Ligji i mbetjeve i bllokuar, firma e falimentuar “Kurum” importon 300 mijë ton skrap në vit nga Serbia

1460
Kufiri shqiptar “han pa porta” për kontrabandën e skrapit, shteti bën sikur nuk shikon trajlerat e ngarkuar dhe blozën që del nga oxhaqet e shkrirjes në Elbasan
Përparim HALILI
Faktet tregojnë, se po zbatohet pa asnjë kontroll dhe pa asnjë ndalesë, projekt-ligji i ri, i pa miratuar i importit plehrave, të cilave shtetarët e sotëm, po ua zbukurojnë termin real duke i quajtur “mbetje urbane”, me qëllimin djallëzor për të për të na bindur, se ato nuk janë plehra e se gjoja nuk kanë asnjë rrezik! Nëse nuk janë plehra kancerogjene, nëse nuk kanë rrezik e nëse janë burim vendesh pune, përse nuk i përpunojnë vetë vendet e BE që i prodhojnë këto plehra, por duan t’i importojnë edhe me dhunë e afera korruptive ndër-shtetarësh në “kosha” si Shqipëria, ku jeta e njeriut konsiderohet dhe trajtohet si “mbetje sociale”?! Burime të “Telegraf”, na informuan dje, se megjithëse ligji i importit të mbetjeve nuk është miratuar, në Shqipëri vazhdojnë të importohen dhe përpunohen masivisht e lirisht, plehra nën termin “mbetje urbane”, me pasoja kancerogjene për jetën e njeriut, për ushqimin, ujin, bimësinë, mjedisin, ajrin. Paçka se ligji për importin e mbetjeve (plehrave) është bllokuar me mos-votim të hapur në parlament prej deputetëve të LSI, firma që siç duket ka “rilindur” pazaret e vjetra të hekurit me krerët e vjetër e të rinj pushtetit të PS, po vazhdon të importoj qetësisht plehra (mbetje) hekuri, duke i seleksionuar dhe shkrirë ato në Elbasan. Këtë import plehrash hekuri të quajtura “skrap”, po e kryen lirshëm kompania turke “Kurum”. Ajo sjell mbetje metalesh të çdo lloji nga Serbia e nëpërmjet saj nga disa vende të BE. madje nëpërmjet trafikantëve grumbullon e sjell në vendin tonë edhe mbetje metalesh të armatimeve radioaktive nga vendet e përfshira në konflikte të armatosur! Me letra importi, rezulton se kompania turke “Kurum” fut në Shqipëri vetëm 300 mijë ton skrap në vit, siç ia ligjëron një “Vendim i posaçëm” e klientelist i Këshillit të Ministrave, (mos u çuditni) të miratuar vetëm për firmën “Kurum” dhe që njihet si VKM Nr. 1078, datë 29.12.2010. Kjo VKM me të cilën firma “Kurum” po mbush Shqipërinë me mbetje metalesh edhe radioaktive e kancerogjene, rezulton se është shfuqizuar në kuadër të hartimit të Projekt-Ligjit të vitit 2015 “Për importin e mbetjeve të ngurta”, i cili nuk është miratuar as vetë! Duke përdorur këtë vendim qeverie “personal” të para 7 viteve, firma “Kurum” e cila shpalli vetë-falimentimin para 1 viti, jo vetëm po vazhdon të punoj në Elbasan, por edhe po importon plehra të ngurta, në rastin konkret skrap, ku futen mbetje metalesh të ndryshme edhe jashtë llojeve që ka përcaktuar VKM-ja Nr. 1078, datë 29. 12. 2010 me objekt: “Autorizimin e “Kurum International”, për importin e mbetjeve metalike të hekurit dhe çelikut për qëllime riciklimi”, publikuar në “Fletore Zyrtare” Nr. 179, muaji dhjetor 2010, faqe 10066, ndryshuar me VKM Nr. 187, datë 09. 03. 2011, të publikuar në “Fletore Zyrtare” Nr 23, datë 23. 03. 2011, në faqen 848. Ky skandal edhe nëse tentohet të mbahet i fshehur, apo tentohet të mohohet nga qeveria shqiptare dhe institucionet e shërbimeve që kanë në administrim “portat” e kufirit dhe “trarët” e doganës, duket nga oxhakët e furrave të shkrirjes së aktivitetit prodhues të firmës “Kurum” në Elbasan. Këto mijëra tonelata skrap që fut në Shqipëri, firma “Kurum” i kthen në prodhim hekuri e çeliqesh, megjithëse ajo është e falimentuar edhe ligjërisht me vendim gjykate dhe nuk duhet të ushtrojë aktivitet! Mirëpo jo vetëm po lejohet të grumbulloj ilegalisht e pa licencë mbetje metalesh brenda vendit, por po lejohet edhe të importoj 800 mijë ton skrap në vit pa letra ligjore e me letra doganore dhe 2-3 herë më tepër sasi kontrabandë! Kujtojmë që dy vite më parë, “Kurum” u kap në flagrancë në Durrës, duke futur kontrabandë 2 anije në gjendje skrapi për shkrirje në Shqipëri, shoqëruar me letra importi false të anijeve dhe të marinarëve që i sollën, të cilat thuhet se iu sekuestruan nga Shteti Shqiptar, por që edhe thuhet, se kjo “çudi” zgjati vetëm 3 ditë, mbasi ato u lejuan të përfundonin në furrat e shkrirjes së “Kurum” në Elbasan. Çfarë po ndodh me kontrabandën e skrapit që bëhet prej “Kurum”? Çfarë “letrash” zyrtare, po përdoren? 
Po shfrytëzohet VKM Nr. 1078, datë 29. 12. 2010, “përforcuar” me VKM Nr. 187, datë 09. 03. 2011, sipas të cilës firma “Kurum”, kishte autorizim të importonte mbetjeve metalike të hekurit dhe çelikut në Shqipëri, me kodet “GA 720410, 720429, 720430, 720441, 720449” dhe “B1-B1010” të Konventës së Bazelit, sipas anekseve 1 e 2 për “Mbetjet e listës së gjelbër”. Këtë vendim, firma “Kurum” po vazhdon ta shfrytëzoj në mirëkuptim të heshtur me shtetin shqiptar i cili deklaron se në Shqipëri nuk po futen mbetje të rrezikshme për riciklim, por duke u lejuar të futen realisht nëpërmjet firmës “Kurum” e cila po kryen 3 shkelje ligjore: 
1. Po importon mbetje mbetje metalesh pa asnjë kontroll, në kushtet e ligjit të bllokuar e të pa miratuar për import mbetjesh. 
2. Po shkrin mbetje metalesh (skrap) të importuar e të mbledhur në Shqipëri pa leje, kur është në gjendje falimenti të plotë, të vetë-shpallur e të shpallur ligjërisht dhe me aktivitet të bllokuar ligjërisht! 
3. Po hedh në mjedis të hapur (në luginën dhe rrjedhën e lumit Shkumbin) mbetje fizike plastike e metalesh të seleksionuara prej skrapit dhe mbetje të mbetura pas shkrirjes së skrapit nga procesi teknologjik i prodhimit të hekurit e çeliqeve! 
———————— 
Kush e lejon këtë kontrabandë?
Për çdo sasi importi, “Kurum” detyrohet të dorëzoj këto 5 dokumente ligjore
1. Duhet të provojë me dokumente shkresore ndërkombëtare (burimi blerjes dhe vendet e kalimit transit), se ka importuar vetëm 300 000 (treqind mijë) ton mbetjeve metalike në vit.
2. Mbetjet që importohen nga vende të BE apo shtete anëtare të Konventës së Bazelit, duhet të shoqërohen me çdo dokument rregulli transportimi, ligjor, sasior e analitik ndërkombëtar të tyre! 
3. Për çdo import (transfertë) ndërkufitare të mbetjeve, detyrohet të dorëzoj në Ministrinë e Mjedisit, dokumentin e lëvizjes/transfertës ndërkufitare të mbetjeve, sipas formatit të dhënë në aneksin IV të VKM Nr. 825, datë 13.10.2010 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi.
4. Çdo import (transfertë) mbetjesh, duhet të jetë e pajisur me raport-analizë edhe në kufirin shqiptar, të kryer për nivelin e radioaktivitetit.
5. Ngarkesat e mbetjeve të importuara të jenë të veçuara sipas llojeve dhe përcaktimeve të Raport ndër-doganor e ndër-kufitar në pikat hyrje-daljes, që provojnë se skrapi i importuar nuk ka në përbërje të tij mbetje ose pjesë armatimesh, predhash e municionesh luftarake.
—————————————————-
Data 28 Shtator 2013, Porti i Durrësit/Policia bllokon anijen skrap, të futur kontrabandë nga “Kurum”
Policia e Durrësit, ka arrestuar në flagrancë pronarin e anijes “Tabakosky” dhe kapitenin e rimorkiatorit që ka futur anijen në port pa leje. Sipas policisë, të ndaluar janë, Eduard Kulla, 47 vjeç, banues në Durrës, pronari i anijes “Tabakosky” dhe Emiljano Gjepali, 34 vjeç, banues në Durrës, kapiten i rimorkiatorit “Aleks 1”, që ka ankoruar anijen “Tabakosky” në Portin e Durrësit. Këta persona akuzohen për kryerjen e veprës penale “kontrabandë me mallra të tjera”. Anija “Tabakosky” është ankoruar rreth orës 12:00 të ditës së djeshme në Portin e Durrësit, duke përdorur ndihmën e rimorkiatorit “Aleks 1”, pasi Autoriteti Portual nuk i kishte miratuar hyrjen në port. Ndërkohë, nga hetimet e kryera nga strukturat e krimit ekonomik e financiar të Policisë së Durrësit ka rezultuar se për këtë anije nuk janë kryer proceduarat e zhdoganimit. Kjo anije ka mbërritur në Durrës nga Mali i Zi, me qëllim për tu shitur për skrap. Dy anijet ishin futur në port pa leje dhe pa asnjë dokument për t’u kryer pikërisht aty, shkatërrimi i tyre, në Metalurgjikun e Elbasanit.
———————————————
Vendim, Gjykata e Elbasanit, data 20 Korrik 2017: Burg zyrtarëve të “Kurum”, për mashtrimim me rimbursimin e skrapit
Gjykata e Elbasanit ka caktuar pasditen e së mërkurës masën e sigurisë “arrest me burg” për dy ish-drejtues të lartë të kompanisë “Kurum International”. Masa është caktuar me kërkesë të prokurorisë së rrethit, e cila akuzon ish-drejtuesit Koray Zeytinoglu dhe Yucel Aksu se kanë ngritur një skemë mashtrimi me rimbursimin e TVSH-së, duke i shkaktuar një dëm prej 1.5 milion dollarë buxhetit të shtetit shqiptar. Gjithashtu, sërish me kërkesë të organit të akuzës, gjykata ka vendosur sekuestron e llogarive bankare “Kurum”.
Konkretisht, Zeytinoglu, ish-administrator i kompanisë dhe Aksu, drejtor i Seksionit të Skrapit dyshohen se përmes faturave fiktive kanë deklaruar një aktivitet shit-blerjeje në vitin 2011, me disa kompani të tjera të regjistruara në Laç.
Por nga hetimet e kryera prokuroria ka ngritur dyshime të arsyeshme mbi paligjshmërinë e këtij aktiviteti dhe kërkesat e saj janë pranuar nga gjykata. Mësohet se deri tani është arrestuar Zeytinoglu, ndërsa Aksu është shpallur në kërkim.


Dokument i Doganes së Kosovës, qe ka kapur kontrabanden e hekurit te Kurum


Sigal