Lëvizje gjyqtarësh në shkallë vendi, ja të gjitha emërimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë

97

Këshilli i Lartë i Drejtësisë merr vendime të rëndësishme në mbledhjen plenare

Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) zhvilloi më 04.11.2016 mbledhjen plenare, e cila nisi me shqyrtimin dhe miratimin e kërkesës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, për dhënie pëlqimi për ushtrimin e detyrës së ndihmësit ligjor pranë Gjykatës së Lartë të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Florjan Kalaja. Në vijim të mbledhjes, KLD shpalli vendin vakant për funksionin drejtues të kryetarit të gjykatës, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shkak të mbarimit të mandatit në këtë funksion, më datë 18.01.2017, të z. Fatri Islamaj.  Lidhur me shqyrtimin e kandidaturave për gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Vlorë të parashikuar për këtë mbledhje KLD vendosi rishpalljen edhe një herë të vendit vakant pranë kësaj gjykate. Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e KLD, pasi konsultuan procesverbalin e testimit, raportin mbi rezultatet e pikëzimit të kandidatëve, tabelat e pikëzimit, raportet mbi shqyrtimin e kandidatëve, shqyrtuan dhe votuan kandidaturat për gjyqtarë, për plotësimin e vendeve vakant, në Gjykatat e Apelit Tiranë dhe Shkodër. Pas përfundimit të procesit të votimit, KLD me shumicë votash, vendosi të transferojë z. Andi Civici nga Gjykata e Apelit Vlorë në Gjykatën e Apelit Tiranë, si dhe t’i propozojë Presidentit të Republikës, emërimin e gjyqtarëve znj. Elona Stavri, znj. Elbana Lluri, z. Fatri Islamaj, z. Asim Vokshi, dhe z. Artur Gaxha, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në Gjykatën e Apelit Tiranë. Ndërsa për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën e Apelit Shkodër, Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës, emërimin e znj. Vojsava Osmanaj. Në vijim të mbledhjes anëtarët e KLD-së, shqyrtuan kandidaturat, për plotësimin e 1 (një) vendi vakant, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe në përfundim të procesit të votimit, Këshilli vendosi transferimin e gjyqtarit Artan Hajredinaj, njëkohësisht edhe kryetar i kësaj gjykate, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë. Në funksionin drejtues të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë u delegua për të ushtruar përkohësisht detyrën e kryetarit, gjyqtari Dritan Seci, si dhe shpalli vendin vakant për pozicionin e kryetarit të kësaj gjykate.  Me miratimin e transferimit të dy gjyqtarëve të mësipërm u miratua më pas dhe kërkesa e Ministrit të Drejtësisë për shpalljen publike, të një vendi vakant në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe një vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë. Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Në përfundim, Këshilli miratoi aktet e vlerësimit për gjyqtarët e mëposhtëm:


          Gjyqtar Petrit Çomo, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;

          Gjyqtar Sokol Tona, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;

          Gjyqtar Ridvan Hado, Gjykata e Apelit Tiranë;

          Gjyqtar Agim Bendo, Gjykata e Apelit Tiranë;

          Gjyqtare Fiqirete Mullaj, Gjykata e Apelit Tiranë;

          Gjyqtare Fatmira Hajdari, Gjykata e Apelit Tiranë;

          Gjyqtare Etleva Deda, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda;

          Gjyqtare Marjana Dedi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;

          Gjyqtare Blerina Muça, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;

          Gjyqtar Amarildo Laçi, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë;

          Gjyqtare Albana Boksi, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda;

          Gjyqtar Fuat Vjerdha, Gjykata e Apelit Shkodër;

          Gjyqtare Dhurata Haveri, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda;

          Gjyqtare Fran Prendi, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.


 Gjithashtu, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi projekt-aktin e vlerësimit, në zbatim të vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 36, datë 29.04.2015 “Për kriteret dhe procedurat e vlerësimit profesional dhe etik të kryeinspektorit dhe inspektorëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, të veprimtarisë së Kryeinspektores znj. Marsida Xhaferllari dhe të inspektores znj. Marsela Pepi. Në vijim KLD vendosi konstatimin e mbarimit të ushtrimit të detyrës, për shkak të mbushjes së moshës së pensionit, më datë 25.11.2016, të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, z. Lefter Jahja, si dhe miratoi propozimin e ministrit të Drejtësisë, për shpalljen e një vendi vakant për një gjyqtar pranë kësaj gjykate pas datës 25.11.2016. Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.