Liljana Dhimo (Ruço): Të jesh mësues në Shqipëri është shumë e vështirë, por është profesioni për të cilin ka nevojë më shumë

903
Grimcat e para poetike i kanë lindur që në fillore, në ato poezitë me dy strofa, të cilat e kanë shoqëruar për një kohë të gjatë, veçanërisht në periudhën e gjimnazit, atëherë kur të gjithë të rinjtë e provojnë penën, sepse është ajo, që ua kërkon atyre. Ndonjëherë këto lloje poezish zënë një vend dominant në “krijimtarinë tënde”. Për herë të parë poezitë e saj e kanë parë dritën e tyre të botimit në gazetën “Studenti”, në vitet ’73-’74-’75. Mbase ndonjë poezi tjetër tek-tuk mund të ketë ngritur kokë edhe në ndonjë organ tjetër, si gazeta “Drita”, “ZP” apo revista “Ylli”, por që të botohej në këto organe, duhej të kalojë në një pafundësi filtrash të kohës. 
– Sot, krijueset femra në Shqipëri, a kanë gjetur terren dhe mbështetje për vlerësim dhe propagandim?
Në këndvështrimin tim, mund të them pa frikë një “JO”. Kjo e thënë në mënyrë të përgjithshme, ndërkohë që të jesh në një tavolinë, të themi mes miqsh apo kolegë, mund të marrësh superlativa vlerësimesh, për arsye nga më të ndryshmet. Nëse i jep dikujt dorëshkrimin, entuziazmohet sikur ka zbuluar “çudinë e tetë të botës”, mund të të thotë, që filan autor, apo fistek poeti i është dashur një jetë, që të përdorë një figurë kaq të goditur si kjo e jotja e aksh poezie, apo të takon në rrugë pasi ka lexuar poezitë e tua dhe thotë, nuk më vjen keq që ti nuk je e afirmuar, por më vjen keq, që sa e sa te tjerë, kanë mundësinë të botojnë aq shumë gjëra pa vlerë, sa të vjen neveri nga pseudot që servirin. Megjithatë më shumë të dhemb indiferenca e grave krijuese, në “xhelozinë” e të cilave: është e mira të mos të bjerë kurrë fati që të trokasësh. Nga ato librat e mi të thjeshtë, unë jam e lumtur, që më kanë lexuar plot miq e shokë, njerëz që më njohin por që edhe nuk më njohin si fytyrë, por që kanë dërguar një feedback të tipit: “Më pëlqyen shumë poezitë e tua, por filan poezi, mu duk sikur ishte shkruar për mua”. 
– A është e vlerësuar sot femra shqiptare dhe me raporte të drejta në politikë?
“Diçka duket se po “fryn për mirë”. Sa janë zhvilluar zgjedhjet vendore dhe ishte kënaqësi e veçantë, që për herë të parë kishte një numër të dukshëm zonjash, të cilat do të udhëheqin jetën dhe punën e vërtetë në mjaft qarqe të vendit. Kënaqësi dhe një urim të veçantë për këto zonja, të cilitdo krah që janë, ato kanë luftuar dhe janë privuar nga shumë kënaqësi që mund të kenë pasur pranë rehatisë familjare, por me dinjitet kanë arritur të jenë në krye, një BRAVO të madhe për ato, mbi të gjitha kur ato kanë fituar edhe ndaj burrave kandidatë. Por burrave me ADN-në e tyre u përshtatet një shprehje të cilën kurrë nuk duhet ta harrojnë: “Një dorë që tund djepin, tund sistemin!”
Në kohën e lirë jeni afër krijimtarisë apo keni ndonjë hobi tjetër?
Kohë të lirë kam, por edhe nuk kam. Megjithatë gjej kohën që gjen çdo grua për t’u marrë së pari me familjen, sepse familja ime përbëhet nga bashkëshorti im dhe dy djemtë, kështu që punët e nënës, nuk mund të anashkalohen për asnjë arsye. Gatimi, është një nga punët, për të cilën nuk përtoj asnjëherë, përkundrazi edhe aty e kap shpesh herë veten duke bërë receta të reja gatimi, ndërkohë më mbetet kohë të lexoj, të shkruaj sa herë që më bëhet domosdoshmëri, kur vërtet vjen momenti i bukur emocionues për të hedhur diçka në letër. Po kështu me pëlqen shumë të qëndis, por të qëndis panorama, apo portrete por te vështira, me numërim dhe jo të stampuara. Është një punë vërtet e vështirë, por tejet e bukur dhe më së shumti antistres, sepse provon një kënaqësi të veçantë. Nuk mund te rri pa dëgjuar muzikë, por muzikë të bukur, veçanërisht muzikë klasike, si Kamil Saint Sans, List, Vivald, Beethoven, Mozart, Shopen e plot emra të tjerë, një muzikë e mrekullueshme që nuk vdes kurrë.
…Kjo është një lloj agjende në vija të përgjithshme.
Mësuese fizike dhe poete, nuk është paksa paradoks?
Por ama një paradoks shumë i bukur. E vërteta është që unë lëndën e letërsisë në gjimnaz e kam zhvilluar me profesorin e letërsisë, një ndër poetët lirikë më të mëdhenj në kohën e tij, Dhori Qiriazi. Ishte një fat i madh të kishe një mësues të jashtëzakonshëm dhe një figurë poliedrike si ai, jo vetëm për mua, por për të gjithë nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” të Ersekës, respekti ndaj të cilit rritet dita-ditës, ndërkohë që profesorin nuk e kemi më mes nesh. Ora e mësimit të letërsisë për ne, ishte sikur ne dërrasën e zezë të shfaqej një ekran, ku çdo fjale e tij, ekranizohej dhe na fuste në një botë plot ngjyra dhe jetë, plot ëndrra dhe muzikalitet, ku ne ndryshonim këndvështrimin ndaj jetës dhe fenomeneve të saj. Ndaj te gjithëve na mbushej mendja, se edhe ne do bëheshim poetë, sepse ne na ishte transmetuar në çdo orë, shpirti poetik ndër vena…falë tij. Fizika ka qenë lënda që unë padyshim kam dhënë nëpër gjimnaze, në shumë të tillë, një shkencë bazë, ndër më të bukurat, e cila “të mpreh” gjykimin.

A është e vështirë sot të jesh mësuese në Shqipëri?
Do të them diçka dhe do të këmbëngul që: të jesh mësues në Shqipëri është shumë e vështirë, por është profesioni për të cilin Shqipëria ka nevojë më shumë, se për cilindo profesion tjetër. Para disa ditësh, një mike kish bërë një status në facebook: “Një grup inxhinieresh, ekonomistësh, mjekësh, etj i kishin kërkuar zonjës Merkel, t’iu ngrinte rrogat dhe t’ua barazonte me rrogat e mësuesve(!) -Jo, ishte përgjigjur ajo, janë ata që ju kane mësuar juve, mos pretendoni një gjë të tillë”! 
Si do ta komentonit mitmarrjen në radhët e mësuesve?
Problem i thellë ky e dashur, por rrënjët i duken gjithsesi, bile i duken mirë fare, nëse do t’i shohësh. Kam bindjen e padiskutuar që, mësuesi i vërtetë nuk bën pjesë në këtë bashkësi. Por, figura e mësuesit për vite me radhë mbeti figura më e poshtëruar e shoqërisë, ju shpëla dinjiteti në mënyrën më të turpshme me ujin e turbullt që nxjerrin kanalet buzë Lanës. Mësuesi nuk u vlerësua si pjesa më dinjitoze e shoqërisë. Mësuesit nuk ju dha vendi që i takon. Ai u la që të vishej me çfarë t’i ofronte firma “Gabi”. Ndërkohë që nxënësi e kishte celularin 600 euro, mësuesi rrogën e kishte 30 000 lek. Vallë çfarë bëhet, të nderuar politikanë dhe ligjvënës, kur një i dënuar me burgim të përjetshëm, lirohet dhe nuk gjendet më? Çfarë bëhet kur një kriminel i larguar në drejtim të paditur, i dënuar katër herë nga drejtësia… ikën? Këta juridiksa që i lirojnë dhe i çlirojnë, nuk bën vaki ndonjëherë që të dalin nëpër ekrane të mediave dhe të telendisen, nga ajo pjesë e respektuar e njerëzve, bashkëqytetarëve e bashkë nënshtetasve të mi. Çfarë do bëjë një familje e re, qeliza e jetës sonë kur lidhen dy të rinj, të cilët kanë mbaruar për mësuesi dhe punojnë si mësues, të cilët jetojnë në një apartament me qira 20 000 lek. Dy rroga mësuesish, ku 10 000 lek do jetë pagesa e energjisë, ujit e taksave, po nëse janë duke pritur edhe frytin e dashurisë së tyre, si do t’i përballojnë dhe a mund t’i përballojnë dot shpenzimet e përditshme, sepse nëse për t’u veshur e mbathur, firma “G” është gati, por për të ngrënë tri here në dite, kjo firme për fat të keq… nuk funksionon. Megjithatë mësuesit përsëri mbeten të ndershëm, pavarësisht se shpesh herë “ndershmëria” në një gjuhë (që të paktën nuk është shqip), përkthehet “budalla”. E lëmë me kaq këtë përgjigje, sepse “dhemb, por dhemb shumë!”
Sigal