Ligji i minoriteteve – diskriminues dhe antikombëtar për Gollobordën

1880
-Pasaportat bullgare, blejnë çdo ditë shqiptarët-
Njeriu me dinjitet e personalitet, me ndjesi e virtyte, masakrohet, vritet, pushkatohet, i merret shpirti, kur i mohohet identiteti, gjaku i tij, kombi i tij, toka e tij. Kështu jemi ndjerë ne papritmas me miratimin e ligjit antikombëtar të minoriteteve nga Parlamenti para pak ditësh: Të poshtëruar, të diskriminuar, të skllavëruar. E pse? Nga kush? Nga të paditurit, të papërgjegjshmit ndaj interesave kombëtare. Nga ata dritëshkurtër që i shërbejnë qorrazi politikës së ditës vetëm për hir të karriges. Nga ata që shesin interesat kombëtare para presioneve të diplomacisë së huaj. Nga ata 102 deputetë që ngritën kartonin e miratuan këtë ligj antishqiptar, këtë ligj diskriminues, mohues për disa komunitete pellazge, ilire, arbërore, shqiptare në Shqipëri siç janë gollobordasit apo arumunët. Ne, gollobordasit, pyesim legjitimisht e moralisht se për cilin minoritet bullgar në Shqipëri bëhet fjalë? Është thënë me mijëra herë, por e themi shqip e fort përsëri se: Në Gollobordë nuk ka pasur e nuk ka as minoritet maqedonas dhe as minoritet bullgar; por as në Shqipëri nuk ka minoritete të tilla. Këtë duhet ta dinë bukur fort kushdo qoftë ai; politikan, deputet, ministër, kryeministër, president shqiptar apo evropian qoftë. Vetëm ata që nuk duan ta besojnë këtë flasin për minorite bullgare e maqedonase në Gollobordë e në Shqipëri. Vetëm ata që kanë interesa të tjera materiale, ekonomike, të shiturit. Shkurt “rasputinët” nuk duan ta besojnë këtë të vërtetë të pamohueshme. Sepse kjo është një e vërtetë historike tashmë e ezauruar dhe e pranuar. Cili nga deputetët, politikanët apo diplomatët ka të drejtë morale apo ligjore të nëpërkëmbë dinjitetin e një komuniteti shumë të nderuar e patriot siç është ai i Gollobordës? Cili mund të shtrembërojë si të dëshirojë të vërtetat historike mbi origjinën e gollobordasve, veçse me çështjen e dygjuhësisë? Asnjë nuk ka, as të drejtë morale e as ligjore të thotë të kundërtën e asaj që është: Gollobordasit janë të lashtë, autoktonë e autentikë, janë pellazgë, janë ilirë, janë arbër e janë shqiptarë të kulluar në trojet e veta, janë evropianë para maqedonasve dhe para bullgarëve, madje edhe vetë evropianëve. Asnjë deputet, politikan apo diplomat me gjak e shpirt shqiptari nuk mund të dalë kundër bashkëkombësve të tij shqiptarë, kundër interesave të kombit të tij. Po të ishte ndryshe, bullgarët e serbët nuk do t’i kishin djegur shtëpitë sa herë kanë shkelur si pushtues në Gollobordë; nuk do t’i kishin therur e pushkatuar gollobordasit, nuk do t’i kishin nxjerrë nga barku i nënës foshnjat me bajoneta, nuk do shkretonin fshatra të tëra me masakra. Kujtojmë vetëm masakrën e Qafë-Prevallit më 1915 me 300 fëmijë, gra e burra gollobordas të vrarë e të masakruar nga serbët, pra sllavët, dhe të groposur në një varr të përbashkët, për të shuar rezistencën ndaj pushtimit. Asnjëherë gollobordasit nuk i kanë pritur si miq a vëllezër ushtritë serbe e bullgare, por gjithnjë me pushkë për të mbrojtur trojet e veta. Ata kanë shkuar në luftë kundër serbëve e bullgarëve me flamur shqiptar përpara, bashkë me tetë malet e tjera dibrane. Sepse Gollobordasit festojnë kurdoherë e bëjnë dasma vetëm me flamur shqiptar, kudo që janë në Gollobordë, Elbasan, Durrës, Tiranë. Kështu pra, është turp që t’i quani gollobordasit bullgarë apo maqedonas. Për origjinën e tyre, duhet të flasin e të pyeten gollobordasit, që kanë njerëz të ditur bukur dhe që janë fisnikë të thonë të vërtetën. Por jo të flasin politikanët, deputetët, sipas oreksit. Sepse nuk jemi të huaj në tokën arbërore, o deputetë! Jemi shqiptarë në trojet tona stërgjyshore, në zemër të trojeve etnike ilire-arbërore-shqiptare, që kur njihet historia njerëzore. Ne, gollobordasit jemi shqiptarë, ndihemi mirë që jemi shqiptarë dhe flasim mirë e bukur shqip, më mirë ndoshta se shumë shqiptarë të tjerë. Çuditemi seriozisht se mbi çfarë baze i quajnë gollobordasit maqedonas apo bullgarë? Nuk kanë asnjë bazë historike e asnjë fakt. I vetmi element që lakohet është dygjuhësia. Është e vërtetë që një pjesë e popullsisë së Gollobordës, flasin në familje apo rrugë një sllavishte që s’merret vesh çfarë është: Disa thonë bullgarisht, e disa maqedonisht. As vetë ata që e flasin nuk dinë të të thonë të vërtetën. Sidoqoftë, qenia bilingë, nuk do të thotë aspak, por fare aspak, se origjina e atyre që flasin një lloj dialekti të një të huaji është nga ai vend. Po të merrej në analizë prejardhja e origjinës, dygjuhësia do të ishte elementi i fundit. Nga historikët e fiseve dhe fshatrave që flasin sllavisht në Gollobordë, por edhe nga dëshmitë e shumta të burrave të mençur të kësaj zone, dëshmohet origjina e largët, por edhe e afërt shqiptare e tyre. Po atëherë pse maqedonasit quhen të tillë kur flasin sllavisht? Përse nuk flasin maqedonishten e vjetër? Natyra e shqiptarëve por edhe e gollobordasve, në zemër të Arbërisë, ka qenë e tillë që në lashtësi, si thotë historiani i lashtësisë, Straboni, se: “Fiset pellazge ishin bilingë…”, sepse flitnin latinisht dhe shqip. Po të ishte se vetëm gjuha e rrugës që flitet përcakton kombësinë, çfarë janë maqedonasit apo të tjerët që flasin zhargone të gjuhës sllave? Edhe ata bullgarë janë? Shqip kanë folur edhe filozofë e historianë të lashtë grekë, dhe ne do të mund t’i quajmë shqiptarë? Populli i Gollobordës shquhet për dëshirën për kulturën dhe gjuhën shqipe. Është fakt që në Gollobordë kurrë nuk ka pasur shkolla sllave, as serbe, as maqedone, as bullgare. A e dini se fill pas mbylljes së mejtepeve turke në Krahinë, në kushtet e inekzistencës së ndonjë qeverie shqiptare, me vetë iniciativën dhe dëshirën e popullsisë së fshatrave janë ngritur shkollat e para shqipe në Krahinë? A e dini se shkolla e parë zyrtare shqipe u hap në fshatin Trebisht të Gollobordës më 14 mars 1914, që rezulton shkolla e parë shqipe zyrtare në gjithë trevën e Dibrës? Për mos me thënë se të parat shkolla shqipe në Gollobordë janë hapur që në vitin 1880. Çdo minoritet etnik, që të quhet i tillë, duhet të ketë edhe territorin e vet. Atëherë, jo 102 deputetë “analfabetë” të parlamentit shqiptar, por cili shkencëtar, cili historian i vërtetë mund të prononcohet, se territori ku banon minoriteti i sajuar bullgar nuk i përket trojeve shqiptare, madje territorit të shtetit politik të sotëm shqiptar, por i përket Bullgarisë, megjithëse ndodhet në qendër të trojeve shqiptare?! Asnjë. Asnjë, sepse shkencërisht minoriteti etnik është vazhdim i popullsisë etnike maxhoritare përtej kufijve politikë të shteteve. Është e panevojshme të argumentojmë thellë e shkencërisht, përse nuk ka as minoritet maqedonas e as minoritet bullgar në Gollobordë e as në Shqipëri. Sepse vërtet nuk ka pasur e nuk ka asnjë maqedonas dhe asnjë bullgar në Gollobordë. Popullsia e Gollobordës është 99,99% shqiptare, në trojet e veta. Këtë e dimë mirë ne, që jemi gollobordas, që shkuam fshat më fshat këtë verë të vitit 2017 dhe nuk gjetëm asnjë të thoshte se jam maqedonas apo bullgar. Madje asnjë nuk tha që më kanë mohuar kombësinë apo dua të ndërroj kombësinë. Pothuaj si një zë të gjithë të thonë: jemi e ndjehemi shumë mirë që jemi shqiptarë, pavarësisht se shteti aktual i ka braktisur, i ka lënë si në Mesjetë. Sa për ilustrim të së vërtetës, është kryer një anketë e pavarur, asnjanëse për qëllime shkencore. Rasti e do që të japim rezultatet e deritanishme të kësaj ankete mes gollobordasve të 18 fshatrave të saj, të datëlindjes 1931-2000, prej të cilëve 76% me arsimim 7-9 vjeçar e të mesëm, me besim fetar 98.3% mysliman dhe 1,7% ateist: 
Të anketuarit deklarojnë 100% se nuk dinë e as kanë dëgjuar se u është mohuar ndonjëherë kombësia. Sepse çdo familje gollobordase e di mirë origjinën e saj, i njeh mirë të parët e tij, stërgjyshërit. Ata të thonë me gojën plotë: “…ne jemi shqiptarë të pastër, të ardhur nga Macukulli i Matit dhe nga zona të tjera shqiptare…”. Duke e njohur mirë popullsinë e zonës së Gollobordës, ju themi me bindje të plotë se, asnjë gollobordas nuk mund të dalë e të thotë se i ka gjyshërit apo stërgjyshërit nga ky apo ai fshat i Maqedonisë apo Bullgarisë. Dhe po të jetë e vërtetë se ka, ne do ta pranojmë dhe respektojmë përsëri si vëlla. Por vëllai ynë i nënës, kushëriri im i parë, i dytë, i tretë, me një gjak e të përkundur në të njëjtin djep, nuk mund të na thotë kurrsesi se është bullgar apo maqedonas. Jo më pastaj të flitet për pakicë apo minoritet. Këto janë faktet, të nderuar diplomatë, deputetë, ministra a çfarë jeni, sepse historianët e vërtetë e seriozë që nga lashtësia, mesjeta apo edhe sot e kanë thënë fjalën e tyre për popullsinë e kësaj krahine patriotike. Këtë të vërtetë e dinë shumë mirë dhe e pranojnë të gjithë, edhe ata shqiptarë që kanë pranuar t’i marrin pasaportat bullgare, me falsifikime e me para, dollarë apo euro, vetëm e vetëm për interesa ekonomike, për të lëvizur në territorin e BE për të punuar apo për t’i arsimuar fëmijët e tyre me pasaportën e një të huaji. Kjo është e vërtetë si drita e diellit, doni apo nuk doni ta pranoni. Këtë ua deklarojmë hapur, sepse nuk bëjnë keq kur fitojnë kulturë, para e rrisin mirëqenien e familjeve të tyre duke shfrytëzuar pasaportën bullgare apo greke. Por ta dini mirë se nuk është asnjëri bullgar. Nuk janë bullgarë, por shqiptarë të pastër. Sepse ashtu i ka lindur nëna dhe i ka përkundur në djepin shqiptar. Përndryshe nënat gollobordase nuk do t’u këndonin trojeve shqiptare në çdo dasmë: rosa rosit v’arbanoshka zemja, (shi bie në trojet arbërore). Përndryshe, burrat gollobordas nuk do të mbajnë kësulën e bardhë mbi krye në shenjë krenarie për origjinën e tyre arbërore dhe nuk do hidhnin vallet e bukura të shqiponjave, në dallim nga vallet këmbëpërplasëse të sllavëve. Ligji që mohon të vërtetën është amoral, antishkencor. Ai që mohon kombësinë e vërtetë dhe diskriminon një popullsi të nderuar është antikombëtar. Gollobordën e 12 heronjve të punës, e 90 dëshmorëve të lirisë, e Hazis Lilës, e Hoxhë Moglicës, Elez Koçit, e Qemal Stafës, e Qemal Ataturkut dhe e qindra burrave dhe patriotëve të vërtetë nuk mund ta çkombëtarizojë askush. E atyre që ndërtuan uzinat, metalurgjikun, Pallatin e Kulturës në zemër të Tiranës; që ndërtuan obeliskun në Austri në nderim të të rënëve shqiptarë për lirinë e vatanit të tyre. Gollobordën që asgjë mbi tokë e nën tokë nuk ka bullgare apo maqedonase, por që ka qenë kala për Skënderbeun dhe mburoja e parë e trojeve arbërore ndaj armiqve. Sa herë gollobordasit janë përzënë nga trojet e veta, janë kthyer përsëri dhe mbi gërmadhat që kanë lënë ushtritë armike serbe apo bullgare kanë ringritur jetën, sepse kanë vatanin e tyre, kanë gjakun e vëllezërve dhe motrave të tyre, kanë eshtrat e të parëve të tyre.

Turp për ju, deputetët që votuat ligjin për minoritetet, në emër të projektit të BE-së, duke shkelur mbi origjinën e vërtetë shqiptare të këtij populli të urtë e heroik. Atë që e ka ndërtuar Shqipërinë dhe e ka nderuar atë kudo e kurdoherë. Turp që shkelni mbi interesat kombëtare. Bullgarët nuk e kanë pasur mundësinë të fitonin statusin e minoritetit as në vitet e para të Shtetit Shqiptar, as në kohën e dobësisë më të madhe të tij vitet 1920-1930, e as në vitet e para të pluralizmit në Shqipëri. Bullgaria nuk e ka nënshtruar as me ushtri, as me zjarr popullsinë gollobordase në vitet 1914-1916. Jo më tani me një telefonatë nga kryeministri bullgar. Turp e mynxyrë! Për çudi arrijnë të kërcënojnë e të manipulojnë tani, kur pritet të marrë presidencën e BE-së. Bullgaria duhet ta ketë për nder që të përkrahë Shqipërinë për në BE, sepse shqiptarët janë dhe e meritojnë të jenë në Evropë. Sepse i kemi dhënë emrin asaj, mbesës së ilirëve, të bijës së Agenorit, Evropës së bukur që e rrëmbeu Zeusi. Ndaj edhe e kemi mbrojtur me shpatë nga ata që donin ta zhduknin. Sepse vetë projekti evropian nuk mund të mbështetet në falsifikime e gënjeshtra, se ndryshe do shembej një ditë. 

Origjina shqiptare e gollobordasve apo arumunëve, identiteti i tyre nuk mund të bëhet kurban për të fituar Shqipëria një të drejtë për në BE. Sepse, nëse nuk do e fitojmë tani, do ta fitojmë pak më vonë dhe kjo nuk varet, as nga Bullgaria dhe as nga Greqia, por vetëm nga puna e kultura jonë si shqiptarë. Po të jemi ne të fortë e të zhvilluar ata do na duan më shumë, se sa të jemi ne të përçarë. Përçarja jonë ka qenë strategji e vjetër e armiqve tanë dhe u shërben vetëm atyre. Ndaj mos u shërbeni interesave e strategjike armiqësore kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. E themi me keqardhje, që vetëm shqiptarët duan t’i pakësojnë Shqipërinë dhe shqiptarët; të gjithë të tjerët duan ta shtojnë vendin dhe kombësinë e tyre. Sa keq! Ndaj mos i vrisni përsëri gollobordasit patriotë e të nderuar, siç i ka vrarë dikur serbi e bullgari, të paktën ju që keni një gjak e origjinë me ne. Se historia do t’u gjykojë!

Mos e vrisni ndërgjegjen kombëtare të gollobordasve. Mos kërkoni t’i shkombëtarizoni Gollobordasit, se i pushkatoni siç e pushkatoi ushtria serbe priftin ortodoks të fshatit David Duti vetëm se tha, që jam shqiptar. Siç pushkatuan Hoxhë Moglicën për atdhetarizmin e tij dhe për të shuar përhapjen e shkollave dhe gjuhës shqipe në krahinën tonë. Siç pushkatuan forcat bullgare Elez Koçin dhe Qazim Dukën nga Ostreni i Madh, pasi më 4 mars 1916 ngritën flamurin shqiptar dhe shpallën formimin e krahinarisë shqiptare të Gollobordës, kundër marrëveshjes së fshehtë të Bullgarisë me Austro-Hungarinë më 6 shtator 1915 për shtrirjen e kufirit perëndimor të Bullgarisë nga Mali Sharr dhe që do vazhdonte sipas Traktatit të Shën Stefanit, për të cilën kryeministri bullgar Vasil Radoslavov solli ushtrinë e tij më 6 dhjetor 1915 në Dibër. Për mposhtjen e kësaj rezistence të popullsisë Gollobordase forcat ushtarake bullgare kanë ushtruar forcën e armëve, duke arrestuar, torturuar, internuar dhe pushkatuar apo therur shumë gollobordas, madje edhe në pragun e derës së shtëpisë së tyre, siç ka qenë rasti i një burri nga fisi Duka në Ostren. Kanë djegur e shkatërruar shtëpitë e gollobordasve, se ishin shqiptarë. Prandaj, kryeministri i tanishëm bullgar thotë: Pas 104 vjetësh fituam në Shqipëri. 

Jo zoti kryeministër! Gaboheni rëndë, siç gaboi homologu juaj më 1915. Në Gollobordë nuk mund të fitojë askush kur shkel mbi gjakun dhe identitetin e kësaj popullsie. Golloborda është një kala që nuk mposhtet as me topa e mortaja, e jo me telefonata. Shpirti arbëror i popullsisë gollobordase nuk është shitur as në ditët më të vështira, në asnjë furtunë të historisë së tij. Shpirti atdhetar i saj nuk shitet kurrë për pasaporta e as për projekt të BE. Këtë duhet ta dinë mirë politikanët, diplomatët dhe deputetët shqiptarë. Koha do të flasë. 

Besojmë se Presidenti i Republikës do të arrijë të dallojë qartë se ligji i minoriteteve minon unitetin kombëtar, dëmton interesat tona kombëtare. Dhe kjo përbën akt tradhtar, me apo pa pahir. Ndaj duhet edhe një herë të tregohet maturi e vlerësim kombëtar, duke mos e dekretuar këtë ligj antikushtetues, antikombëtar, deri sa të mos cenojë interesat kombëtare, e të mos diskriminojë gollobordasit, arumunët apo ndonjë tjetër. 
“Besojmë se Presidenti i Republikës do të arrijë të dallojë qartë, se ligji i minoriteteve minon unitetin kombëtar, dëmton interesat tona kombëtare. Dhe kjo përbën akt tradhtar, me apo pa pahir. Ndaj duhet edhe një herë të tregohet maturi e vlerësim kombëtar, duke mos e dekretuar këtë ligj antikushtetues, antikombëtar, deri sa të mos cenojë interesat kombëtare, e të mos diskriminojë gollobordasit, arumunët apo ndonjë komunitet tjetër.” 

Ramazan Hoxha-Historian
Kadri Dauti-Historian
Arif Shutina 
Sigal