LIGJI/ Presidenti, Kryeministri, SHISH, KLD, Kuvendi, Drejtësia, policia nuk përfillin “Avokatin e Popullit”

605
Sigal

Edhe institucionet që i detyron ligji, nuk i hapin as “portat” e nuk i pranojnë as shkresat “Avokatit të Popullit”, duke e katandisur më keq se popullin

 Edhe pse quhet “Avokat i Popullit”, edhe pse paguhet totalisht nga taksat e popullit dhe ka detyrim të vetëm kushtetues të mbrojë liritë dhe të drejtat kushtetuese individuale, pronësore, sociale, ekonomike, profesionale, juridike, shoqërore, etnike, fetare të popullit si individ, grup e popull, realisht “Avokati i Popullit” në Shqipëri nuk e mbron dot popullin nga mohimi dhe shkelja e drejtave publike, kolektive e personale, që u bëhet prej disa institucioneve kryesore të shtetit. Këtë kufizim veprimi mbrojtës, ia ka përcaktuar ligji absurd, skandaloz e anti-kushtetues me Nr. 8454, datë 04/02/1999 “Për Avokatin e Popullit” (të ndryshuar), të cilin e kanë ndryshuar, vulosur e firmosur vetë shtetarët dhe ligjvënësit shqiptarë, për të përjashtuar veten dhe institucionet që drejtojnë, nga ballafaqimi me ankesë-kërkesat e popullit nëpërmjet zyrës së “Avokatit të Popullit”.

Fakti/ “Avokati i Popullit” deklaron zyrtarisht: “Nuk kam fuqi të veproj!”

 Një grup prej 50 minatorësh të Tiranës, të përfaqësuar me prokurë nga kryegrevisti i minierës së Valiasit, ish-minatori Roland Përmeti, bënë prezent në gazetën “Telegraf”, këtë shqetësim: Në datën 13/11/2013 i janë drejtuar me një ankesë-kërkesë “Avokatit të Popullit” në rrugë shkresore dhe me postë elektronike, lidhur me mosdhënien detyrimit ligjor “pension i posaçëm”, që është pagesë mujore shtesë mbi pensionin e minierës, përcaktuar si e drejtë prej Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993, Neni nr. 5 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe me VKM Nr. 429, datë 12.09.2002 “Për kushtet e përfitimit, shumën dhe procedurat e dhënies së pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore”. Këtë pension shtesë, ata e kanë përfituar me vendim të Këshillit të Qarkut Tiranë qysh në muajin shtator 2010, por që qeveria shqiptare nuk e ka zbatuar as 1 muaj dhe vazhdon të mos e zbatojë. Që prej muajit shtator 2010 kur është miratuar vendimi e deri sot, ish-minatorët kanë bërë 273 ankesa e kërkesa në të gjithë institucionet e shtetit dhe afro 76 kërkesë-padi në të gjithë shkallët e gjyqësorit si dhe kanë fituar 13 herë gjyqin në disa shkallë, por nuk kanë marrë as një përgjigje prej zbatuesve të ligjit. Po kështu, i janë drejtuar edhe BE, trupit diplomatik në Shqipëri dhe institucioneve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, por as prej tyre nuk ka ardhur asnjë “copë pusullë” përgjigje. Në datën 13/11/2013, ata iu rikthyen kërkesë-ankesave nëpër institucionet duke iu drejtuar “Avokatit të Popullit” me kërkesën “mbështetje për zbatimin e vendimit të Këshillit të Qarkut Tiranë dhe të gjykatave”. Në përgjigjen e kthyer pas 7 ditësh, qëndron edhe çudia e cila në fakt, quhet absurd dhe skandal i rëndë ligjor, shtetëror e kushtetues. “Avokatit i Popullit”, në përgjigjen e tij zyrtare, me shkresën K1/R 23-7 Prot., Nr. Dok. 201302216/7, datë 20/11/2013, u sqaron minatorëve, se nuk ka asnjë fuqi për të kërkuar zbatimin e ligjit, mbasi e ndalon ligji të kërkoj shpjegime dhe zbatim ligjesh e vendimesh të ço lloji nga kryeministri, ministrat e qeverisë dhe disa drejtues të tjerë institucionesh sipërore të shtetit shqiptar!

Pjesë nga përgjigja zyrtare e “Avokatit të Popullit”

 “… Ju ankoheni ndaj Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, lidhur me mosdhënien e të drejtës për të përfituar pension të posaçëm shtetëror, akorduar me propozim të Këshillit të Qarkut Tiranë në muajin shtator 2010. Ju bëjmë me dije, se me gjithë dëshirën e madhe për t’ju ndihmuar, institucioni i “Avokatit të Popullit” nuk ka kompetenca ligjore për ndërhyrje të mëtejshme për çështjen tuaj, pasi në Nenin nr. 25 të Ligjit Nr. 8454, datë 04/02/1999 “Për Avokatin e Popullit” (i ndryshuar), janë përcaktuar personat dhe aktet jashtë juridiksionit të “Avokatit të Popullit”, ku shprehimisht thuhet: Janë jashtë juridiksionit të “Avokatit të Popullit” personat dhe aktet e mëposhtme: Presidenti i Republikës, Kryetari i Këshillit të Ministrave, Ligjet dhe aktet e tjera normative, Urdhrat me karakter ushtarak të forcave të armatosura…”.

 Shtetarët, ligj që u jep të drejtën të mos u kërkohet zbatimi i ligjit

Vetëm në Shqipëri, ndodh skandali i shkeljes së hapur të Kushtetutës prej shtetarëve të lartë, duke përdorur institucionet dhe funksionet zyrtare, për të cilët ata janë votëbesuar nga populli ose nga institucionet e larta kushtetuese. Rasti flagrant është kufizimi që i është bërë me ligj veprimit të “Avokatit të Popullit”. Sipas Ligjit nr. 8454, datë 04/ 02/1999, në Neni nr. 25 (i ndryshuar), institucioni i “Avokatit të Popullit” nuk ka asnjë të drejtë të kërkoj shpjegime dhe zbatim ligjesh e vendimesh nga disa institucione dhe drejtues të lartë shtetërorë edhe kur ligjet, vendimet e aktet normative që ata miratojnë dhe firmosin, janë në kundërshtim të plotë me të drejtat kushtetuese të shtetasve. P.sh, ligji për “Avokatin e Popullit”, ndalon “Avokatin e Popullit” të kërkoj prej kryeministrit detyrim zbatimi ligjesh e vendimesh të qeverisë e institucioneve në varësi të tij ose të institucioneve vendore! Me ligjin në fuqi, “Avokati i Popullit”, nuk lejohet të “hap as gojën” nëse kryeministri nuk do ta zbatojë ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, për të pastrehët, për pensionet e invalidëve e jetimëve, për arsimin universitar, për koncesionet, për pagesat e trojeve të shpronësuara për interes publik, për rikthimet në punë të nëpunësve që kanë fituar gjyqet, për pensionet e posaçme si në rastin konkrete për çdo shkelje e mos zbatim ligji. Populli shkon e kërkon ndihmë tek “Avokati i Popullit”, por ky i fundit nuk i kërkon dot zbatim ligji kryeministrit, mbasi e ndalon ligji edhe për ta pyetur formalisht. D.m,th, ligji ndalon zbatimin e ligjit … për popullin! Ky ligj, sipas interpretimit të zyrës së “Avokatit të Popullit” nuk e detyron kryeministrin as të detyroj ministrat për të zbatuar vendimet dhe ligjet e shtetit, apo të japin shpjegime për shkeljen e tyre! Dhe populli vazhdon e kërkon kot tek “Avokati i Popullit”, të drejta të mohuara e të shkelura nga krerët dhe institucionet e larta të shtetit, mbasi ligji në fuqi e ndalon “Avokatin e Popullit” që të mbrojë popullin! Avokati ndalohet të kërkoj shpjegime për mos zbatim ligjesh e vendimesh dhe zbatim të tyre edhe nga Presidenti i Republikës, nga Ministria e Mbrojtjes, nga Ministria e Brendshme, nga Ministria e Jashtme, nga SHISH, prokuroria, KLSH, KLD, Kuvendi, prokuroria dhe gjykatat e çdo niveli, të cilat në 90% të veprimtarisë së tyre, trajtojnë çështje e japin vendime që kanë si subjekt popullin. Le të shkelin ligje, le të mos zbatojnë vendime, le të nxjerrin urdhra e kate normative sipas oreksit këta drejtues e institucione shteti. Nuk i prek askush, mbasi kanë “status” shpërfilljeje një ligj absurd e skandaloz anti-kushtetues, sipas të cilit nuk ka të drejtë t’i pyes e shqetësoj as “Avokati Popullit”, kur ata shkelin të drejtat e shtetasve dhe të punonjësve të tyre! Madje, për ankesat që populli bën ndaj gjykatave, Ligji për “Avokatin e Popullit” Nr. 8454, datë 04/ 02/1999, në Nenin nr. 25 (i ndryshuar), përcakton prerazi, kështu: “Avokati i Popullit” pranon ankesa, kërkesa apo njoftime për shkelje të të drejtave të njeriut, që rrjedhin nga administrata e pushtetit gjyqësor dhe procedurat gjyqësore, por nuk ndërhyn për veprim”. Lind kjo pyetje logjike për “Avokatin e Popullit”: Kur nuk ke fuqi ligjore të ndërhysh e veprosh, përse i pranon ankesë-kërkesat e popullit, apo të duhen për “bilanc pune”??!! Kjo është absurde, që populli ankohet për shkelje të drejtash në gjykata, ligji ndalon të kërkohet e drejta e shkelur! Le të drejtohet shtetasi, apo populli për ndihmë tek “Avokati i Popullit” për të kërkuar prej Presidentit të Republikës, ministrit të Brendshëm, të Mbrojtjes, të Jashtëm, kreut të Kuvendit, kreut të SHISH, të KLD, KLSH, prokurorisë, gjykatës etj, zbatim të Kushtetutës, zbatim vendimesh qeverie, ligjesh e të drejtash të të shkelura të punonjësve, apo anulim të tyre. Nuk pyetet jo më populli, por as “Avokati i Popullit”, pasi e ndalon ligji të pyetet!

Edhe institucionet që i detyron ligji, nuk e përfillin “Avokatin e Popullit”

 Nëse janë disa institucione dhe krerë të lartë të shtetit shqiptarë, që me Ligjin Nr. 8454, datë 04/ 02/1999 për “Avokatin e Popullit”, nuk detyrohen të japin shpjegime përpara “Avokatit të Popullit” për mos zbatim ligjesh e vendimesh dhe shkelje të drejtash të shtetasve e punonjësve të tyre, ka edhe institucione e zyrtarë shteti që I detyron ligji të zbatojnë rekomandimet dhe vendimet e “Avokatit të Popullit”, por që nuk e përfillin atë. “Rekord” i shpërfilljes së “Avokatit të Popullit” janë ministritë, drejtoritë e drejtorive rajonale, drejtoritë e shërbimeve publike, prefekturat, këshillat e qarqeve, krerët e bashkive, të komunave, zyrat rajonale arsimore, të mjedisit, të shëndetit publik, drejtoritë e policisë, gjykatat, komandat ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, Televizioni Publik Shqiptar, Thesari Shtetit etj. Në këto institucione, prej 15 vitesh, vetëm nga populli janë depozituar mbi 11 milionë ankesë-kërkesa për zbatim vendimesh të çdo natyre (60% të përsëritura nga 30-50 herë), por që nuk janë zbatuar nga titullarët dhe mbarten e shtohen çdo vit. Nga këto janë drejtuar për zgjidhje tek “Avokati Popullit”, por as “Avokati Popullit” nuk është përfillur prej drejtuesve e institucioneve shkelës të ligjit e mohim të drejtash. Vazhdon shpërfillja e institucioneve shtetërore dhe e drejtuesve të tyre ndaj “Avokatit të Popullit”. Sipas një informacioni të dalë konfidencialisht prej zyrës së “Avokatit të Popullit”, në 10 vitet e fundit janë negociuar zyrtarisht të gjitha kërkesë-ankesat e paraqitura nga populli, por vetëm 07% e tyre janë zgjidhur. Të tjerat janë hedhur në “koshin e plehrave” prej drejtuesve të institucioneve. Personaliteti i “Avokatit të Popullit” është katandisur deri në atë derexhe, sa përballë institucioneve dhe drejtuesve të tyre shpërfillës, po ankohet si populli…

 Ja 40 nga institucionet dhe shërbimet që nuk përfillin “Avokatin Popullit”

 1. Presidenca

2. Këshilli Ministrave

3. Këshilli Lartë i Drejtësisë

4. SHISH

5. Kuvendi

6. Ministria e Energjisë

7. Ministria e Punës

8. Ministria e Mjedisit

9. Ministria e Shëndetësisë

10. Komisioni Kthimit të Pronave

11. Porti Detar, Durrës

12. Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore

13. Radio-Televizioni Shqiptar

14. CEZ

15. Këshilli Qarkut Tiranë

16. Instituti Monumenteve të Kulturës

17. Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetit

18. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve

19. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit

20. Drejtoria e Tatimeve

21. Drejtoria e Thesarit

22. Bashkia Shkodër

23. Universiteti Shtetëror

24. Prefektura Korçë

25. Këshilli Qarkut Gjirokastër

26. Këshilli Qarkut Elbasan

27. Prefektura Elbasan

28. Këshilli Qarkut Dibër

29. Këshilli Qarkut Fier

30. Prefektura Lezhë

31. Bashkia Lushnjë

32. Këshilli Qarkut Durrës

33. Gjykatat Rajonale të Shkallës I

34. Autoriteti i Konkurrencës

35. Ministria e Transporteve

36. Drejtoria e Qarkullimit Rrugor

37. Albtelekomi

38. Inspektorati Qendror i Ndërtimit

39. Shërbimi Përmbarimor

40. Drejtoritë Arsimore në 12 qarqe

Përparim HALILI