“Ligjet”, Balla: Çefa e Lelçaj kanë shkelur ligjin, duhen shkarkuar!

527
Sigal

TIRANË – Komisioni i Ligjeve është mbledhur ditën e sotme rreth orës 17:00 ku në rendin e ditës është parashikuar diskutimi lidhur me kërkesën për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefën dhe Lulzim Lelçajn.

Pas një vonese prej rreth 30 minutash me vonesë, që të dy anëtarët e KLD, janë paraqitur në mbledhjen e Komisionit ku pritet të raportojnë lidhur me kërkesën e bërë për shkarkimin e tyre.

Anëtari i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist Taulant Balla theksoi se shkeljet e konstatuara nga ana e deputetëve të mazhorancës, i detyrojnë të kërkojnë shkarkimin e Çefës dhe Lelçajt. Duke folur në emër të deputëtevë të mazhorancësm, Balla shprehu bindjen se anëtarët e KLD me veprimin apo mosveprimin e tyre kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin.

“Vijmë këtu për të parashtruar ngritjen e Komisionit Hetimor. Shkeljet e 2 anëtarëve na detyrojnë neve të parashtrojmë këtë kërkesë. Ne jemi të bindur se në ushtrimin e detyrave tyre me veprimin apo mosveprimet e tyre kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin. Kërkesa për shkarkim të anëtarve të zgjedhur nga Kuvendi vjen në bazë të 10 pikave me shkeljet, dhe na jep të drejtën të kërkojmë shkarkimin e anëtarëve.”
 
Nga ana tjetër, relatori i çështjes Ulsi Manja gjatë diskutimeve theksoi se Komisioni Hetimor do të ngrihet pas miratimit të raportit në fjalë, si dhe paraqitjes së tij në Kuvend.

“Eventualisht komisioni hetimor do të ngrihet pas miratimit të raportit, që kjo mbledhje do t’i paraqesë Kuvendit.” tha Manja

Ndërkohë, në nisjen e këtij Komisioni, kreu i tij Fatmir Xhafaj, theksoi se ky komision nuk ka funksion hetimor por procedural, ndërsa shtoi se ai është një vendim i Kuvendit që vjen pas propozimit të këtij Komisioni.

“Dua të qartësoj se Komisioni nuk ka funksion hetimor por funksion procedural, dhe është Kuvendi ai që vendos nëse do ngrihet një Komision Hetimor. Ne thjesht mund të propozojmë.” tha Xhafaj

39 deputetë të mazhorancës kanë propozuar shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj ku në një raport të përgatitur prej tyre janë renditur 10 shkelje, që sipas deputetëve të majtë janë konstatuar në punën e bërë prej anëtarëve të KLD.


Shkarkimi i anëtarëve të KLD, sot Çefa e Lelçaj para Kuvendit
Komisioni i Ligjeve ka kërkuar që dy anëtarët e KLD-së, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, të jenë sot të pranishëm në mbledhjen që do të zhvillohet në orën 16:30 për të diskutuar kërkesën e shkarkimit të tyre. 39 deputetët e mazhorancës kanë argumentuar propozimin për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj duke renditur 10 shkelje. Burime nga Kryesia e Kuvendit pohuan për gazetën “Shqiptarja.com” se Komisioni i është drejtuar dy anëtarëve nëpërmjet një shkrese zyrtare në mënyrë që ata të jenë të pranishëm në mbledhje. Po këto burime bëjnë me dije se nga ana e Çefës dhe Lelçajt nuk ka vajtuar asnjë përgjigje.

Por Këshilli i Lartë i Drejtësisë thekson se do t’i përgjigjet ftesës së Komisionit të Ligjeve nëse zbatohen kushtet që ata kërkojnë. Burime nga KLD pohuan dje për gazetën “Shqiptarja.com” se nënkryetari Elvis Çefa do të shkojë në mbledhje nëse atij i jepet e drejta për tu shprehur në mbledhje duke kërkuar rrjedhimisht që të jetë pjesë e tryezës së Komisionit të Ligjeve. Lidhur me këtë kërkesë, Kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj nuk ka vendosur ende dhe pritet që sot të merret vendimi përfundimtar nëse mbledhja me dy anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të zhvillohet ose jo.

Përplasja
Pak ditë më parë, 39 deputetë të mazhorancës kanë firmosur një kërkesë që thekson se dy anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të shkarkohen. Peticioni i tyre kishte të bënte me Elvis Çefën dhe Lulzim Lelçajn, dy anëtarë e KLD-së që janë zgjedhur nga parlamenti. Lidhur me këtë kërkesë, vetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ditën e shtunë zhvilloi një mbledhje prej dy orësh ku vendosi për të refuzuar ngritjen e një komisioni i cili do të merrte nën administrim shkeljet e konstatuara nga deputetët e mazhorancës. Kësisoj, ngërçi ndërmjet KLD-së dhe Kuvendit duket se është krijuar pasi në mbledhjen e së shtunës, Bujar Nishani në cilësinë e kreut të KLD-së theksoi se ndaj këtij institucioni po bëhen akuza të pa baza.

Për rrjedhojë, pritet që nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj të refuzojnë ftesat për tu bashkuar në mbledhjet e komisionit duke ngritur pretendimet e tyre lidhur me mënyrën se si duhet të zhvillohen diskutimet. Krahas kësaj, vetë KLD ka marrë masat ndaj Kuvendit. Pak ditë më parë Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese ligjin për KLD-në i miratuar me votat e mazhorancës. Kësisoj përplasja e krijuar ndërmjet palëve pritet që të zgjidhet nga vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese i cili mund të legjitimojë nismën e mazhorancës për shkarkimin e dy anëtarëve ose do të bllokojë nismën e ndërmarrë.

Naço: KLD duhet të emëronte Ina Ramën
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka thekuar në qëndrimet e tij publike se një nga shkeljet e KLD-së ka qenë edhe çështja e emërimit të Ina Ramës. Sipas Naços, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është i detyruar që ish-kryeprokurores t’i gjente një punë si prokurore ose një post të barabartë me të në gjykatë. Krahas kësaj, Naço ka theksuar më parë gjatë prononcimeve të tij për mediet se shkelja tjetër ka qenë mos emërimi i studentëve të Shkollës së Magjistraturës në Gjykatat e vendit pasi ata kishin përfunduar studimet. Sipas tij, për 2 vite këta student nuk janë emëruar në postet përkatëse në gjykatat e vendit dhe për rrjedhojë janë shkelur edhe nenet e ligjit për KLD. Lidhur me këto shkelje, Ministri Naço ka pohuar se do të nis nga puna për të miratuar paketën e reformën në drejtësi.

Komision Hetimor për shkarkimin e 2 anëtarëve
Rregullorja e parlamentit në nenin 114 të saj parashikon se për shkarkimin e anëtarëve të institucioneve kushtetuese duhet të ngrihet një komision hetimor nga parlamentit. Sipas kësaj, Komisioni i Ligjeve duhet të përgatis një raport i cili duhet të përmbyllet nëpërmjet një kërkesë për të ngritur një komision hetimor. Kjo kërkesë duhet të shkojë për votim në seancë plenare ku duhet të votohet pro dhe më pas të nis nga puna për të konstatuar shkeljet. Raporti i Komisionit Hetimor duhet të ketë të sanksionuar kërkesën për shkarkimin e anëtarëve të KLD-së si edhe të renditen shkeljet e gjetura dhe më pas shkon sërish në seancë plenare dhe duhet të votohet sërish pro. Me ligjin e vjetër, vetëm Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të shkarkonte anëtarët e saj dhe jo Kuvendi duke krijuar nj ngurr ligjorë si me çështjen e Bankës së Shqipërisë.