Lista e 198 emrave që mund zëvendësojnë komisionerët e Opozitës në zgjedhje

58
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gati listën me 198 persona të cilët do të emërohen në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor në rast se opozita përfundimisht vendos të mos sjellë anëtarët e saj.

Edhe dje, pavarësisht se e kishte përcaktuar në rend dite, KQZ nuk i emëroi këta persona dhe as nuk thirri mbledhjen e parë të KZAZ-ve në rang vendi, duke lënë dhe një herë një hapësirë për partitë opozitare.

Kodi Zgjedhor përcakton që KQZ-ja merr vendim për ngritjen e KZAZ-ve, jo më vonë së 90 ditë para datës së zgjedhjeve. Ky afat nuk u arrit të respektohej për shkak të vakancave në KZAZ, krijuar nga mos paraqitja nga Partia Demokratike e kandidaturave për anëtarë dhe sekretarë të KZAZ-ve, dhe nga mos paraqitja nga Partia Republikane e kandidaturave për anëtarë të KZAZ-ve.

Emërimet kryesisht nga KQZ të 45 anëtarëve të KZAZ-ve dhe 45 sekretarëve të KZAZ-ve, plotësojnë vakancat në të 90 KZAZ-të, të cilat kanë numrin e nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje dhe kanë në detyrë sekretarin.

Zhbllokimi i kësaj situate me shtetas të tjerë të pa propozuar nga partitë, parashikohet në nenin 29 të Kodit Zgjedhor. “5. Nëse partitë politike të shumicës parlamentare dhe të opozitës parlamentare, që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e përcaktuar, kjo e drejtë u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend pas të parave, brenda grupimit përkatës.

Nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje. Anëtarët e emëruar kryesisht qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike, sipas këtij neni. Zëvendësimi duhet të kryhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve.

Në rastin e zgjedhjeve të parakohshme, zëvendësimi kryhet jo më vonë se 5 ditë nga dita e zgjedhjeve. Procedurat për përzgjedhjen dhe trajnimin e shtetasve që mund të emërohen kryesisht përcaktohen nga KQZ-ja me udhëzim të veçantë”,-thuhet në Kodin Zgjedhor.