Lentet e kataraktit të syrit dhe mashtrimi i radhës i kryeministrit

974
Sigal

Nga Miltiadh M. Muçi

Ditën e diel të 20 janarit, kryeministri pa nga afër punimet e nisura për ndërtimin e depos së re të barnave spitalore, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social, Manastirliu. Më pas kaloi në klinikën e shërbimit të okulistikës, që ndodhet shumë pranë objektit në ndërtim. Aty dha një “sihariq”, se nga dita e nesërme, në shkurt të 2019, kushdo që do të ketë nevojën e shërbimit të kataraktit, lentet do të vendosen pa pagesë, të cilat deri tani kanë kushtuar 700 dollarë për të dy sytë. Ishte vërtetë një nismë e mirë, për të ofruar shërbimin mjekësor ndaj shqiptarëve pa pagesë, të cilin sikur e tha dhe ministrja Manastirliu në Seancën Plenare të Kuvendit: Pagesa e kësaj tarife do të ishte mirë të bëhej kohë më parë, por mundësitë ekonomike të vendit kanë qenë të kufizuara, kushte që u krijuan në këto ditë të janarit 2019. Ishte ky një justifikim për 2000 qytetarët e verbuar në çdo vit, që duheshin rreth 50.000 Euro për 3000 lentet e tyre, kur vetëm për deputet apo pushtetar të veçantë miratohen fonde të kurohen jashtë vendit.

Nisma e fundit e qeverisë, jo vetëm është mbështetje e madhe për shtresat në nevojë, sidomos të moshës së tretë ku ndërhyrjet në sy janë më të mëdha, por në një farë mënyre “mbylli gojët e liga” të pacientëve, që vazhdimisht është abuzuar, përse lentet nuk i dispononte dhe administronte shërbimi okulistik shtetëror. Pacienti me numrin e lentes të përcaktuar nga specialisti, shkonte ta blinte në një nga farmacitë pranë objektit të këtij shërbimi me emrin “Farmaci Franceze”, i njëjti me atë që njihet nga të gjithë “Spitali Francez”. Në këto farmaci pacienti ishte i detyruar të shkonte dhe ta blinte lenten apo lentet e rekomanduara nga specialisti që do të bënte ndërhyrjen, pasi të kishte paguar 25 apo 30 mijë lekë të reja për njërën prej tyre ose 50 apo 60 mijë lekë të reja, për të dy sytë, baras me më shumë se pensionin mesatar të dy apo katër muajve të pacientit. Këtë e pranoi dhe kryeministri kur informoi opinionin, se “lentet nuk do të paguhen nëpër farmaci, por do të vihen falas nga shteti, duke iu kursyer shqiptarëve deri në 700 dollarë”…Këtë pagesë katër muaj më parë do ta kisha bërë edhe unë, nëse në shtator të vitit 2018 nuk do t’i kisha drejtuar një ankesë ministres Manastirliu, të cilën e përsërita në muajin tetor e dhjetor jo vetëm asaj, por edhe drejtorisë së spitalit “Nëne Tereza”, deri sa një javë para informimit publik të qytetarëve nga kryeministri Rama, pra, më 14 janar 2019, më kthehet përgjigje zyrtare, se unë duhej të caktoja datën e ndërhyrjes në shërbimin okulistik, sepse këtij i “kishin ardhur lentet pa pagesë”, që nënkuptova sikur dhe më parë shërbimi ishte bërë falas, por kanë munguar lentet, prandaj specialistët okulistë të “Spitalit Francez” rekomandonin pacientët t’i merrnin tek “Farmacia Franceze”. Sikurse shihet nga loja e fjalëve të kryeministrit të vendit, të zyrtarëve të ministrisë së Shëndetësisë dhe spitalit “Nënë Tereza”, gjithkush e kupton, se sipas zyrtarëve të ministrisë lentet edhe më parë kanë qenë falas, por nuk ka pasur gjendje në depot e barnave të spitalit. Pra, pacienti “përkohësisht” ka qenë i detyruar t’i blinte tek “Farmacia Franceze” dhe jo shteti, sikurse i blen valvulat kardiake shumë herë më të kushtueshme. Ndërsa sipas kryeministrit Rama, lentet nuk do të paguhen nga pacienti, por do të jenë falas nga shteti, pra, jo se atij i kanë munguar. Kë duhet të besojmë, zyrtarët e shtetit apo kryeministrin e pushtetit, që çështjen e lenteve të kataraktit të syrit e kanë kthyer në kakofoni fjalësh, sa në mbulimin e një afere korruptive aq në një propagandë për kredo politike. Prandaj shtroj pyetjen: Cila qëndron prej tyre, se deri më dje me lentet është abuzuar apo pas denoncimeve të qytetarëve për mashtrimet dhe vjedhjet e kryera në shëndetësi?

Do ta mbyll shkrimin me pyetjen drejtuar kryeministrit, se lentet e kataraktit të syrit janë falas, si nisëm e tij apo pas presionit të vazhdueshëm të qytetarëve, që nuk i përmendi asnjëherë, që dhe pse të verbuar nuk mundnin të bënin ndërhyrjen, në pamundësi për të paguar vendosjen e tyre? Ndërsa për mjekun e ri okulist të talentuar, Ermalin, kam falënderim të veçantë.