Leskaj-Dodaro: GAO konfirmom mbështetjen për KLSH

584
Sigal

Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj zhvilloi një takim pune në zyrat e Auditimit të Qeverisë së SHBA-ve, me z. Gene Dodaro, Kontrollor i Përgjithshëm i GAO’ s

Në datën 3 shkurt 2015, z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, zhvilloi në Uashington D.C një takim zyrtar pune me z.Gene Dodaro, Kontrollor i Përgjithshëm i GAO’s, (Zyra e Auditimit të Qeverisë e SHBA). Gjatë takimit u trajtuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, ku ndër të tjera z. Dodaro pasi u njoh me raportin e performancës së KLSH-së për vitin 2014, vlerësoi punën e bërë nga institucioni përgjatë këtyre tre viteve të fundit, veçanërisht në fushën e botimeve dhesidomos me tetë numrat e revistës shkencore “Auditimi Publik” dhe botimin e standardeve të auditimit. Në këtë drejtim, z.Dodaro inkurajoi bashkëpunimin e mëtejshëm të Revistës shkencore “Auditimi Publik “ me revistën “INTOSAI Journal” që botohet nga GAO për të gjithë komunitetin e Institucioneve Supreme të Auditimit.

Gjithashtu, z.Dodaro aprovoi me kënaqësi edhe përkthimin e Standardeve të Auditimit të Qeverisjes të GAO’s në gjuhën shqipe që njihen si “Libri i Verdhe” dhe zbatohen në të gjithë qeveritë federale në SHBA. KLSH në të ardhmen do t’i implementojë këto standarde sepse ato sigurojnë një kornizë për kryerjen me cilësi të lartë të auditimit si dhe me kompetencë, integritet, objektivitet dhe pavarësi.

 Të dy drejtuesit ranë dakord që në kuadër të bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe të motos së INTOSAI’t “Experentia Mutua Omnibus Prodest”, një grup i gjerë audituesish dhe drejtuesish nga KLSH të zhvillojnë një vizitë studimore pranë GAO’s për një periudhë 2-javore në vjeshtë  të vitit 2015. Gjithashtu, auditues të lartë nga KLSH, gjatë vitit 2016, do të qëndrojnë për një periudhë 4-mujore internshipi pranë GAO’s, në kuadrin e programit të kësaj zyre “International auditors fellowship Program”.

Zoti Dodaro u njoh dhe inkurajoi bashkëpunimin e KLSH-së me SAI-n Polak dhe Kroat në kuadër të projektit të binjakëzimit IPA 2013. Zoti Dodaro konfirmoi edhe një herë mbështetjen e GAO’s për KLSH-në jo vetëm në kuadrin bilateral por edhe nëpërmjet strukturave të tjera ndërkombëtare të komunitetit të auditimit si IDI apo Komiteti i Donatorëve të INTOSAI’t.

Gjatë zhvillimit të takimit objekt i diskutimit ishte dhe përmbushja e objektivave të Institucioneve Supreme të Auditimit në drejtim të forcimit të etikes dhe integritetit konsideruar si parime fondamentale dhe parakushte për sigurimin e besueshmërisë së këtyre institucioneve, si dhe promovuar parimet e mirëqeverisjes, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit.

Në përfundim të takimit, z. Dodaro konfirmoi që do të përshëndesë nëpërmjet një Video Konference festimet e 90 vjetorit të KLSH-së në 26 maj të këtij viti dhe pranoi ftesën e Kryetarit të KLSH-së për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për të.

Kryetari i KLSH-së i dhuroi z. Dodaro, tetë numrat e Revistës shkencore “Auditimi Publik” (që botohet në gjuhën shqipe dhe angleze), Raportin Vjetor të Performancës së KLSH-së për 2013 dhe një kopje speciale të Performancës së KLSH-së për 2014, ndërsa z.Dodaro i dhuroi z. Leskaj botimet e fundit të GAO’s, “International auditors fellowship Program”, etj.

Në këtë takim mes dy Kryetarëve të KLSH-së dhe GAO’s merrnin pjesë edhe përfaqësues të tjerë të lartë të këtij institucioni si z.Paul Miller, koordinator për programet ndërkombëtare, Planifikimin strategjik dhe koordinator i jashtëm, z.James Blockwood, Drejtor Menaxhimi, z.Bill Keller, Drejtor për marrëdhëniet me jashtë, zj.Mary Mohiyuddin, Koordinatore për ngritjen e kapaciteteve, zj.Pam Sands, Menaxhere për programin ndërkombëtar të audituesve.