“Lëmshi” me abonetë, ndërhyn Bashkia e Tiranës

566
Pas kërkesës së kompanive të transportit, autoritetet vendore sqarojnë se asgjë nuk do të ndryshojë: Jo foto në biletën mujore
Bashkia e Tiranës njoftoi dje të gjithë qytetarët që duan të pajisen me abone të shërbimit të transportit urban për muajin gusht 2017, se modeli i tyre është i njëjtë me ato të muajve të fundit dhe pa ndryshime në përmbajtjen e saj. Duke marrë shkas nga njoftimet e bëra në disa nga linjat e shërbimit të transportit qytetas, ku qytetarëve u kërkohet të bashkëngjisin foton e përdoruesit të abonesë ose në të kundërt aboneja nuk njihet, Bashkia e Tiranës sqaron se këto njoftime janë abuzive dhe të pa miratuara. Ditët e fundit dhe në vijim, Policia Bashkiake në bashkëpunim edhe me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit ka ushtruar kontrolle në disa prej linjave të transportit qytetas dhe në rastet kur janë vërejtur njoftime për ndryshim të kërkesave për abonetë mujore, janë marrë masat përkatëse administrative. Megjithatë, nuk kanë munguar qytetarët, të cilët të ndodhur përballë këtyre njoftimeve, kanë marrë abonetë duke plotësuar kërkesat e kompanive që kërkojnë të maksimizojnë fitimet duke shkelur të drejtat e qytetarëve. Por policia bashkiake siguroi qytetarët se do të jetë në patrullim qe asnjë qytetar të mos penalizohet nga fatorinot për shkak të aboneve që nuk kanë foto dhe të dhënave personale. Ky rast i përsëritur nga operatorët urbanë vijon të shkaktojë konfuzion tek qytetarët dhe shkelje të ligjit me dashje në interes të fitimeve personale. Qytetarët që kanë marrë abonetë nuk e kanë të nevojshme të kenë asnjë të dhënë personale dhe të shoqëruar me asnjë fotografi abonenë e tyre mujore të muajit gusht. Bashkia e Tiranës u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të pajisen normalisht me kartelën e pajtimit mujor për muajin gusht, pa fotografi. “Nëse vëreni abuzime, apo kërkesa nga operatorë të ndryshëm që bien ndesh me legjislacionin në fuqi, jeni të lutur ta denonconi pranë Bashkisë së Tiranës, ose Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.
Sigal