Lirohen protestuestit e 8 dhjetorit, dëshmia: Policia ka ushtruar dhunë

553
Një nga personat e ndaluar nga policia pas protestës së opozitës akuzon se është dhunuar nga policia. Duke folur nga pas hekurave të qelisë së komisariatit numër 1 në Tiranë, Arben Hajdari tregoi para medias shenjat që sipas tij provojnë dhunën, ndërsa deklaroi se policia nuk ka prova për akuzat ndaj tyre. Ndërkaq dy protestues të tjerë u liruan pas një takimi të deputetëve të partisë Demokratike me shefin e komisariatit numër 1. Përfaqësuesit demokratë thanë se ndalimi i protestuesve është shënje e arrogancës së qeverisë dhe kërkuan lirimin e tyre.
Arben Hajdari: “ Unë kur jam i pa fajshëm e ngre zërin. Ndërsa kur kam faj (dhe tregon shenjat e dhunës që ka në kokë). Unë jam i paralizuar në këmbën e majtë, nuk lëviz dot. Edhe veshin e majtë sepse më kanë gjuajtur katër burra në prani edhe të shefit të komisariatit”.
Ndërkohë, një grup deputetësh të partisë Demokratike qëndruan për disa orë para komisariatit numër 1, për të denoncuar sipas tyre dhunimin e protestuesve të ndaluar dhe për të kërkuar lirimin e tyre. Duke I konsideruar ndalimet të paligjshme, deputetet Arben Ristani dhe Flamur Noka thanë se ata do të qëndrojnë në krah të tyre deri në fund
Arben Ristani : “Protestuesit e ditës. Ata që protestuan në ditën për diell, gjatë natës janë ndaluar nga policia, gjoja në kushtet e flagrancës. Por edhe ligjërisht është e padrejtë që të trajtohet duke gdhirë mëngjezi, gjatë orës 1 apo 2 të mëngjesit. Ndërkohë ka pasur dhunë. Shumë familjarë ankoheshin për dhunë ndaj tyre, madje i kanë marrë me pizhama gjatë natës.
Flamur Noka: “ I bëj thirrje Edi Ramës që të ndalojë këtë gjueti shtrigash dhe i themi t’i thot stop dhunimit të të rinjve që morën pjesë në protestën e Partisë Demokratike. Ajo që doja të evidentoja është fakti se këtu po ushtrohet dhunë”.
Deputetët demokratë patën një takim edhe me shefin e komisariatit numër 1, dhe menjëherë pas tij policia la të lirë dy protestuesit Aqif Lala dhe Albert Daci. Pas kësaj në paraburgim mbeten 3 persona të cilët pritet të dalin të enjten para gjykatës për masën e sigurisë
Sigal