Letër publike e shoqatës “Bregdeti” drejtuar Sequi, Fule dhe autoriteteve të BE-së

577
Sigal

Të gjejnë zgjidhje për problemet e  të drejtave të  pronësisë në Shqipëri

 I nderuar z. Stefan Fyle, duke ju uruar mirëseardhjen në Tiranë për problemet e përcaktuara në axhendën tuaj, ju parashtrojmë publikisht sa vijon:

Top of Form

Për sa kohë që pronat e konfiskuara nga regjimi komunist nuk janë kthyer, Kushtetuta shqiptare do të shkelet, korrupsioni i bazuar në keqmenaxhimin e pronës do të vazhdojë  të lulëzojë, titujt e pronësisë do të mbeten të pasigurt dhe asnjë investitor serioz nuk do të guxojë të investojë në Shqipëri.

Edhe mbas 20 vjetësh nga dita e pranimit të parimit të kthimit të pronave të konfiskuara padrejtësisht nga regjimi komunist dhe miratimi i legjislacionit përkatës, shteti shqiptar ende nuk zbaton detyrimet e tij kushtetuese  ( neni 181 dhe 41 i Kushtetutës). As vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut nuk janë zbatuar  dhe në korrik të vitit 2012 është ndërmarrë një nismë për  procedurë  gjykimi pilot .

Për fat të keq as zgjedhjet e lira nuk e kanë zgjidhur problemin. Të vetëshpallurit  të djathtë apo të majtë kanë përdorur pushtetin e tyre politik për të konsoliduar pushtetin e tyre ekonomik. Të dyja palët kanë abuzuar me të drejtat e pronarëve të ligjshëm. Më shumë se 6000 njerëz janë vrarë në konfliktet që lidhen me  mosrespektimin e titujve të pronësisë në 22 vitet e fundit sipas policisë shqiptare dhe OJQ-ve.

Abuzimet dhe keqadministrimi i të drejtave të pronësisë janë një problem i përditshëm dhe prekin  një numër të madh  njerëzish. Shkelja e ligjit dhe abuzimet në zyrat e ndryshme që merren me të drejtat e pronësisë apo edhe në gjykata  ndodhin pothuajse çdo ditë.  Sipas Bankës Botërore, Shqipëria tërheq një nivel shumë të ulët të investimeve të huaja  për shkak të pasigurisë së të drejtave të pronësisë. Strategjia e qeverisë, e ashtuquajtura  Strategji për të Drejtat e Pronësisë ka shumë mangësi pasi ajo nuk respekton  Kushtetutën, i jep prioritet pa kushte dhe pa kufizime legalizimit të përvetësimeve  të paligjshme të pronave dhe e lë në harresë dhe pa asnjë garanci kthimin e pronave tek pronarët e ligjshëm duke qenë kështu në kundërshtim të plotë me legjislacionin, jurisprudencën dhe me nenet 181 dhe 41 të Kushtetutës. Zgjidhja e problemit të pronës fillon me respektimin e Kushtetutës dhe të shfuqizimit të të gjitha veprimeve të kryera në kundërshtim me të. Legalizimet duhet të merren në konsideratë  dhe ti nënshtrohen kushteve dhe kufizimeve vetëm pasi të jetë realizuar procesi i kthimit fizik te pronave. Kompensimi i plotë dhe i menjëhershëm financiar i pronarëve të ligjshëm duhet të aplikohet vetëm në rastin e pronave të përdorura për nevoja publike. Ne jemi të bindur që demokracia dhe stabiliteti në Shqipëri do të ecin përpara në qoftë se Parlamenti Europian dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë do të koordinojnë pozitat e tyre dhe të gjejnë zgjidhje për problemet që prekin të drejtat e pronësisë në Shqipëri që janë një prioritet dhe një kusht i rëndësishëm për proceset e integrimit.

Në pritje të përgjigjes suaj,

Me respekt,

Rrapo Hajredin Danushi                                                                         Dr. Niko Nesturi
Kreu i Shoqatës Kombëtare të pronarëve të shpronësuar       ” Shoqata Riviera  (Bregdeti ) ”          “Pronë me Drejtësi “