Letër e hapur për Tahirin, denoncim publik për keqtrajtim barbar

569
Kohët e fundit është publikuar një video, ku një makinë tërheq zvarrë një qen të lidhur pas saj. Animal Rescue Albania reagon fuqishëm ndaj kësaj sjelljeje barbare ndaj trajtimit të kafshëve dhe i drejton një letër të hapur ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri

Letra e hapur ministrit Tahiri
Animal Rescue Albania i është drejtuar dhe Ministrit te Brendshëm, z. Saimir Tahiri për të denoncuar këtë ngjarje. Një qen i lidhur pas një makine, tërhiqet zvarrë nëpër rrugët e Durrësit!! Kërkojmë të përdorni autoritetin tuaj për të denoncuar dhe trajtuar publikisht këtë akt të shëmtuar e të tmerrshëm të dhunës ndaj kafshëve, si qënie të pambrojtura, i cili tregon probleme të thella të shoqërisë që na rrethon. Shumë vende në botë e kategorizojnë abuzimin dhe keqtrajtimin e kafshëve si krim serioz dhe të rëndë, ashtu si dhe vrasja, apo rrëmbimi pikërisht sepse është kuptuar potenciali kriminal i njerëzve që abuzojnë me kafshët. Është vërtetuar që të njëjtët njerëz që kryejnë abuzime ndaj kafshëve janë ata që nesër abuzojnë e keqtrajtojnë dhe njerëzit. 
Ne e dimë që jetojmë në Shqipëri e sigurisht ka probleme më të mëdha, por ka ardhur koha që të shihet dhe tek ne me vëmendjen e duhur kjo çështje, duke e përfshirë keqtrajtmin e kafshëve si vepër penale në Kodin Penal. Këto akte të tilla por dhe fenomeni i ndeshjeve me qen që po rritet me ritme të frikshme po ndikojnë tek rritja e një grupi të rinjsh pa asnjë lloj ndjeshmërie ndaj vuajtjeve, madje dhe më keq, që marrin kënaqësi, duke parë një kafshë që lëngon nga plagët, apo dhe vdes. Lutemi, zoti ministër, merni pak kohë dhe shikojeni në këtë këndvështrim shqetësimin tonë. Një shoqëri, që pretendon integrimin në familjen evropiane, së pari, duhet të ndajë me të vlerat mbi të cilat bazohet, ku një nga ato është dhe respekti ndaj kafshëve si çdo qenie të gjallë, një status tashmë i njohur kafshëve dhe nga Traktati i Lisbonës i Bashkimit Evropian. 
Njerëz të tillë duhen ndëshkuar për veprimin që bëjnë, pavarsisht se shumë mund të mendojnë se janë vetëm kafshë. Edhe Shqipëria duhet të ketë një legjislacion si të gjitha vendet e përparuara nëse duam dhe ne të jemi të përparuar. Lutemi që dhe ju si përfaqësues të medias të ngrini zërin për ata që nuk flasin dot. Këto krime ndaj kafshëve shumë shpejt bëhen krime ndaj njerëzve. Faleminderit, zoti ministër, për kohën tuaj dhe shpresojmë në angazhimin tuaj për publikimin e kësaj çështjeje.
Sigal