Lëndët radioaktive të ish-uzinës së Baterive në Berat po helmojnë banorët

1494
Sigal

PASOJAT/ Specialistët e kimisë po japin alarmin se po ndotet uji i pijshëm dhe toka. Në rrezik, banorët përreth saj

Ish-Uzina e Baterive edhe pse ka pak vite që ka mbyllur aktivitetin e prodhimit dhe përpunimit të baterive ende vazhdon të dëmtojë jetën e qytetarëve që jetojnë në rrethinat e saj dhe mbi të gjitha kohët e fundit rreziku është bërë prezent edhe më gjerë. Lëndët e saj radioaktive, janë shpërndarë, në gjithë territorin, ku shtrihet kjo uzinë. Prandaj sa herë që bie shi lëndët radioaktive shpërndahen nën tokë dhe në këtë mënyrë të gjitha lëndët e rrezikshme të depozituara në të përfundojnë në shtratin e lumit Osum. Në këto kushte kjo ish-uzinë e mbetur jashtë kujdesit të shtetit po sjellë pasoja të mëdha për jetën e njerëzve. Lëndët radioaktive, plumbi si dhe oksidet e ndryshme që krijohen nga mbetjet kimikë në këtë ish-uzinë, tashmë po veprojnë lirshëm nëpër sipërfaqet e tokës dhe në puset e ujit që kanë hapur banorët përreth. Specialistët të pyetur nga “Telegraf”, shprehen se lëndët helmuese ndikojnë në ujin e pijshëm, tek bimët bujqësore, tek burimet e ujët të pijshëm, të cilët konsumohen nga njerëzit. Madje, rreziku bëhet më evident pasi në shtratin e lumit Osum të gjitha derdhjet shpërndahen në sipërfaqe të mëdha toke pasi uji përdoret për vaditjen e tokave. Gjithashtu, uji i lumit pihet edhe nga bagëtitë e imta.

Lagja “Uznovë”

Zona e Rajonit të Uznovës ka një popullim të madh dhe nga dita në ditë banorët rrezikohen për jetën e tyre. Një pjesë e tyre ka marrë tokat në afërsi të ish-uzinës ndërsa një pjesë tjetër ka bërë ndërtime në territorin e kësaj ish-uzine, pa ditur se ç’rrezik i pret për jetën e tyre. Stina e dimrit është ajo që stimulon shumë këto mbetje të lëndëve radioaktive, të cilat së bashku me ujin e shirave shkarkohen në shtratin e lumit Osum. Një pjesë tjetër depërton në tokë si tek puset që kanë ndërtuar familjet për ujë të pijshëm ashtu dhe tek bimët që ata kanë mbjellë. Specialistët e mjedisit shprehen se rrezet e plumbit apo të lëndëve të tjera kimike depërtojnë si në thellësira të mëdha të tokës ashtu dhe në sipërfaqe. Sipas mjekëve specialistë këto lëndë kimike helmuese ndikojnë shumë në jetën e fëmijëve, por nuk përjashtohen dhe moshat e madha.

Hekurat për skrap

Tashmë kjo uzinë i ka ndërprerë të gjitha aktivitetet dhe ka mbetur si një gërmadhë. E ndodhur në këto kushte një pjesë e njerëzve hallexhinj shkojnë çdo ditë në ambientet e saj për të nxjerrë hekura dhe për t’i shitur ato për skrap. Ata nuk e din se të gjitha ato hekurishte në përbërje të tyre përmbajnë helm që vepron ngadalshëm në organizëm. Inspektorja e Mjedisit pranë Bashkisë së Beratit, Mirela Buhurio disa herë në takimet që ajo ka patur si me median dhe inspektoret e mjedisit që kanë shkuar nga organizata të ndryshme për mbrojtjen e ambientit është shprehur se gjendja në këtë zonë është shumë kritike. Bashkia sipas Buhurios ka bërë projektet e saj për rehabilitimin e kësaj zonë, por mungojnë fondet përkatëse. “Ne si bashki nuk kemi fonde për të zbatuar këto projekte, por jemi në pritje për dhënien e tyre nga qeveria për të zbatuar këto projekte që do të ndikojnë shumë në rehabilitimin e kësaj zone, e cila është kthyer në një gangrenë për Beratin”, mësohet të ketë thënë inspektorja e mjedisit znj. Mirela. Sipas saj, disa herë kanë shkuar inspektor të mjedisit për të parë nga afër këtë zonë dhe kanë premtuar fonde për rehabilitimin e saj, por të gjitha këto kanë qenë vetëm thënie me gojë dhe asgjë me fonde.