Liza Tabaku, punëtorja e postës u emërua drejtoreshë e Arsimit në Lushnje

589
Ish drejtoresha e Arsimit Rajonale Lushnje, Liza Tabaku e cila u dënua me 9 vjet burg pasi kërkonte para për të emëruar mësues apo për transferimet e tyre, nuk kishte diplomën e mësuesisë.
Jo vetëm kaq pas mbarimit të shkollës së mesme bujqësore Tabaku kishte punuar në ish ndërmarrjen bujqësore frutore si punëtore dhe deri në vitin 2011 si punonjëse shërbimi në filialin e postës në Lushnjë.
E zbulon KLSH në raportin e auditimit me temë “Për zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë ekonomiko – financiare” të ushtruar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për periudhën 16.09.2013 deri më 31.12.2014 dhe të publikuar më 14 korrik 2015.
“Në dosjen e personale të Znj.Liza Tabaku disponohet vetëm fotokopje diplome e nivelit Bachelor me drejtimin “Punonjës Social” e lëshuar nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan dhe fotokopje të librezës së punës sipas të cilës rezulton se znj. Liza Tabaku pas mbarimit të shkollës së mesme bujqësore ka punuar në ish ndërmarrjen bujqësore frutore si punëtore dhe deri në vitin 2011 ka punuar si punonjëse shërbimi në filialin e postës në Lushnjë” thuhet në raport.

Tabaku u arrestua më 22 nëntor 2014 pasi u akuzuan se se merrnin para për të punësuar njerëz në sektorin e arsimit. Gjatë kontrollit të banesës në fshatin Dushke të Lushnjes, iu sekuestruan nën cilësinë e provës 12 mijë euro dhe 800 mijë lekë të vjetra.
Ndërkohë në momentin që është ndaluar nga efektivët ka pasur me vete 2 mijë euro që ka tentuar t’i hedhë në tualetin e komisariatit të policisë së Lushnjes, me qëllim për t’I fshehur. Më 3 qershor Liza Tabaku u dënua me 9 vjet burg.
Sipas hetimeve për çdo emërim apo moslargim nga detyra, kjo u merrte shtetasve shuma nga 3000-5000 euro. Në veprimtarinë e saj të paligjshme, kjo shtetase ndihmohej nga djali i saj, Xhanluka Bakiasi.
Nga verifikimi i bërë nga KLSH rezultoi se, drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Fier me shkresën nr. 1341, datë 06.12.2013 ka bërë emërimin e znj Liza Tabaku si përgjegjëse e Zyrës Arsimore Lushnjë. “Sa sipër rezulton se Znj.Liza Tabaku nuk ka asnjë përvojë në fushën e arsimit dhe është emëruar në kundërshtim me Urdhrin e MAS nr. 57, datë 12.11.2013 “Për procedurat e emërimit dhe shkarkimit të drejtorit të Institucionit Publik të Arsimit Parauniversitar”. Për shkeljen e konstatuar, KLSH i ka rekomanduar Ministrit të Arsimit dhe Sportit masën disiplinore “Largim nga shërbimi civil” për Drejtorin e DAR Qarku Fier Shkelqim Allkaj.”
Gjithashtu KLSH ka urdhëruar të marrë masa që për emërimet në kundërshtim me Urdhrin e MAS, të nxjerrë përgjegjësitë, për të ndalur frymën e mosndëshkueshmërisë dhe rritjes së papërgjegjshmërisë institucionale të personelit
Sigal