Ligji i ri për falimentin, çdo kërkesë do t’i nënshtrohet hetimit

451
Sigal

Projektligji
i ri për falimentin është drejt votimit nga Kuvendi. Në kalendarin e punimeve
të Kuvendit është përcaktuar seanca plenare e kësaj jave, me 15 shtator, për
votimin e saj. Projektligji i ri synon t’i japë zgjidhje problematikave të
konstatuara me procesin e falimentit që ka rezultuar një proces i vështirë e i
komplikuar. Por veç përmirësimeve procedurale, nisma e re ligjore vjen si pjesë
e projektit për uljen e nivelit të kredive me probleme. Hartimi e miratimi i
një ligji të ri për falimentin është rekomanduar si pjesë e planit të masave që
duhet të ndërmerren nga pala shqiptare për zgjidhjen e kësaj problematike. Për
këtë arsye votimi i projektligjit është parashikuar të bëhet së bashku me
ndryshimet e tjera ligjore të Kodit Civil që kanë të njëjtin synim.
Projektligji përmban më shumë se 300 nene dhe sjell një serë risish, që nga
thjeshtimi i procedurave e deri të ristrukturimi për bizneset që nuk kanë
aftësi paguese. Projektligji parashikon gjithashtu mënyrën e funksionimit të
gjykatave të falimentit dhe të agjencisë së mbikëqyrjes së falimentit. Veç
ndryshimit të procedurave, projektligji i ri për falimentin parashikon edhe
sanksione të reja për kompanitë apo personat që bëjnë deklarime të rreme. Çdo
kërkesë për shpallje falimenti do t’i nënshtrohet hetimit, ndërsa për rastet
kur konstatohen deklarime të rreme, në rastet kur nuk përbën vepër penale,
penalitetet financiare të parashikuara variojnë nga 50 mijë deri në 200 mijë
lekë.