Sigal

Reshjet e borës zbardhën në mbrëmje edhe qytetin e Lezhës. Erërat që nisën të frynin krijuan ngrica në rrugë. Problematika vuri në lëvizje bashkinë e Lezhës e cila angazhoi menjëherë Emergjencat Civile për të garantuar lëvizjen e qytetarëve.

Për shkak të pjerrësisë dhe prezencës së lagështisë, problematika më e madhe ishte në rrugën e spitalit. Lëvizja e vazhdueshme e autoambulancave u var tërësisht nga qarkullimi përgjatë rrugës së Shelbuemit, segment që lidh bulevardin “Gjergj Fishta” me Spitalin Rajonal.

Rreth orës 20:00 Emergjencat Civile në Bashkinë e Lezhës angazhuan Drejtorinë e Shërbimeve, Zjarrfikësit dhe Policinë Bashkiake për të ndërhyrë në këtë aks rrugor. Pastrimi nga dëbora dhe hedhja e kripës çliroi edhe vetë drejtuesit e spitalit pasi shmangej ndonjë aksident i mundshëm.

Kreu i Emergjencave, Tonin Uldedaj, ndërsa e ka konsideruar si arterien kryesore rrugën drejt spitalit ka deklaruar se do të vijohet me monitorimin e vazhdueshëm deri në tejkalimin e situatës së krijuar.

“Ne si Emergjenca Civile jemi prezencë së bashku me Drejtorinë e Shërbimeve dhe Policinë Bashkiake në rrugën kryesore, rruga e spitalit, e cila është arteria më e rëndësishme për lëvizjen e mjeteve dhe që duhet të qëndrojë e hapur 24 orë. Kemi marrë të gjitha masat duke shpërndarë kripë që pengon ngricat në rrugë pasi parashikohet ulje e temperaturave dhe masat paraprake janë të domosdoshme. Prej ditësh jemi të angazhuar në përballimin e situatës dhe pavarësisht se nuk kemi pasur probleme, vazhdojmë të qëndrojmë të angazhuar 24 orë në mënyrë që ti përgjigjemi çdo emergjence dhe urgjence të mundshme. Kjo ka qenë një porosi e veçantë e kreut të bashkisë që të jemi në shërbim dhe tejkalim të situatës”.

Rruga e Spitalit është përballur në vitet e shkuara me probleme në qarkullimin e mjeteve pikërisht si pasojë e ngricave, ndaj edhe ka ardhur kjo ndërhyrje e parakohshme për ti paraprirë ngricave që do të sjellë nata.