Llalla takon Cvitan: Reforma në drejtësi sipas modelin kroat

507
Prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla, gjendet në Zagreb, me ftesën e homologut të tij kroat, z. Dinko Cvitan, ku po diskutohet mbi mënyrat e forcimit të bashkëpunimit në hetimin penal, me fokus kryesor luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Prokuroria Shqiptare e konsideron të rëndësishëm përvojën e prokurorisë kroate për të forcuar mekanizmat kundër korrupsionit në nivele të larta të administratës shtetërore.
Po ashtu, Shqipëria dhe Kroacia kanë pasur bashkëpunim të vazhdueshëm, i cili kërkon intensifikim më të madh për goditjen e grupeve kriminale që operojnë në Ballkan dhe më gjerë.
Për këtë arsye, z. Llalla dhe z. Cvitan ndanë qëndrimin e përbashkët se duhen gjetur mekanizmat e nevojshëm për shkëmbimin e informacionit në një kohë sa më të shpejtë.
Z. Cvitan, i cili ka qenë më parë edhe drejtues i USKOK-ut, njësisë së posaçme antikorrupsion, e njohu Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë me mënyrën e funksionit të sistemit prokurorial në Kroaci, si edhe me prioritetet e tyre si një vend anëtar i Bashkimit Europian.
Nga ana e tij, z. Llalla njohu homologun e tij me përpjekjet e autoriteteve shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Z. Llalla u shpreh se Shqipëria është një vend me demokraci në konsolidim dhe forcimi i shtetit ligjor është një domosdoshmëri për afrimin e vendit me bashkësinë europian.
Në këtë kuadër, Prokurori i Përgjithshëm vuri në dijeni homologun e tij kroat se tashmë në Shqipëri po punohet për të realizuar reformën në drejtësi. Në vlerësimin e Prokurorisë Shqiptare, reforma duhet të synojë forcimin e kuadrit ligjor dhe funksional të institucioneve, duke u bazuar edhe në modelin e suksesshëm kroat.
Gjatë diskutimeve, delegacioni i prokurorisë shqiptare u njoh në mënyrë të zgjeruar mbi organizimin dhe funksionimin e prokurorisë kroate. Në bazë të ligjit të posaçëm, Prokuroria kroate është një institucion i pavarur me autonomi të brendshme, i ngjashëm me sistemin aktual të prokurorisë shqiptare.
Në vijim të vizitës, z. Llalla do të zhvillojë takime edhe me Presidentin e Këshillit të Prokurorisë së Kroacisë dhe me kreun e USKOK, prokuroria speciale për antikorrupsionin.
Këshilli i Prokurorisë në Kroaci është një institucion i pavarur, i përbërë nga 11 anëtarë, 7 prej të cilëve janë prokurorë. Ky Këshill drejtohet nga një anëtar nga radhët e prokurorëve.
Në draftin e reformës së drejtësisë në Shqipëri, është parashikuar krijimi i strukturës së pavarur të Këshillit të Prokurorisë, me një shumicë të brishtë prokurorësh, por që do të drejtohet nga një anëtar jo-prokuror. Edhe për mënyrën e parashikuar në draft për organizimin e Këshillit, Prokuroria Shqiptare ka shprehur rezervat e saj. Në vlerësimin e Prokurorisë, modeli i Këshillit në Kroaci është mëse i përshtatshëm për institucionin shqiptar.
Takimin përmbyllës të vizitës së tij në Kroaci, z. Llalla do ta zhvillojë pranë zyrave të USKOK, njësia e posaçme hetimore për luftën kundër korrupsionit. USKOK është një strukturë në varësi të Prokurorit të Përgjithshëm të Kroacisë, e cila ka një forcë të policisë gjyqësore në varësi të saj. USKOK është një model i suksesshëm, i cili është deklaruar në draftin e reformës në drejtësi në Shqipëri si mekanizmi i duhur për të luftuar korrupsionin në nivele të larta.
Gjithësesi, ndryshe nga modeli kroat, Prokuroria Antikorrupsion në Shqipëri mendohet të funksionojë si një institucion i pavarur, pa asnjë varësi nga Prokuroria e Përgjithshme.
Në vlerësimin e institucionit të Prokurorisë, rolin e USKOK-ut kroat mund ta luajnë më së miri Prokuroria dhe Gjykata për Krime të Rënda. Këto njësi strukturore janë konsideruar histori suksesi gjatë viteve të fundit në Shqipëri dhe kanë nevojë për struktura të specializuara dhe burime të nevojshme njerëzore për të rritur efikasitetin e tyre në luftën kundër korrupsionit.
Sigal