Librazhd, drejtuesit e furgonave: Të vendoset sinjalistika dhe të hiqen shoferët që punojnë pa licencë!

510
Sigal

Për shkak të mungesës së sinjalistikës në rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit të Librazhdit, pa anashkaluar këtu rrugët kryesore dhe kryqëzime, po vihet në rrezik jeta e shoferëve, të cilët nuk orientohen dot, por po ashtu edhe jeta e qytetarëve, të cilët edhe në trotuare nuk kalojnë dot më, sepse janë kthyer në parkime automjetesh. Situata duket sa kaotike aq edhe e rrezikshme. Ndërkohë që, është dhe rruga hyrëse për në qytet është tejet e mbingarkuar, pasi aty është e vendosur edhe vendqëndrimi i furgonëve për linjat e ndryshme, gjithashtu janë dhe tregtarët që shesin në rrugë. Po kështu në këtë rrugë parkimi mbi trotuar dhe ndalimi në kryqëzim është një burim i madh aksidentesh. Megjithëse bashkia ka caktuat një vend qëndrimi për furgonët 8+1 përsëri nuk zbatohet nga drejtuesit e mjeteve, kryesisht të atyre pa licencë, ku këta të fundit bëjnë edhe të fortin. Po në këtë rrugë kalojnë dhe trajlerat e mëdhenj, të cilët ecin shumë shpejt në qytet. Nuk ka një tabelë të kufizimit të shpejtësisë, mungon sinjalistika vertikale-horizontale dhe vijat e bardha. Vetëm kur duket ndonjë polic i “ashpër”që  mundohet të vendosë disiplinën për disa minuta, por përsëri i njëjti problem kthehet sapo ky polici largohet nga vendi. Drejtuesit e furgonëve 8+1 thonë për gazetën “Telegraf”, se për ta nuk ka vend qëndrimi të saktë, nuk ka sinjalistikë dhe se problem mbeten ata pa licenca, të cilët nuk respektojnë asgjë. Sipas Sami Gjymenges bëhet e ditur për gazetën se “kemi vite që paguajmë licencën dhe nuk kemi çfarë të bëjmë pasi neve nuk na pyet njeri dhe ata pa letra janë më të fortë se ne, pasi i japin lek në dorë çdokujt që i del përpara”. Ndërsa Viktor Koçi thotë: “Kam 16 vjet që paguaj me letra dhe jam me licencë dhe nuk na del asgjë, pasi na mbytën këta shoferët që punojnë në të zezë. Nuk kanë as patenta, as licenca, madje, ka dhe në fshatra që punojnë pa dokumente dhe as që ju dridhet qerpiku fare pasi kanë miqtë që i mbajnë, por ne i bëjmë thirrje drejtorit të ri të policisë që ka ardhur tani në Qarkun e Elbasanit që të vendosi dorë mbi këta njerëz se po na mbeten fëmijët pa bukë”. Një tjetër fenomen janë dhe linjat që punojnë fshatra, ku shumë herë janë burim konfliktesh dhe burim aksidentesh, të cilat marrin një licencë në komuna dhe punojnë në qytetet. Mjafton ta rregullosh me qarkullimin rrugor dhe çdo gjë e ke në rregull. Ndërkohë që, problem ka dhe në disa kryqëzime të tjera si tek ai pranë Zyrës Arsimore që drejtuesit e mjeteve futen kundra-tabelë, kryqëzimet në të dyja shkollat 9-vjeçare, ku mësojnë mbi 1000 nxënës dhe vendqëndrimi në dalje të Librazhdit për në Elbasan.