Lista e re e profesioneve; Nga 1 korriku duhet të bëni përditësim, nëse nuk kaloni automatikisht te kategoria e re

803
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, njofton të gjithë tatimpaguesit, se duke filluar nga data 1 Korrik 2018, listë-pagesat që do të gjenerohen nga sistemi për periudhën tatimore qershor 2018 dhe që do të dorëzohen elektronikisht nga data 1 deri më 20 korrik 2018, do të reflektojnë kodet e rishikuara të profesioneve sipas Listës Kombëtare të Profesioneve të miratuara me VKM nr. 514 nr. 514, datë 20.09.2017 dhe të publikuar në Fletoren Zyrtare Nr. 169, datë 22 shtator 2017. Këto ndryshime kanë të bëjnë kryesisht me shtimin e disa kategorive të reja të profesioneve, ndryshime në kategoritë ekzistuese, si dhe pavlefshmërinë e disa kategorive të Listës Kombëtare të Profesioneve të përdorura deri para hyrjes në fuqi të vendimit të mësipërm. Implementimi i ndryshimeve të mësipërme në listë-pagesë do të mundësojë në pjesën më të madhe të tyre përditësimin automatik. Në këto raste tatimpaguesi do të dorëzojë listë-pagesën e tij pa qenë e nevojshme të përditësojë kategorinë e profesioneve edhe nëse ajo ka ndryshuar. Tatimpaguesit, të cilët kanë të paktën një punonjës, për të cilin sistemi identifikon se “Emri i Kategorisë së Profesioneve” nuk është më i vlefshëm sipas listës së re, nuk do të mund të dorëzojnë listë-pagesën pa ndryshuar/përditësuar këtë kategori. Sistemi automatikisht do të shfaqë një mesazh paralajmërues, përmes të cilit tatimpaguesit do të informohen rreth detajeve të punonjësit, për të cilin do të duhet të bëhet përditësimi manual. Më pas tatimpaguesi duhet të klikojë në fushën e kategorisë dhe të përzgjedhë profesionin apo funksionin që i përshtatet sipas rastit konkret. DPT, u bën thirrje subjekteve të verifikojnë dhe të përditësojnë ndryshimet e mësipërme në listë-pagesat tuaja, duke filluar që nga data 1 Korrik 2018, për të bërë të mundur deklarimin e tyre brenda afatit për të shmangur çdo penalitet për dorëzim të vonuar.