Leksioni i Presidentit të Zyrës së Auditimit të Çekisë, Ing. Miloslav Kala, për audituesit e KLSH-së

556
Nga Vullnet KARAFILAJ dhe Redi AMETLLARI
Auditues në KLSH
Në sallën e akademisë së Shkencave, në kuadër të vizitës dy ditore që zhvilloi në KLSH, në datën 2 gusht Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Çeke ( SAO), Ing. Miloslav Kala zhvilloi një leksion me audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Leksioni kishte si temë: “E ardhmja e auditimit” dhe trajtoi raste nga praktika të auditimeve të kryera nga Zyra Supreme e Auditimit të Çekisë, bazuar në një metodologji inovative audituese.

“Sa efektivë është shteti”, ishte kjo pyetja që shtroi Ing. Miloslav Kala në hyrje të leksionit, të cilën e shoqëroi me një video sa groteske po aq të vërtetë mbi burokracinë. “Efektiviteti i shtetit nuk matet me numrin e vulave apo numrin e letrave”, theksoi President Kala duke vënë theksin tek auditimi si një matës i saktë i efektivitetit të shtetit, por edhe si një zgjidhje për përmirësimin e shërbimeve publike. Në funksion të dobishmërisë që sjell auditimi në përmirësimin të efektivitetit të vetë shtetit, President Kala solli një rast nga auditimet e kryera nga Zyra Supreme e Auditimit të Republikës Çeke. Në auditimin e 8 projekteve specifike me vlerë 9 milionë euro, nga 2007-2017, që kishin si qëllim përmirësimin e menaxhimit të administratës publike, u zbulua se tetë projekte nuk kishin përmbushur objektivitet e tyre e për pasojë nuk kishin kontribuar në rritjen e eficiencës së administratës publike si dhe në reduktimin e kostove administrative. Si rrjedhojë, këto fonde ishin shpenzuar në mënyrë jo eficiente, me një kosto për buxhetin e shtetit prej 8.7 milionë eurosh.

Leksioni i Presidentit Kala trajtoi edhe dilemën që haset shpesh në debatet ekonomike dhe publike: “shtet i vogël apo shtet i madh”. Ai theksoi se midis dy alternativave, një qytetar do të zgjedh “shtetin e vogël”, nga dëshira për sa më pak burokraci, sa më pak vula e letra në procedurat administrative. Por, a ndodh realisht kështu? Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Presidenti Kala u shpreh se reduktimi i shërbimeve publike apo cedimi i tyre tek të tretët, e njohur në gjuhën teknike si “outsourcing”, në fakt ka rezultuar në kosto më të mëdha për shtetin. 

Ofrimi i shërbimeve publike po merr një dimension të ri nga zhvillimi i teknologjisë. E-governance, apo qeverisja elektronike është duke u forcuar dhe shumë shërbime publike ofrohen përmes një kliku. Sipas Presidentit Kala, burokracia po venitet përmes digjitalizimit dhe big-data-ve. Administrata publike çeke ka mbledhur rreth 7.700 sisteme informacione. Në këto kushte, Zyra Supreme e Auditimit të Çekisë shikon një potencial të madh në mbledhjen e të dhënave nga administrata publike dhe ka krijuar një “hambar elektronik” të të dhënave, ku analizohen dhe përpunohen të dhënat. Rezultate që merret nga ato është krijimi i hartës së risqeve dhe bazuar në këtë hartë krijohet një program auditimi eficient. Konkretisht, SAO ka zhvilluar Modelin e Zbulimit të Riskut të Ineficiencës që ndihmon përmes analizës, p.sh. të mijëra prokurimeve publike të zbulohen risqet e menaxhimit të burimeve shtetërore dhe institucionet me peshën më të madhe të prokurimeve, duke veçuar sidomos ato organe publike që shmangin konkurrimin dhe që kanë impakt të madh për financat e vendit. Në këtë funksion, theksoi President Kala, Zyra Supreme e Auditimit të Republikës Çeke ka ngritur edhe një strukture të re, Departamentin e Analizimit të të Dhënave, e cila bën një trajtim e filtrim analitik të të dhënave. 

Po cila është e ardhmja e auditimit në kushtet e-governance? Në shtjellimin e kësaj pyetjeje, Presidenti Kala u prezantoi audituesve të KLSH-së ndryshimin revolucionar në SAO, lindjen e një auditimi të ri: e-audit. Përfitimet që sjell ky lloj auditimi, sipas Presidentit të SAO-s konsiston në atë se përpos lehtësimeve që sjell në zbulimin e riskut dhe në përcaktimin e subjekteve dhe temave të auditimit, lejon që të formulohen hipoteza të reja auditimi. Përpunimi i të dhënave mundëson krijimin e një evidence statistikore e për rrjedhojë rrit besueshmërinë e gjetjeve të auditimit si dhe impaktin për përmirësimin e sektorit publik. Në rrafshin institucional, e-auditimi do të sjellë një përdorim me eficiencë të burimeve njerëzore dhe do të shkurtojë kostot në shpenzimet e SAO-s. 

Më tej në leksionin e tij, President Kala trajtoi një çështje themelore duke e shtruar pyetjen se “Por, si mund të identifikojmë një auditim të mirë? Cilat janë karakteristikat e tij? Nocioni më pak teknik e më shumë konciz është se “Auditimi është sinonim i objektivitetit, efektivitetit dhe çka e rëndësishme, është një mjet për të përmirësuar shërbimet publike”, theksoi ai. Nocionin e auditimit, Presidenti Kala e konkretizoi përmes një shembulli. Në Evropë, Republika Çeke është një vend që ka probleme me shpenzimet e asistencës financiare të BE dhe bëhet fjalë për shumë ta mëdha. Mes viteve 2007-2013, Republika Çeke i ka paguar 10.3 miliardë euro buxhetit të BE-së, dhe ka përfituar 23 miliardë euro. Me fjalë të tjera, Bashkimi Evropian e ka mbështetur Republikën Çeke me më shumë se 12 miliardë euro. Por, si janë menaxhuar këtë fonde. A i shërbyen qëllimit të tyre? Shkurt, a përmirësuan cilësinë e jetës së qytetarëve çekë, veçanërisht në rritjen e punësimit. Përmes metodologjisë së analizimit të të dhënave, auditimi i SAO- zbuloi se këto fonde nuk ishin shpërndarë në zonat më problematike të Çekisë, ku papunësia ishte me e lartë. Përmes një grafiku, rezultoi se kurba e papunësisë kishte një raport të zhdrejtë me kurbën e shpenzimeve të fondeve të BE-së. Auditimi krijoi një hartë të re mbi shpërndarjen e fondeve. Rekomandimet e këtij auditimit, të cilat u implementuan nga qeveria, arritën që fondet e BE-së të përdoreshin me efiçiencë, duke pasur një impakt të drejtpërdrejt në uljen e papunësisë.

Një tjetër shembull mbi efektivitetin e e-audit u pasqyrua përmes një rasti studimor të kryer nga dy studentë Çekë( Soudek dhe Skuhrovec 2013), të cilët shqyrtuan 277 tenderë mbi energjinë elektrike dhe gazin natyror. Qëllimi i temës së tyre të doktoraturës ishte që të evidentonin se cilët faktorë kishte më shumë impakt në çmimet e energjisë, pra që sjellin ndryshim me çmimin e tregut. Duke qenë se të dyja këto “mallra” kanë të njëjtën cilësi dhe metodë shpërndarjeje, çmimet e tenderuara janë lehtësisht të krahasueshme. Faktorët me impakt në çmimin e energjisë janë: lloji i procedurës së prokurimit, numri i ofertuesve, ankandi elektronik dhe llojet e autoriteteve kontraktuese. Në të gjitha këto tenderë u vu re se çmimi i parashikuar, jo vetëm ndryshon me çmimin përfundimtar po këto të dyja çmime janë “miliona euro” larg çmimit të tregut. Analiza tregoi se prokurimi i hapur ka një efekt pozitiv me 8 % më pak çmimit të arritur. Ndërsa duke përdorur ankandin elektronik kostoja reduktohet me dyfishin, pra me 16 %. Përpos kësaj, studimi nxori në pah çdo ofertë e re e ul çmimin me mesatarisht 1.6%. Studimi arriti në përfundimin se procedurat me çmim të parashikuar, e cila sipas President Kala të shtyn të hamendësosh se mund të jetë një shenjë e gatishmërisë për të paguar, çmimi për autoritetin kontraktor është rritur me 40%. Me këtë model të analizimit të të dhënave, Presidenti Kala solli shembuj të tjerë nga auditimet, si përcaktimi i kostot së 1 km rrugë.

Por, a po sjell teknologjia një përmirësim të efektivitetit të administratës publike? Presidenti Kala thotë po, por vetëm nën disa kushte. Së pari, përdorimi i teknologjisë së re duhet të ketë qëllim më vete, dhe jo të vijë si nevojë për të treguar ekzistencën e tyre. Së dyti, nëse teknologjitë e reja do të kontribuojnë në “zvogëlimin” e shtetit, atëherë kjo duhet të sjelle rritje të performancës dhe reduktim të kostove në administratës publike. Presidenti Kala theksoi se qëllimi nuk është krijimi i qeverive të vogla, kostot reale të së cilëve fshihen ne kontrata me kontraktorë të jashtëm. Por një shtet i vogël dhe efivient, i cili zvogëlohet për të përmirësuar shërbimet për qytetarët. Së treti, që duhet të kihet parasysh është se teknologjia duhet ta bëjë punën e lehtë, e jo ta komplikojë ato. Sipas z. Kala, këto janë kushtet për një administratë publike me efiçiencë të lartë.

Në përfundim të leksionit, z. Kala bërë një prezantim të portalit të EUROSAI-t të të dhënave (database) të auditimeve të të gjitha SAI-ve evropiane në anglisht, portal i krijuar dhe menaxhuar nga Zyra e Auditimit Suprem të Çekisë, me synimin që të shërbejë si një forum virtual shkëmbimi eksperiencash mes SAI-ve evropiane, në bazë të motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest” (Nga Eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë). Në këtë portal, kontribuon edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në cilësinë e Presidentit të zgjedhur të EUROSAI-t, për periudhën 2020-2023, Inxh. Miloslav Kala u prezantoi audituesve të KLSH-së Projektin 3C të Presidencës Çeke: Communication, collaboration, comparison (komunikim, bashkëpunim dhe krahasim)

Komunikimi: Është i nevojshëm për të intensifikuar kontaktet mes anëtarëve të EUROSAI-t me qëllimin të lëvrimit të metodologjive të reja, databasa-ve dhe mjeteve për krahasimin e të dhënave.

Bashkëpunimi: Si koordinator i Objektivit Strategjik Nr. 1 “Bashkëpunimi Profesional” të Planit Strategjik 2017-2023 të EUROSAI, bashkëpunimi do të përforcohet përmes shkëmbimin të të dhënave, me qëllim për të mësuar nga praktikat më të mira të audituese mes SAI-ve. Në këtë kuadër Zyra Kombëtare e Auditimit e Çekisë organizon nën kujdesin e EUROSAI-t, në Pragë më datat 13-15 nëntor 2017 seminarin për auditime të përbashkëta, ku do të marrë pjesë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Krahasimi: Shkëmbimi i informacioneve dhe krahasimi i të dhënave është një mjet efektiv, veçanërisht në auditimin e performance. Fokusi do të jetë në shkëmbimin e parametrave të performancës për të nxjerrë në pah maksimumin e punës audituese

Leksioni nxiti pyetje të shumta nga audituesit shqiptarë dhe shërbeu si një forum i rëndësishëm për të diskutuar mbi auditimin, rolin dhe të ardhmen e tij në Shqipëri, bazuar në praktikat më të mira evropiane, ndër të cilat shqyhet edhe Zyra Supreme e Auditimit e Republikë së Çekisë e drejtuar nga Presidenti Miloslav Kala, i afirmuar si një personalitet i lartë në fushën ekonomike dhe politike të Republikës së Çekisë, ku ka mbajtur detyra të rëndësishme si kryebashkiak dhe deputet.
(Autorët janë auditues në KLSH)
Sigal