Ligji “Për Sigurimet Shoqërore”: Për personin e pa siguruar, nuk jepen pagesë varrimi!

709
Ndodh vetëm në Shqipëri, që shteti tallet barbarisht dhe turpshëm me njerëzit jo vetëm kur janë gjallë, por edhe në ditën e vdekjes së tyre. Për aq kohë sa qytetari shqiptar është gjallë, për shkak të mbijetesës ekonomike, krejt për fajin e shtetit që nuk kontrollon zbatimin e ligjeve, detyrohet të punojë edhe “në të zezë”. Puna ilegale është pa siguracione e për rrjedhojë nuk ka vjetërsi pune! Për shkak të mungesës së viteve të përcaktuara ligjërisht për vjetërsi pune, ai nuk përfiton asnjë lloj pensioni pleqëria ose të parakohshëm, madje as KEMP, as leje lindje, mbasi duhet të jesh i siguruar prej punëdhënësit ose në mënyrë vullnetare. Kështu e përcakton ligji “Për Sigurimet Shoqërore në Shqipëria”, duke dënuar me humbje pensioni ata që nuk kanë sigurime për shkak të papunësisë dhe punës ilegale! Por “mallkimi” i sigurimeve shoqërore, i ndjek prapa shqiptarët që nuk paguajnë sigurime shoqërore deri sa futen në… varr! Kush vdes dhe nuk është i siguruar, nuk përfiton asnjë trajtim nga shteti. Absurdi gjendet në Ligjin Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, ndryshuar me VKM Nr. 429, datë 12.09.2002 “Për sigurimet shoqërore” (ndryshuar edhe 17 shumë herë të tjera). Në kapitullin: “Pensionet familjare”, në pikën (a), përcaktohet kështu: “Pagesë varrimi, jepet vetëm në rast se personi i vdekur, ka qenë i siguruar me kontribute të sigurimeve shoqërore, ose në rast se i vdekuri është pensionist me pension ose i jepet një pensionisti të gjallë me pension, në rast vdekjeje të një anëtari të familjes që ai e ka në ngarkim”. Sipas këtij ligji zoti kryeministër, nëse personi i vdekur apo i mbeturi gjallë nuk kanë paguar sigurime shoqërore, nuk e përfitojnë pagesën e varrimit për personin e familjes, paçka se vlera e kësaj pagese (sipas tarifave në shërbimet funerale) është sa vlera e kapakut të… arkivolit!
Sigal