e faturave të mallrave kyçë nga importi ose prodhimi, mundet të inspektojnë mallin kur del nga fabrika për të parë nëse është e shoqëruar me faturë apo jo, mundet ta inspektojnë gjatë transportit. Tatimorët mund t’i bëjnë inspektime të tilla për sa kohë biznesi në fjalë nuk ka “lidhje me lartë”, një gjë e rëndomtë në Shqipërinë e sotme. Në thelb, evazioni fiskal është një problem politik në Shqipëri, jo një problem administrimi. Janë këto fakte kaq të thjeshta që duket se e shtynë Fondin Monetar Ndërkombëtar të këshillojë qeverinë të mos e ulë pragun e TVSH-së. Duke shtyrë tatimorët të merren me biznesin e vogël, atë që mund të mbyllet brenda natës për t’u shfaqur si biznes i ri të nesërmen, hiqet vëmendja nga puna e vërtetë që kanë tatimorët, të kontrollojnë biznesin e madh, ku evazioni fiskal është në përmasa më të mëdha. Në fund fare, Shqipëria është një shtet doganor. Gjatë vitit 2017, qeveria arkëtoi 293 miliardë lekë përmes tatimeve dhe doganave. Nga këto, 158.5 miliardë lekë ose 54% u arkëtuan në dogana. Eficenca e tatimeve në mbledhjen e taksave është edhe më keq nga sa sugjerohet nga këto shifra, sepse një pjesë e mirë e tatimeve që mblidhen nga tatimet janë “në burim”. Tatimi mbi të ardhurat personale, p.sh., që paguhet mbi të ardhurat nga depozitat bankare apo borxhi publik, mbahen “në burim” nga bankat, të cilat i paguajnë në shtet.
Vendosja e TVSH-së mbi 10 mijë biznese të vogla vështirë se do të ndryshojë këtë realitet. Shqipëria nuk është vendi i vetëm në botë që ka biznese të vogla dhe as vendi i parë në botë që përballet me një situatë të tillë. Shqipëria mund të shohë nga bota për të mësuar. OECD, p.sh, ka kryer një studim për këtë punë, ku ka mbledhur eksperiencën e shumë vendeve. Ndërsa Bashkimi Europian ka një direktivë për krijimin e një sistemi të përbashkët për tatimin mbi vlerën e shtuar. Në tërësi rezulton se pjesa dërrmuese e vendeve evropiane kanë një prag përjashtues poshtë të cilit bizneseve nuk u kërkohet të regjistrohen si subjekte të TVSH-së, ndërsa bizneseve të vogla që u kërkohet të regjistrohen, u ofrohen lehtësi të larmishme, përfshirë norma specifike TVSH-je si në Angli apo sisteme të thjeshtëzuara llogaritjeje dhe raportimi në vende të tjera.
Për shembull, në Greqi bizneseve të vogla me xhiro deri në 100 mijë euro në vit, u kërkohet mbajtja e llogarive të thjeshtëzuara dhe deklarimi vetëm i librave të blerjeve. Kjo do të thotë që ndërsa bizneseve të vogla u kërkohet të raportojnë blerjet e tyre nga bizneset e mëdha, atyre nuk u kërkohet të hyjnë në procedura të komplikuara më tutje. Bizneseve të vogla u vendoset TVSH mbi normën bruto të fitimit dhe kanë formate të thjeshta kontabiliteti në krahasim me bizneset e mëdha. Britania e Madhe ka një skemë të quajtur “Normë e Sheshtë e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar“, e cila përdoret për bizneset e vogla. Këto të fundit, nëse e gjejnë të tepërt TVSH-në e sheshtë, kanë të drejtë të aplikojnë për t’u regjistruar si biznese të zakonshme me TVSH dhe të mbajnë librat e llogarive. Dhe ndryshe nga qeveria shqiptare, e cila ka imponuar TVSH në masën 20% për shërbimet profesionale nga pragu zero, Britania e Madhe e ka kuptuar se TVSH për një biznes shërbimesh juridike apo kontabiliteti, ku furnizimet me TVSH janë thuajse zero, është një taksë paksa e rëndë dhe e palogjikshme. Për këtë arsye, Britania e Madhe ka norma TVSH-je më të ulëta për shërbime të tilla. Fjala vjen, për shërbimet e kujdesit për kafshët TVSH është 12.5%. Elementi tjetër i sistemeve të taksimit është që në shumë vende të zhvilluara dhe të pazhvilluara, kanë të ashtuquajturat taksa referencë, të ngjashme me tatimin e thjeshtuar mbi xhiron të zbatuar në Shqipëri deri katër vjet më parë. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë një raport mbi përdorimin e kësaj skeme. Logjika e taksimit referencë përdoret për të luftuar njëkohësisht mungesën e bindjes me vullnet nga taksapaguesi kundrejt shtetit dhe gjithashtu, praninë e gjithëpërhapur të korrupsionit nëpër administratën tatimore. Zbatimi i normave fikse të TVSH-së për biznesin e vogël lejohet gjithashtu nga neni 281 i direktivës së BE-së për TVSH-në. Fjala vjen, për produktet bujqësore, në vend që fshatari të mbajë llogari çfarë ka blerë e çfarë ka shitur, mund të zgjedhë të paguajë TVSH të sheshtë në masën 6% të shitjeve dhe nuk ka të drejtë të kërkojë rimbursim të TVSH-së mbi imputet. Nga të gjitha këto shembuj, qeveria ka vendosur të mos zgjedhë asnjë. Në kundërshtim me këshillat më të mira të mundshme në këtë fushë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ajo ka këmbëngulur në të vetën. Sakaq pa filluar ende zbatimin e TVSH-së, Ministri i Financave urdhëroi tatimet të mos gjobisin bizneset deri në dhjetor. Arsyeja për këtë urdhër duket se është praktike. Gjobat për një gabim në raportimin e TVSH-së janë në masën 50 mijë lekë. Kjo mund të jetë një shifër jo shumë e rëndë për një biznes të madh, por mund të dënojë me të gjitha fitimet e një muaji një biznes të vogël. Por kjo është vetëm një pjesë e problemit. Një ligj pa masa ndëshkuese vështirë se mund të zbatohet.
Sigal