Librazhd/ Më shumë vende pune, hapen 38 biznese të reja

834
Sigal

Në Bashkinë e Librazhdit gjatë tre mujorshit të parë të vitit 2014 janë regjistruar pranë QKR-së së kësaj bashkie 38 biznese të reja. Një shenjë kjo mjaft e mirë për këtë qytet, pasi dihet se qyteti i Librazhdit është një ndër qytetet më të varfra dhe me numrin e papunësisë më të madhe në Shqipëri, dhe hapja e këtyre bizneseve nënkupton punësim për qytetarët. Lajmin e bën të ditur vetë kryetari i Bashkisë së Librazhdit Shefki Çota. Në një prononcim për gazetën “Telegraf” Çota tha se, gjatë tre mujorit të parë të këtij viti pranë QKR-së janë regjistruar 38 biznese të reja dhe kanë filluar aktivitetin e tyre duke u hapur kështu vende të reje pune. “Të paktën vetëpunësohen disa familje, thotë kryebashkiaku, pasi ne vuajmë për vende pune dhe këto biznese që hapen duhet t’i mbështesim”. I pyetur se çfarë janë kryesisht këto biznese kryetari Çota shprehet se janë bar kafe, dyqane ushqimore e të tjera, pra janë biznese të vogla. Ndërsa shprehet më tej se, janë mbyllur vetëm katër prej tyre dhe këto kryesisht, o kanë lëvizur nga qyteti për të jetuar në një qytet tjetër, ose personat që i kishin këto biznese kanë dalë në pension. Ndërsa në të gjithë Bashkinë e Librazhdit figurojnë të regjistruara dhe që ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 390 biznese.