Letra: Komisionarët pajisën 90 % të ish-pronarëve me tre shtëpi

618
Sigal

DURRËS/ Shoqata e të Pastrehëve, letër Berishës dhe Olldashit: Ndërhyni që banorët e shtesave të pallateve të mos dalin jashtë!

Banorët që jetojnë në banesat e shtetit të ndërtuara mbi katet e banesave të vjetra të ish-pronarëve  në qytetin e Durrësit i kanë bërë letër Berishës dhe Olldashit. Për t’u kërkuar që të ndërhyjnë që banorët e këtyre shtesave të pallateve të mos dalin jashtë dhe mbi 100 banesa tu falen ish-pronarëve. Ata u drejtohen shtetarëve që të merret parasysh se 100 familje durrsake që banojnë në shtëpitë e ndërtuara me fondet e shtetit dhe me kontribut vullnetarë para viteve 1990 mbi ndërtesat e ish-pronarëve, që në atë periudhë ishin ish-banesa shtetërore, këto banesa janë ndërtuar sipas të gjitha rregullave të urbanistikës. Ata shkruajnë se, shumë nga ndërtesat e sekuestruara të ish-pronarëve në vitet 1945-1950 i kanë gjetur në ndërtim e sipër këto banesa dhe se shteti vazhdoi ndërtimin duke u ngritur katet e fundit sipas projekteve dhe kështu vazhdoi deri në vitin 1990 me ngritje katesh.

Komisionerët në konflikt interesi

Në letrën drejtuar Berishës dhe Olldashit, Shoqata e të Persekutuarve ka vënë në dukje një detaj të rëndësishëm, sipas tyre që “të gjithë komisionerët “për kthimin dhe kompensimin e pronave “janë në konflikt interesi, pa arsim përkatës, komisionet nuk kanë juristë siç është kriteri, pa stazhe pune dhe se janë kryesisht komisionerë partiakë”. Ka qenë ky fakt që nënvizojnë të pastrehët që komisionerët me konflikt interesi u kaluan pronarëve të gjitha shtesat e kateve, të cilët kanë arritur që të përfitojnë nga 5, 10 deri në 15 apartamente 2+1 falas, në të cilët banojnë qytetarë, të cilët i kanë ngritur këto banesa me kontribut vullnetar. Ndërkohë duke mos pasur jurist në komision, nuk janë kontrolluar dokumentet , pasi shumë ndërtesa pronarësh kanë qenë sekuestruar për mos pagim të detyrimeve tatimore në vitet 1940-1944.

Kërkesa

Letra e shoqatës së të pastrehëve bën me dije se gjatë 50 vjetëve 95% e pronarëve janë pajisur me shtëpi nga shteti! Këto banesa që u ka dhënë shteti janë privatizuar prej tyre, si gjithë të tjerët që përfituan nga ky privatizim me çmime simbolike 50-100 mijë lekë të vjetra. Nga kjo sipas tyre pronaret tashme janë bërë me 3 palë shtëpi: shtëpitë që iu kthyen, ato që privatizuan me 100 mijë lekë, si dhe me shtesat e kateve që po i marrin falas. “Ndërsa ne që kontribuuam si të gjithë për 50 vite, tashmë do të ngelemi pa shtëpi”!- theksojnë letërshkruesit. Letra përfundon me thirrjen: “Z.Kryeministër Sali Berisha, Z. Ministër Sokol Olldashi, 100 familje durrsake kërkojnë nga ju të ndërhyni me urgjencë, që 100 apartamente që na përkasin ne, të mos u falen ish-pronarëve. Marrja e shtëpive shtetërore padrejtësisht sot është e barabarte me marrjen e jetës”!