Letrën e Studentëve Shqiptarë dërguar Presidentit Wilson, e ka shkruar Dr. Jani Basho

1345
Sigal

Jovan BASHO*

Shkak për këtë shkrim u bënë, disa emisione televizive dhe disa artikuj të botuar nw mediat e shkruara, rreth letrës dwrguar Presidentit amerikan Woodrow Wilson, nga disa studentë shqiptarë të Universitetit të Vienws në dhjetor 1918.

Për hir të së vërtetës, ia ndjej vetes për detyrë të theksoj, që unë personalisht kisha dëgjuar për këtë letër nga babai im Kozma Basho (1927-1994), të cilit ia kishte thënë xhaxhai i vet, Dr. Jani Basho (1892 – 1957), në fillim të viteve 50-të të shekullit XX, kur babai ishte pedagog në Institutin e Shkencave të Natyrës dhe Dr. Basho, drejtor i Maternitetit të Tiranës, përballë atij Instituti. U entuziasmova tepër kur lexova në shtyp një shkrim të zonjës Nevila Nika e cila ishte e para që shkroi për këtë letër, në kohën kur ajo ishte Drejtore e Arkivit Qendror të Shtetit. Unë iu luta asaj të më siguronte një kopje, nëpërmjet mikut tim të ngushtë, të ndjerit Thimi Nika dhe ajo pati mirësinë të më jepte kopjen shqip dhe variantin anglisht të letrës së studentëve shqiptarë drejtuar Presidentit Wilson. Duke pasur këtë letër në dorë unë shkrova një artikull të titulluar “Letër e studentëve shqiptarë të Universitetit të Vjenës dërguar Presidentit amerikan Wilson në dhjetor 1918” duke bërë edhe një paraqitje të rrethanave historike të kohës. Artikullin e botuan shumë gazeta në Shqipëri dhe Kosovë në vitin 2011. U bë shumë mirë që u ribotua me rastin e 100 vjetorit të shkrimit të saj, por unë nuk e kuptova dot, pse ribotimi u quajt “zbulim”, ashtu siç nuk ka asnjë lidhje njëfarë përpjekje kundërvënieje ndaj grevës që studentët e universiteteve publike bëjnë sot. Kjo letër nuk përmëndet as në librin “Studentët shqiptarë të Austrisë dhe veprimtaria e tyre”, shkruar nga Zoti Uran Asllani (Tiranë 2000), megjithëse i ati i tij Zoti Fuad Asllani ishte një nga firmosësit dhe përkthyesit e letrës nga shqipja në anglisht (pasi ai kishte mbaruar “Robert College” në Stamboll). Edhe Zoti Apollon Baçe e mori vesh për herë të parë ekzistencën e kësaj letre dhe faktin që babai i tij ishte një nga firmosësit e saj, kur i dërgova një gazetë me artikullin e botuar në 10.03.2011.

Pas Luftës së Parë Botërore, SHBA ishin fuqia dominuese botërore. Dihet historikisht që Presidenti Amerikan Wilson e paraqiti programin e tij të bazuar në parimin e vetvendosjes së popujve, në fjalimin që mbajti në Kongresin Amerikan në 8 janar 1918. Në 14 pikat e famshme të tij, thuhej: “të garantohet pavarësia për vendet e Ballkanit”, “duhet të formohet një lidhje e përgjithshme e kombeve me konventa specifike dhe me qëllimin që të sigurojë garantimin reciprok të pavarësisë politike dhe integritetin territorial si për shtetet e mëdha edhe për ato të vogla”.

Presidenti Wilson ishte i pari president i SHBA që kaloi Oqeanin Atlantik në kohën kur ishte në detyrë. Ai arriti në Brest të Francës, në 13 Dhjetor 1918. Në Konferencën e Paqes në Paris, ai u përball me diplomacinë europiane (kryesuar nga Lloyd George i Anglisë, Clemanceau i Francës dhe Orlando i Italisë), duke ndikuar mbi të dhe nuk i njohu marrëveshjet e arritura gjatë Luftës së Parë Botërore, ose fill pas saj (Adem Harxhi “ Shqipëria në Konferencën e Paqes në Paris”, Sesioni shkencor i Akademisë Shqiptaro-Amerikane, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, 27.11.2012).

Shqiptarët e kanë vlerësuar gjithmonë rolin e Presidentit Wilson në mbështetje të çështjes shqiptare. Në librin “Ligjëron Fan Noli” (Mbledhur nga Lefter L. Dilo, Tiranë 1944), përmendet edhe një këngë që këndohej në ato vite në Lushnjë:

“Populli thrret’: Rroft’ Amerika

Madhëri e tij Wilsoni,                                                                                                  Që me katërmbëdhjetë pika,                                                                                          I tha Europës: Qëndroni!”

Rrethanat historike

Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe fitimit të Pavarësisë Kombëtare, Shqipëria u njoh si shtet i pavarur më 22 janar 1913 (Konferenca e Ambasadorëve në Londër), por gjysma e saj kishte mbetur jashtë kufijve territorialë të caktuar në këtë konferencë. Brenda vendit anarki e plotë: Qeveria e Ismail Qemalit në Vlorë e kundër saj Qeveria e Esad Pashë Toptanit në Durrës. Grekët shkelën dhe shkretuan Shqipërinë e Jugut, serbët pushtuan Shqipërinë e Veriut, malazezët hynë në Shkoder. Princi Wied, i cili u dërgua si mbret i Shqipërisë prej fuqive të mëdha, zbriti në Durrës në 7 mars të vitit 1914 dhe u shtrëngua të largohej në fillim të shtatorit të atij viti. Lëvizja e Rebelëve në Shqipërinë e Mesme dhe veprimet e grekëve në Shqipërinë e Jugut e bënë të pamundur organizimin e shtetit shqiptar. Në këtë kohë plasi Lufta e Parë Botërore (korrik 1914) dhe Shqipëria u shkel prej ushtrive ndërluftuese austro-hungareze, italiane dhe franceze.

Me mbarimin e Luftës Botërore, problemi shqiptar ishte akoma më i koklavitur: Traktati i fshehtë i Londrës (i nënshkruar më 26 prill 1915) kishte vendosur copëtimin e Shqipërisë midis Italisë, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Lufta e Parë Botërore mbaroi në nëntor 1918. Në dhjetor të po këtij viti u formua qeveria e Durrësit nën Turhan Pashë Përmetin, që u zëvendësua nga qeveria e Tiranës e dalë nga Kongresi i Lushnjës (janar 1920). Në vazhdim të politikës antishqipatre Italia nënshkroi me Greqinë marrëveshjen Tittoni-Venizelos (1919), e cila i njihte Greqisë kërkesat mbi Shqipërinë e Jugut me kusht që edhe Greqia të njihte sundimin italian mbi pjesën tjetër të Shqipërisë. Në këto rrethana historike u mblodh Konferenca e Paqes në Paris më 1919. Austria që kishte influencuar dhe mbështetur aq shumë pavarësinë e Shqipërisë kishte humbur luftën. Nga ana tjetër fuqitë fituese (Anglia, Franca dhe Rusia) mbështesnin hapur shtetet fqinje të interesuara për tu zmadhuar me territore shqiptare. Kështu, Shqipëria nuk kishte më asnjë përkrahje te jashtme, përveç zërit të fuqishëm të Presidentit Wilson të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili mbrojti të drejtën në dobi të kombit shqiptar.

Studentët shqiptarë që studionin në Vjenë ishin njohur që më parë nëpërmjet shtypit të kohës me parimet e Presidentit Wilson. Letra u shkrua nga këta studentë dhe iu dërgua Presidentit Wilson kur ai kishte shkuar në Paris në Konferencën e Paqes. Si arritën studentët shqiptarë që letra e tyre nga Vjena të bjerë në dorën e Presidentit Wilson në Paris, kjo është sot një mister, por letra ishte shkruar në një mënyre të tillë që kujtdo që t’i binte në dorë, të ishte i detyruar t’ja jepte Presidentit. Letra mban datën 15.12.1918 (dmth dy ditë pas mbërritjes së presidentit Wilson në Francë) dhe përbën pa asnjë dyshim, përpjekjen e parë serioze për ta bërë të njohur problemin shqiptar tek Presidenti Wilson.

Letra u shkrua nga Jani Basho (1892-1957) asokohe student në Fakultetin e Mjekësisë dhe kryetar i shoqërisë së studentëve shqiptarë “Albania”. i cili është edhe nënshkruesi i parë. Kjo kuptohet menjëherë pot të lexohen shkrimet e tij në revistën “Dialëria”, kryeredaktori i së cilës ishte po ai (edhe më vonë ka përdorur shprehje të njëjta ose të ngjashme). Ai i kishte thënë babait tim, se pas marrjes së letrës, presidenti Wilson kishte dërguar në Vjenë ambasadorin Calvin Coolidge (më vonë President i SHBA) për t’u takuar me studentët shqiptarë. Zoti Coolidge i priti këta studentë në një kështjellë në periferi të Vjenës (fillim i vitit 1919). Dr. Basho kujtonte se takimi me të, ishte lënë në orën 12.00 dhe kur lavierësi i orës së murit në sallën ku po prisnin studentët shqiptarë filloi të binte 12 herë, u hap dera nga ku doli një oficer i ushtrisë amerikane që tha: “Të hyjnë studentët shqiptarë”. Biseda filloi anglisht dhe u zhvillua gjermanisht (Zoti Coolidge ishte austriak). Pasi dëgjoi studentët shqiptarë (që kryesoheshin nga Jani Basho) ai u deklaroi atyre, që zëri i Presidentit Wilson në Konferencën e Paqes do të ishte në përkrahje të vendit të tyre.

Nga ana tjetër, për të parë gjendjen në vend, ai dërgoi në Shqipëri konsullin e SHBA në Torino, zotin Jozef Haven (1919), i cili vizitoi Shqipërinë e Jugut dhe atë të Mesme. Zoti Haven zbriti në Vlorë dhe vizitoi qytetet Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Përmet, Leskovik, Ersekë, Korçë, Pogradec, Elbasan, Tiranë dhe Durrës. Gjatë qëndrimit në Shqipëri u shoqërua nga i dërguari i qeverisë shqiptare, Tefik Mborja. Raporti që ai i dërgoi Presidentit Wilson ishte tërësisht pro Shqipërisë, saqë shkaktoi edhe dërgimin e një note proteste nga qeveria greke e kohës për Konferencën e Paqes.

Në vitin 1920, po këta studentë i dërguan një notë Konferencës së Paqes në Paris, pikërisht për këto arësye.

*Prof. Dr. Jovan BASHO, Universiteti i Mjekësisë, Shërbimi Hepatologji/ Gastroentetrologji, QSU “Nënë Tereza”, Tiranë.