Liqeni i Komanit, një mrekulli shqiptare gati për t’u eksploruar

1451
Liqeni i Komanit, i cili ndodhet 30 km larg qytetit të Shkodrës, është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin, ku është ngritur Hidrocentrali i Komanit me 600 mijë km/orë. Liqeni ka sipërfaqe 12 km 2, gjatësi 34.5 km dhe gjerësi 50-60 m. Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200m mbi nivelin e detit. Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike. Aty pranë ndodhet fshati Koman, ku është zbuluar një varrezë e shekullit 6-8 e.j., e cila lidhet me kulturën e shoqërisë së hershme shqiptare. Mungesa e një organizimi, qoftë prej autoriteteve lokale, qoftë prej agjencive turistike, e ka lënë krejtësisht në hije shfrytëzimin turistik të kësaj zone me potenciale të fuqishme, që po të shfrytëzoheshin edhe në mënyrë të pjesshme, do të ndikonin drejtpërdrejt në të ardhurat ekonomike të të gjithë zonës.
Duke u bazuar në të dhënat historike të hulumtuara, zona Koman-Pukë, përbën një bazë të fuqishme informacioni arkitektonik dhe historik të lulëzimit dhe shtrirjes së Perandorisë Bizantine. Kultura e Komanit përfaqëson kulturën e herëshme shqiptare. Objektet e saj pjesërisht kanë tipare të ngjashme me ato ilire, pjesërisht kanë trajta të reja të cilat duhet të jenë krijuar gjatë shekujve të mëvonshëm. Ndikimi i kulturës romake, bizantine e sllave te objektet e kulturës materiale të Komanit është i kufizuar. Kjo provon se gjatë shekujve të mesjetës së herëshme, popullsia shqiptare e rrudhur në krahinat malore e ruajti kulturën e vet materiale të trashëguar nga koha antike, e pasuroi atë duke krijuar trajta të reja dhe i rezistoi asimilimit nga ana e kulturave romake, bizantine e sllave.
Nga të dhënat arkeologjike, materialet më të pasura janë zbuluar në nekropolin pranë fshatit Koman që ndodhet mbi një pllaje mali në krahinën e Pukës, jo shumë larg luginës së Drinit. Objekte të ngjashme me ato të Komanit u zbuluan edhe në vende të tjera të Shqipërisë si (brënda në Krujë, në Kepin e Rodonit, në Malin e Robit e gjetkë). Kultura materiale u zbuluar në këto vende ka marrë prej kohësh në historiografi emrin Kultura e Komanit. Objektet e kësaj kulture u zbuluan për herën e parë në Koman më 1898. Ato u gjetën në një shumicë varresh që bënin pjesë në nekropolin e një qëndre banimi të lashtë, sot të zhdukur. Pranë nekropolit ndodhen gërmadhat e dy kishave. 
Sigal