Llalla-prokurorëve: Mbyllni sa më shpejt dosjet e korrupsionit

511
Sigal

TIRANE – Në një takim përreth 1 orë e 40 minuta, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla u vendosi afate konkrete vartësve të tij që të mbyllin sa më shpejt dosjet e lëna në harresë, kryesisht ato të korrupsionit dhe t’ia adresojnë Gjykatave.
 
Mbledhja e zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme pa praninë e medieve, mësohet të ketë pasur tension mes 23 prokurorëve të rretheve dhe të Apelit, dhe vetë shefit të tyre.
 
Burime nga Prokuroria thanë se Llalla u kërkoi vartësve të tij që brenda shtatorit të dërgojnë kërkesat për gjykim të çështjeve që po hetojnë.
 
Sakaq, 6 drejtues të Prokurorive pritet të ndryshojnë në kuadër të riorganizimit në strukturat drejtuese në bazë të performancës së deritanishme për çdo prokurori. 
 
Njëzet e tre drejtuesit e Prokurorive në rrethe si dhe të Apelit morën porosi të drejtpërdrejta për goditjen e korrupsionit, veçanërisht në rangun e zyrtarëve të lartë. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë  se në fokus të mbledhjes me dyer të mbyllura ishte analiza e punës së organit të akuzës deri më tani.
 
Pritet që Prokuroria të zbardhë takimin përmes një njoftimi zyrtar për mediet.