Llalla-Lu: Krijojmë zyrë të veçantë për mbrojtjen e viktimave të krimit

155

TIRANE – Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka pritur në një takim prezantimi Ambasadorin e ri të SHBA në Tiranë, Donald Lu. Takimi është zhvilluar ditën e Hënë. Sipas Llallës, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dhënë një ndihmesë shumë të rëndësishme në forcimin e kapaciteteve hetimore dhe në rritjen e pavarësisë institucionale të Shqipërisë.

Hapja e një zyrë të veçantë për mbrojtjen e viktimave të krimit ishte një nga pikat kryesore në të cilën u fokusua biseda mes Llallës dhe Lu. Gjatë diskutimit të zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme, Llalla i bëri një prezantim të përgjithshëm diplomatit amerikan mbi projektet e asistencës së projektit OPDAT, të cilat nisin me kontributin për ngritjen e Gjykatës dhe Prokurorisë për Krime të Rënda, duke vijuar më tej me hartimin e kuadrit ligjor dhe ngritjen e Njësive të Përbashkëta Hetimore.

“Falë kontributit të ekspertëve amerikanë, Prokuroria për Krime të Rënda dhe njësitë antikorrupsion janë dy ndër strukturat më të rëndësishme dhe më frytdhënëse në prokurorinë shqiptare”, u shpreh kryeprokurori Llalla.
 
Duke u ndalur tek projektet në vijim, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për ngritjen e një zyre të posaçme për mbrojtjen e viktimave të krimit. “Është shumë e rëndësishme sigurimi dhe rehabilitimi i personave të dëmtuar nga veprat penale. Në këtë mënyrë, institucionet japin një kontribut thelbësor në riintegrimin e shtetasve që janë objekt i krimit”, – shpreh Llalla. Për këtë arsye, mbështetja dhe ekspertiza amerikane për ngritja e kësaj zyre është një nga risitë më të rëndësishme në aktivitetin e Prokurorisë Shqiptare”.
 
Në vijim të takimit, Llalla dhe Lu diskutuan mbi forcimin e luftës së autoriteteve ligjzbatuese shqiptare kundër krimit të organizuar, kriminalitetit transnacional dhe korrupsionit.
 
Ambasadori Lu garantoi se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të mbështesë me projekte dhe trajnime prokurorinë shqiptare për forcimin e kapaciteteve hetimore dhe institucionale.