Librazhd, mësuesve u hiqet transporti, 1 mijë nxënës pa mësim

596
Sigal

ARSIM/ Kryetari i Komunës së Orenjës, Ndriçim Lila: “Pas mbylljes së kontratës problemi është thelluar”

Mungesa e transportit ka detyruar 40 mësuesit e Komunës së Orenjës që të mos shkojnë dot në vendin e tyre të punës. Shkak është bërë një konflikt i hershëm midis mësuesve të kësaj linje dhe drejtorisë së Zyrës Arsimore në Librazhd. Një shqetësim ky, i ngritur edhe në protestën që u zhvillua në muajin dhjetor të vitit që lamë pas. Kërkesat e mësuesve ishin më se të qarta, por mesa duket përveç fjalës se gjithçka do të zgjidhej asgjë nuk ka ndodhur, madje mund të themi se problemi është bërë aq shumë gangrenë, saqë u reflektua edhe ditën e djeshme, ku drejtoria arsimore bllokoi transportin e tyre për në fshatrat, ku dhe japin mësim. Prej disa vitesh Drejtoria e Zyrës Arsimore në Librazhd ka pas nënshkruar një kontratë me pronarin e një linje autobusi, i cili mundësonte udhëtimin e mësuesve. Për arsye, të cilat nuk bëhen të ditura, kjo kontratë është ndërprerë dhe prej më shumë se dy vjetësh mësuesit udhëtonin me lekët e tyre. Ky ka qenë edhe shkak i nisjes së revoltës së mësuesve, të cilët kanë kërkuar shpërblim dhe vendosjen e linjës për ta.

Gjendja

Kanë qenë rreth 40 mësues që nuk kanë shkuar të japin mësim në këtë komunë, e cila ka në total 458 nxënës, ku së bashku me fshatrat Zdrajsh Qendrën që ka 126 nxënës, Zdrajsh Katund 184 nxënës dhe Funarësi 180 nxënës bëhen rreth 1000 nxënës që nuk kanë munduar të vijojnë procesin mësimor ditën e djeshme. Zyra Arsimore Librazhd vazhdon të bëjë ‘sehirxhiun’ me arsimimin dhe edukimin e nxënësve të kësaj komune, ndoshta dhe për fajin e protestës së bërë para Viti të Ri që kërkuan shpërblimet dhe pagat e mohuara që kjo zyrë arsimore ju ka bërë. Për këtë shqetësim edhe Ministria e Arsimit është e njoftuar së bashku me Kontrollin e Lartë të Shtetit, por realisht asnjë masa nuk është marrë (mësuesit nuk mundet të flasin me emra, sepse u është bërë presion nga pushtetarët drejtues të politikës dhe Zyrës Arsimore). Sipas komunikimit me Kryetarin e Komunës së Orenjës, Ndriçim Lila përfaqësues i Partisë Demokratike pranon faktin që nuk është bërë mësim për shkak se nuk është lidhur kontratat e linjës së transportit (për transportimin e mësueseve) më Zyrën Arsimore. Pas mbylljes së kontratës, shoferi i linjës i ka transportuar mësuesit për në shkollat, ku japin mësim me çmim më të ulet sesa është realisht bileta e udhëtimit, kjo gjë është bërë për disa vite, sepse Zyra Arsimore nuk donte të rilidhte kontratën. Zyra Arsimore Librazhd është munduar që këtë rast ta mbajë të fshehtë, por ishin prindërit dhe nxënësit e kësaj komune që ngritën këtë problem. Madje sipas tyre  kërkojnë që kjo odise të marri fund, sepse gjithçka rëndon në shkollimin e fëmijëve të tyre. Ndërkohë, sipas Kryekomunarit Ndriçim Lilës bëhet e ditur se, Zyra Arsimore është në dijeni për këtë problem dhe pritet që sot të mërkurën do të zgjidhet ky shqetësim, i mbartur prej vitesh.