Librazhd, në minierat e rihapura punohet në kushte skandaloze

158

Inxhinier Rexhep Kukli: “Instancat duhet të marrin masa të menjëhershme për këto galeri pasi janë jashtë çdo parametri”

Rrethi i Librazhdit është një nga rrethet me miniera të shumta, disa prej tyre janë në aktivitet edhe sot e kësaj dite, ndërsa disa janë të mbyllura, por edhe disa janë të hapura për t’u vjedhur nga njerëz të ndryshëm materialet për skrap si tuba, tela, shina etj.. Madje, ka edhe nga ato ish- miniera që janë riaktivizuar nga shumë subjekte private, të cilat pa kushte minimale sigurie për jetën kanë filluar të marrin mineralin e kromit për shitje. Sipas specialistëve të minierave, minierat e mbyllura për gati 20 vjet janë dhe burim aksidentesh, pasi nga koha e qëndrimit pa punë, pa investime dhe kalbëzimi i druve  që kanë shërbyer për armature, prishja e kompresorëve janë shumë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse për njerëzit, të cilët punojnë në këto miniera. Çlirimi i lëndëve helmuese si dioksid karboni, gaz metani lëndë radioaktive, squfur etj., pa përmendur këtu dhe shumë fronte të mbyllura, të cilat rrëshqasin në çdo moment dhe mundet të mbetesh brenda dhe të humbasësh jetën në këto miniera skandaloze, ku as kush nuk kujtohet për të ushtruar ndonjë kontroll ashtu si ligji e ka të shkruar.

Galeritë e pa mbyllura mirë

Madje, shumë galeri janë të pambyllura mirë, nuk janë zbatuar parametrat e mbylljes siç përcaktohet nga ligji dhe rregullorja e përcaktuar nga specialistët minerarë. Mbyllja e tyre është bërë thjeshtë me disa hekura ose materiale të ndryshme, të cilat janë shumë të lehta për t’u hapur nga njerëz që futen pa ditur se çfarë mundet të ndodhi brenda. Sipas specialistëve në Përrenjas në nivelin 590, i cili ka një thellësi prej 200 metrash, pus, është i përmbytur me ujë dhe është pothuajse në të njëjtin nivel me qytetin, ku njerëzit nuk e dinë dhe futen për të vjedhur material si: shina, hekura të ndryshëm, tuba, kavo etj., ata aty mundin dhe të humbasin jetën. Po kështu duhet të mbyllen grykat e galerive në nivelet  590, 875, 702 dhe 750 nga ana e Pishkashit mbasi është burim aksidentesh. Ndërkohë që, duhet të mbyllet traverbanku i Bushtricës që duhet të mbyllet në nivelin 485, niveli 725 Xixellës,  Mënik, Pishkash, Frarë të Çotës, Përroi i Govatave në Rrajcë etj..

Punohet pa parametra

Pra, janë një numër i madh minierash hekuri dhe kromi, të cilat nuk janë në parametrat e duhura dhe vazhdojnë të punojnë në qejfin e tyre edhe pse në këtë ka patur raste që kanë mbetur në galeri të vdekur dhe nuk është marrë asnjë masë për këto miniera dhe personat që i administrojnë këto. Sipas specialistit të ish-minierave Rexhep Kukli inxhinier, bëhet e ditur për gazetën “Telegraf” se, situata është alarmante dhe duhet të shikohet dhe nga specialistët që paguhen për këtë punë. Gjithashtu Kukli thotë se, instancat përkatëse duhet të marrin masa të menjëhershme për këto miniera pasi janë jashtë çdo parametri të përcaktuar në ligj dhe kushtet janë tepër skandaloze pasi dhe jeta e shumë njerëzve që punojnë në to është në rrezik çdo ditë e më shumë.