Lezhë/ Kishte fshehur drogën brenda televizorit, prangoset 31-vjeçari

490
Sigal

Policia e Lezhës ka arrestuar një 31 vjeçar banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të mjetit iu gjet lëndë narkotike.

Policia bën me dije se në kuadër të operacionit ‘Patoku’ është arrestuar 31-vjecari me inicialet N.N. Ai u ndalua në aksin Tiranë-Lezhë dhe gjatë kontrollit në mjet u gjetën 3 kilogramë lëndë narkotike, të dyshuar Cannabis Sativa të fshehura brenda një televizori.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e hetimit të narkotikëve, mbi bazën e një informacioni të marrë nga qytetarët për një shtetas i cili ishte nisur nga Tirana në drejtim të Lezhës, dhe me automjetin e vet po transportonte lëndë narkotike, menjëherë kanë organizuar, zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Patoku”.

Në aksin rrugor Tiranë -Lezhë, në kthesën e Patokut, Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë ku kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit së bashku me drejtuesin shtetasin N.N., 31 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në brendësi të një televizori, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 3 kilogramë lëndë narkotike, të dyshuar Cannabis Sativa.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N.N dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale,”Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, neni 283 i Kodit Penal.