Ligji “Për policinë e shtetit” mbetet “kukull”, Ministria nuk nxjerr aktet nënligjore për përfitimet e punonjësve

836
Arjan ZADRIMA
Duhej të kishte nisur më 01.03.2015. Sindikata po kërkon zbatimin e tij, ndërsa Ministria i bllokon edhe kontratën kolektive
Ligji “Për policinë e shtetit” mbetet “kukull”, ministria nuk nxjerr aktet nënligjore për përfitimet e punonjësve të policisë, qysh prej datës 1 mars 2015 e deri sot, ka mbetur veçse “një copë letër” pa vlerë, mbasi nuk po konkretizohet me akt nënligjore, për të detajuar dhe përcaktuar përfitimet që ky ligj i jep punonjësve të Policisë së Shtetit. Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, konkretisht kryetari i saj, Z. Sadetin Fishta, ka kërkuar vazhdimisht gjatë këtyre afro 2 viteve, nxjerrjen e akteve nën ligjore të ligjit prej Drejtorisë së Policisë, prej Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe prej Kryeministrit Edi Rama, por nuk ka asnjë reagim Ministria në vend të zbatoj ligjin me akte nënligjore, zbaton “rregullat” private që përcakton vetë ministri Tahiri, duke dhënë shpërblime, pagesa orësh nate, trajtime të tjera ekonomike sipas dëshirës e jo sipas detyrimit të përcaktuar në këtë ligj. 

Akte shpërfilljeve për aktet nën ligjore të ligjit
Këshilli i Ministrave dhe Ministri i Brendshëm, nuk ka nxjerrë asnjë akt nënligjor, që ka të bëj me përfitimet materiale e financiare të Punonjësve të Policisë se Shtetit duke cenuar drejtpërdrejt interesa të ligjshme që përcaktohen posaçërisht në ligj. Ligji i ri “Për Policinë e Shtetit” nr. 108/2014, ka hyrë në fuqi, sipas fletores zyrtare Nr.137, dt. 01.09.2014, me dt.01.03.2015. Në nenin 143, pika 4, shprehimisht thuhet se për nxjerrjen dhe miratimin e akteve nënligjore: “Ngarkohet Këshilli i Ministrave dhe Ministri të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji brenda 6 muajve nga botimi i ligjit ne fletoren zyrtare.” Po neni 143, pika l e këtij ligji thotë: “Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 61 pika 1, 62, 63 pika 6;• 64 pika 3, 67 pika 2, 68 pika 4,69 pika 3,70 pika 2,71, neni 72 pika 2, 75 pika 1, shkronja c, dhe pika 2, 81 pika 2, etj. Ngarkohet Ministri të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 19 pika 7,27, pika 4 dhe 130 pika 4. Por, Këshilli i Ministrave dhe Ministri i Brendshëm, megjithëse e kanë detyrim Kushtetues, nuk kanë nxjerrë akoma aktet nënligjore, në zbatim të neneve të lartpërmendura, duke ju mohuar. punonjësve të policisë, shumë përfitime financiare, të cilat duhet t’i kishin marrë, për bazë e për zbatim të ligjit, që më 1 mars, të vitit 2015.

Ja disa nga përfitimet që jep ligji për punonjësit e policisë së shtetit
Disa nga këto përfitime janë si më poshtë:
Neni 61: Përcaktimi i funksioneve për gradë (Me ligjin e ri çdo funksioni i caktohet grada koorensponduese.) Tabela koorensponduese për çdo gradë dhe kategorizimi i tyre, përcaktohet me V.K.M. çdo funksioni i caktohet grada koorensponduese. 
Neni 63: Koha e punës dhe e pushimit. Rregullat dhe procedurat e përfitimit të pushimeve dhe të trajtimit financiar të punonjësve të policisë, përcaktohet me VKM
Neni 64: Kujdesi për gratë shtatzëna. (Këshilli i Ministrave cakton sektorët e shërbimeve policore që dëmtojnë shëndetin e nënës dhe të fëmijës, rregullat e veçanta për kushtet e punës për punonjëset e policisë që janë shtatzëna, si dhe rastet kur lejohet puna e natës, për punonjëset e policisë dhe nënat me fëmijë në gji.
Neni 67: Trajtimi financiar gjatë qëndrimit në punë. (Trajtimi me ushqim për punonjësit e policisë, ndihma financiare në masën e një page mujore në rastet e fatkeqësive në familje, ndihmë të menjëhershme financiare në rastet e dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, sipas akteve të vlerësimit të demit.
Neni 68: E drejta për sigurim shëndetësor te veçantë. (Sigurimi i shëndetit për punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit bëhet sipas kontratës të lidhur me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Ky sigurim mbulon shpenzimet për kontrollin parandalues, diagnostikues dhe kurues, të ofruara nga institucionet shëndetësore, brenda dhe jashtë vendit. Procedurat për sigurim shëndetësor të veçantë dhe strukturat e veçanta që perfitojnë, sipas këtij neni, përcaktohen me VKM.)
Neni 69: E drejta për fitim kredije. Punonjësi i policisë përfiton kredi për strehim në masën 3%, për strehim. Kriteret për përfitimin e kredisë për strehim dhe masa e tij përcaktohen me V.K.M.
Neni 70. Kompensimi për strehim. Kur punonjësi i policisë, emërohet, transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda dhe jashtë vendit i paguhet qiraja e banesës, kur nuk i sigurohet ajo. Kriteret dhe masa e përfitimit të pagesës së qirasë për strehim, përcaktohen me V.K.M.
Neni 71: Sigurimi i jetës në rast aksidenti në detyrë ose për shkak të detyrës. Punonjësi i policisë përfiton sigurim jete, sipas rregullave të përcaktuara me VKM. Nga 1 marsi 2015, kemi dy raste të rënies në detyrë të punonjësve të policisë dhe familjaret e tyre nuk kanë përfituar asgjë në bazë të këtij neni për mungese të daljes se vendimit.
Neni 72: Mbrojtja e veçantë. Policia siguron mbrojtje te veçante për punonjësit e policisë, të cilit i kërcënohet jeta, familja dhe prona për shkak të detyrës. Kushtet dhe mënyra e mbrojtjes së veçante për punonjësit e policisë përcaktohet me VKM
Neni 73: Trajtimi financiar pas ndërprerjeve të marrëdhënieve të punës. 
1. Punonjësi i policisë që ndërpret marrëdhëniet e punës me Policinë e Shtetit, përfiton:
a) pagesë kalimtare,
b) pension të parakohshëm suplementar,
c) pension shërbimi,
ç) pension suplementar pleqërie.
Trajtimi financiar për rastet e përcaktuara në këtë nen, bëhet me ligj të veçantë. 
Neni 75: Trajtimi i familjarëve të punonjësve të policisë që humbin jetën për
shkak të detyrës. Kur punonjësi i policisë humb jetën për shkak të detyrës,
pjesëtarët e familjes përfitojnë:
a) ndihmë të menjëhershme financiare, deri ne 10 paga mujore, sipas pagës referuese të muajit të fundit,
b) pension familjar suplementar, në masën 100 për qind të pagës mujore të muajit të
fundit kalendarik të shërbimit, pavarësisht nga periudha e sigurimit. Përfitimet jepen në vlerën 100 për qind të pagës, sa herë që paga sipas së cilës është llogaritur ky përfitim, ndryshon,
c) rimbursim 100 për qind të bursës së studimit në institucionet e arsimit shtetëror
për fëmijët e punonjësve,
ç) banesë falas për bashkëshorten/in dhe fëmijët kur janë të pa strehë sipas procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave,
d) ndihmë financiare në masën e një page mujore sipas pagës referuese, çdo përvjetor vdekjeje,
dh) ceremonia mortore organizohet nga drejtuesi i strukturës dhe shpenzimet paguhen nga buxheti i policisë,
e) punësim me prioritet në përputhje me arsimin, përvojën dhe kriteret e tjera të nevojshme për vendin e punës.
2. Rregullat e procedurat e trajtimit të familjarëve që humbin jetën për shkak të detyrës përcaktohen me VKM.

Neni 81. Bashkëpunimi me të tretët
1. Policia afron shërbime shtesë sipas mundësive që ka kundrejt pagesës për persona juridik, publik ose privat, mbi bazën e kërkesës së tyre.
2. Llojet e shërbimeve dhe tarifat e pagesës përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. (aktivitete kulturore e sportive, koncerte, trajnimet për shoqëritë private të policisë). Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kreu Parë, “Aktet Normative”, në nenin 117 dhe 118 të saj, si dhe në Kreun e Katërt “Avokati i Popullit”, neni 60, i kemi kërkuar, mbështetjen dhe ndërhyrjen edhe të “Avokatit të Popullit”, për sa thuhet më lart. Nga ana jonë është bërë padi në gjykatë ndaj Këshillit të Ministrave, Ministrisë Brendshme, si dhe si person të tretë Kuvendin e Shqipërisë ku kemi kërkuar detyrimin e Këshillit të Ministrave dhe të Ministrisë së Brendshme të nxjerrë aktet normative në zbatim të neneve të lart përmendura, ku ligji i Policisë nr. 108/2014, i cili ka hyrë në fuqi me datë 01.03.2015, dhe neni 143 pika 1, 2 dhe 4, ngarkon Këshillin e Ministrave dhe Ministrin e Brendshëm të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji, brenda 6 muajve nga botimi i ligjit në fletoren zyrtare. Ky ligj është botuar në fletoren zyrtare nr. 137 datë 01.09. 2014. 
Sigal