Librazhd, ja zonat që kanë 10 vjet pa ujë të pijshëm

504
Sigal

Prej 10 vjetësh në fshatin Semëz të Librazhdit, Komuna Qendër nuk ka ujë të pijshëm. Fshati Semëz i Komunës Qendër në Librazhd ka që në vitin 2004 që  vuan për ujë të pijshëm dhe vetëm zoti e di se dhe sa vite do të vazhdojnë në këtë situatë. Me fondet e Buxhetit të Shtetit u ndërtua një ujësjellës për t’u ardhur në ndihmë 200 familjeve, por kjo ndihmë banorëve nuk u shkoj asnjëherë. U hartua projekti dhe u çelën fondet për ndërtimin e tij. U akorduan plot 32 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e tij. U ndërtuan pastetat, u shtrinë tubat, por uji asnjëherë nuk vajti, madje as në depon e madhe kryesore dhe as në çezmat e fshatarëve, sepse ato fonde kushedi se ku përfunduan.

Problemet

Fillimisht ishin një grup familjesh që nuk lejuan ujin të shkonte në depo, duke pretenduar se uji është  privat në tokën e tyre dhe për këtë hodhën në gjyq komunën, kurse banorët që ishin pa ujë hodhën në  gjyq pjesën tjetër që kishte bllokuar ujin, por prej gati katër vjetësh gjyqesh, Gjykata e Rrethit Gjyqësore Librazhd dhe ajo e Apelit në Durrës vendosi që fshatarët të marrin ujë dhe të bëhet lidhja e tubave me rrjetin kryesor në depon e madhe.

Vjedhja

Por problem është se ujë nuk ka që nga viti 2004 e deri më sot që nuk shkon nëpër shtëpitë e tyre dhe sipas fshatarëve uji nuk vete në depo, sepse atje ku është bërë depoja nuk ka ujë dhe se projekti është bërë kot, kjo vetëm për të vjedhur paratë e shteti dhe për t’i futur në xhepin e tyre. Disa banorë ja venë fajin firmës projektuese, disa asaj zbatuese, disa komunës, por një gjë e sigurt është se ujë për të pirë për banoret nuk ka.

Banorët

Banorët janë ankuar në të gjitha zyrat, si në komunë, në nën/prefekturë dhe asnjë zgjidhje. Janë ndërruar disa kryetar komune dhe disa deputet dhe për këta banorë nuk është gjetur kurrë asnjë  zgjidhje. Madje, Prefekti i Elbasanit ka thënë me prioritet që të zgjidhet kjo situatë pasi po bën gati 10 vjet dhe këta banorë e duan një zgjidhje, por as zëri i tij nuk është dëgjuar në këtë rast. Madje sipas  vendimit të gjykatës duhej që Zyra e Përmbarimit të ekzekutonte vendimin menjëherë. Sipas Alush Hidës një nga banoret e Semzës bëhet e ditur për gazetën “Telegraf”, se, “kemi shkuar zyrë më zyrë të shtetit dhe asnjë zgjidhje, nuk dimë se çfarë të bëjmë, tani e vetmja gjë që ka mbetur të hidhemi në protestë dhe të shkojmë përpara Kryeministrisë. Ndërkohë ka dhe një vendim gjykate që na ka dhënë të drejtë, por nuk ka kush ta zbatojë dhe as kush nuk do ta dijë se çfarë shkruhet në të. Ndërsa Mefail Poci, një banor i ardhur nga Sopoti, i cili ka blerë shtëpinë në këtë fshat thotë: “Unë kur bleva shtëpinë e kisha me ujë dhe gjithçka, por sot nuk kemi asnjë pikë. Ne kemi edhe shqetësime familjare dhe na duhet uji. Kërkojmë ndërhyrjen e shtetit për të zgjidhur këtë situatë”,- tha ai.