Likometa: “Më bllokuan botet pas furnizimit me bitum te ARMO”

405

Segmente të caktuara të strukturave të shtetit bëjnë presion  ndaj klientëve të ARMO-s

 Ndërsa protesta e 3.000 punëtorëve të ARMO-s po vazhdon në ditën e 7-të të saj, segmente të veçantë të strukturave të shtetit, po intensifikojnë mjetet e presionit ndaj ARMO-s, kësaj here ushtrojnë shantazhet edhe kundër klientëve të ARMO-s, më qëllim që të kjo kompani të mos ketë asnjë klient dhe qarkullim të mallit të saj, e ta çojë kështu, drejt falimentimit.  Pas bllokimit të kundërligjshëm të dy rafinerive të përpunimit të naftës në Ballsh dhe Fier, segmente të caktuara të shtetit, po bëjnë presion edhe mbi klientët kryesorë të kompanisë ARMO. Botet me bitum të furnizuara në kompaninë ARMO nga kompania “IZVORI 99 sha”, janë bllokuar në mënyrë arbitrare, jo për shkelje të ligjit, por thjesht se u furnizuan në rafinerinë e Fierit. Biznesmeni Rebani Likometa tregon se si uniformat e shtetit bllokuan mjetet e tij, të cilat do të eksportoheshin në Kosovë. “Ne kemi marrëdhënie prej vitesh. Pasi shteti mori paratë, e privatizoi, menjëherë filloi sulmi ndaj kompanisë ARMO që ishte privatizuar. Kështu ishte që në fillim. Kërkesa është e madhe. Investimet kanë qenë gjithmonë duke u rritur në infrastrukturë. Para zgjedhjeve patëm kërkesa të mëdha për bitum sepse investohet në të gjitha rrugët në Shqipëri. Pasi kaloi data 23 filluan presionet, që nga mua të parit. Unë isha klienti kryesor që merrja furnizimin nga ARMO. Filluan presionet nëpërmjet meje, si nga individë, privatë, sepse kjo është një lojë e pleksur. Nuk arritën presionin përmes meje dhe bllokuan kompaninë”- thotë Likometa. Ai rrëfen se qeveria ka marrë nga kompania “IZVOR” bitumin me të cilin shtroi rrugët elektorale, pagesa për të cilën ende nuk është kryer, ndërsa menjëherë pas 23 qershorit, qeveria në ikje nisi presionin edhe ndaj tij. “Kohët e fundit, rreth datë 10, kam qenë në rolin e importuesit. Firma nuk ishte tatimpagues shqiptar, subjekt i regjistruar në republikën e Shqipërisë, ishte në Kosovë. Tek porta u dalin shoferëve përpara, u kërkojnë dokumentacionin. Marr kontakt me një, i pyes kush je- më thonë Drejtoria e policisë hetimore. Do bllokohet se keni detyrime ndaj shtetit. U thashë ta shikonin edhe një herë faturën. ‘Nuk është subjekt tatimor i Republikës së Shqipëri’. Ata e kanë kontrolluar, e panë që subjekti ishte në rregull dhe shkuan në doganën e Fierit. Filloi raprezalja. Bëri kallëzim për rritje me dhunë. Ndërsa në datën 11 i bllokuan mjetet”- thotë Likometa. Si një biznesmen me aktivitet prej 18 vitesh në fushën e hidrokarbureve, ai kërkon nga shteti të gjejë gjuhën e bashkëpunimit me biznesin dhe jo të rrisë format e arbitraritetit. “Detyrimet i do një më një shteti. Kur vjen data e TVSH paguaj TVSH, tatim- fitimin. Ato shkresat i nisin ata. Nuk duan t’ia dinë. Këtej bëhen vetë pengesa kryesore. Detyrime kanë të gjithë subjektet, por kjo nuk do të thotë të bllokosh aktivitetin. Bllokoji numrin e llogarisë. Bllokimi bëhet që të vijnë paratë, por duke bllokuar aktivitetin të gjithë jemi të humbur. Askush nuk fiton, që nga qeveria e para. Nuk e kuptoj, vetëm njerëz të papërgjegjshëm e bëjnë këtë. Këtë presion e kanë bërë vazhdimisht ata, për 15 ditë rresht derisa në fund nxorën një shkresë që ka detyrime në tatime dhe bllokohet NIPTI dhe DSHA dhe nuk e lejon të bëjë aktivitete”- thotë Likometa. Kompania IZVOR është një nga klientët kryesore të kompanisë ARMO, e cila merr prej saj bitum dhe solar dhe një pjesë e konsiderueshme e saj eksportohet. Bllokimi i rafinerisë ka krijuar vështirësi edhe në kompaninë IZVOR, pasi ka vënë në pikëpyetje kontratat e saj me klientë jashtë vendit.

  Jaka: Dialog, jo vendime arbitrare

Në cilësinë e kreut të Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka denoncon arbitraritetin e organeve tatimore ndaj bizneseve. Referuar çështjes së konfliktit të tatimorëve me kompaninë ARMO, Jaka thotë se para së gjithash duhen kërkuar rrugët e bashkëpunimit për të zgjidhur problematikën shtet- biznesi.

“Nuk mund të zgjidhen gjërat në rrugë arbitrare apo me mllefe apo inate. Gjërat zgjidhen në rrugën e pajtimit, në rrugën e bashkëpunimit,  në rrugën e klimës së plotë bashkëpunuese, sidomos kur bëhet fjalë për sipërmarrje të rëndësishme që kanë efekt edhe në ekonominë e vendit, por njëkohësisht kanë një efekt të ndjeshëm në buxhetin e qytetarëve që janë të punësuar në këtë kompani. “- tha Jaka. Ai kërkon që shteti t’i referohet legjislacionit të Europës Perëndimore për të ndihmuar aktivitetin në sektorë me ndikim në ekonomi. Sipas Dhomës së Tregtisë llogaritet që shteti ka një borxh prej 220 milionë euro ndaj kompanive, kryesisht atyre të ndërtimit.

 Çela: Kërkesat të ligjshme. Qeveria e re plan për këtë sektor

Kryetari i bashkisë së Ballshit, bashki në të cilën ndodhet edhe uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës, i konsideron tërësisht të ligjshme kërkesat e punonjësve të rafinerisë së ARMO-s. Ilir Çela shprehet se, si rrjedhojë e bllokimit të kësaj rafinerie janë mbi 1200 familje të Ballshit të cilat po hasin vështirësi të mëdha. “Në rast se uzina e përpunimit të gazit e naftës nuk do të punojë aty nuk do të paguhen 1200 punëtorët të cilët janë të punësuar. Në krahun tjetër janë 1200 familjet të cilat kanë të gjithë të drejtën e zotit e të ligjit që me punën e tyre të ndershme të mbajnë familjet e tyre të cilat tashmë janë kthyer në familje në nevojë. Do ta quaja shumë të ligjshme çdo kërkesë të tyre e cila ka të bëjë thjesht e vetëm me atë që kompania ARMO si sektor strategjik në Shqipëri duhet të punojë dhe duhet të kryejë normalisht gjithë punët e saj të ditës me qëllim që ky operator ekonomik të jetë operator strategjik ashtu siç edhe është privatizuar nga kjo qeveri në ikje”, u shpreh Çela.