Lëvizja “Nano” shpërndan trakte në Kuçovë

573
Sigal

Simpatizantët e ish-kreut të PS-së shfrytëzojnë natën për të bashkuar socialistët e pakënaqur

Shfaqen njësitet guerile në qytetin e Kuçovës, të cilët kanë shpërndarë trakte nëpër pallatet e qytetit. Në këto trakte shkruhej “Bashkohuni lëvizjes “Nano”, për një të ardhme më të mirë”. Lajmin e bëjnë të ditur banorët, të cilët kur kanë dalë në mëngjes nga shtëpitë e tyre kanë gjetur poshtë derës kryesore traktin, që ishte shpërndarë gjatë natës nga simpatizantët e Nanos. Dihet se Nano ka reputacion pozitiv në qytetin e Kuçovës. Edhe pse është larguar për një kohë të gjatë, përkrahësit e tij nuk e kanë harruar. Kjo ka bërë që ata të rizgjohen dhe të përkrahin lëvizjen “Nano”, e cila u krijua kohët e fundit pas një konflikti që lindi midis Ramës dhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

Pakënaqësitë

Kohët e fundit në bastionin socialiste në Kuçovë, është krijuar një pakënaqësi e madhe në radhët e kësaj partie. Kjo pakënaqësi e ka prejardhjen nga qejfmbetjet që janë krijuar si nga pushteti lokal, por edhe nga kreu i Partisë Socialiste, i cili e ka lënë partin pas dorë duke mos dhënë “Ok”-in e zgjedhjes së kryetarit të kësaj partie. Partia Socialiste ka një vit pa kryetar, ajo drejtohet nga një kryetar i komanduar. Edhe pse kandidaturat kanë dalë ende nuk ka një kryetar zyrtar. Disa herë është premtuar për të zgjedhur kryetarin e kësaj partie nga qendra, por deri tani fjala e dhënë nuk është bërë realitet. Shumë simpatizantë të Partisë Socialiste, por edhe anëtarët e Asamblesë, ndihen të indinjuar nga këto veprime të krerëve të partisë në qendër. Ata janë shprehur për gazetën “Telegraf” se nuk e kuptojnë qëllimin e gjithë kësaj. “Jemi në prag të Zgjedhjeve Parlamentare dhe kush do ta mbaj përgjegjësin nëse Partia Socialiste humbet në këtë qytet, që gjithmonë ka mbështetur PS-së”?, thotë një përfaqësues i PS-së. Disa anëtarë të Asamblesë janë shprehur se edhe marrëdhëniet brenda partisë dhe drejtueseve të pushtetit lokal nuk janë në nivelet që kërkon sot situata në radhët e Partisë Socialiste. Këtë gjendje të krijuar në radhët e PS-së, e kanë shfrytëzuar edhe përkrahësit e lëvizjes “Nano”, të cilët nëpërmjet trakteve iu bëjnë thirrje socialistëve të pakënaqur që të mbështesin lëvizjen “Nano”. Sipas socialistëve të Kuçovës, mësohet se nga neglizhenca e madhe e bërë nga qendra socialistët kanë humbur dy komuna, të cilët prej vitesh kanë qenë bastion i Partisë Socialiste. Por qejfmbetjet bënë atë që kjo parti të humbas në Komunat Perondi dhe Kozare, por mesa duket këtë situatë kërkon ta riparojë lëvizja “Nano”, duke bërë atë që s’po e bënë Rama sot, i cili e ka lënë partin pa “kokë” edhe pse kërkesat nga baza kanë qenë të vazhdueshme për të zgjedhur kreun e kësaj partie, përpjekjet kanë dështuar”. Gjithsesi situata është kokolepsur aq shumë në Partin Socialiste në Kuçovë sa dhe vetë socialistët po befasohen nga neglizhenca e krerëve në qendër. Tashmë përkrahësit e Nanos kanë filluar nga puna. Kjo tregon se shumë shpejtë Nano do të ketë ndonjë takim në Kuçovë me simpatizantët e tij, por ende nuk bëhet e ditur data e saktë që Nano do të mbërrijë në qytetin e naftëtarëve.