Legalizimi i bregdetit, pronarët: Qeveria vazhdon të grabisë pronarët e ligjshëm

599
Sigal

ALUIZNI/Lame shtyn afatet për legalizimin e apartamenteve në bregdet deri në 24 prill

Shtyrja e afatit, deri në 24 prill, për legalizimet në bregdet është një vendim “non sens” në gjykimin e pronarëve. Sipas tyre, qeveria e sotme po grabit pronat e njërës palë për t’ia dhënë një pale tjetër, duke i trajtuar ca të nënës e ca të njerkës dhe duke diskriminuar pronarët e ligjshëm. Deklarata e kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame, se e gjithë kjo bëhet për të gjithë ata qytetarë që nuk kanë deklaruar dot me ligjin e 2009-s, i ka bërë skeptikë pronarët, se do të respektohet ndonjëherë e drejta e pronësisë në vendin tonë, duke përsëritur se çdo vendim apo ligj që është kundër Kushtetutës së vendit tonë është “nul” që nga fillimi. “Ky është një vendim “nul”, si gjithë të tjerët e kësaj natyre që bien ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë. Malli i paligjshëm as shitet dhe as blihet”, shprehet për “Telegraf” z. Rrapo Danushi, kreu i shoqatës “Pronësi me drejtësi”. Qeveria shqiptare, sipas pronarëve, duhet që më parë të ndajë çfarë është pronë e qytetarëve shqiptarë dhe çfarë është e shtetit dhe më pas të legalizojë në pronat shtetërore, por gjithmonë me ligje që kalojnë nga Parlamenti (dhe jo me vendime) se nuk bëhet fjalë për pronë qeveritare. “Nëse çdo pronar shqiptar mbi pronën e të cilit bëhen legalizime, shkon në Gjykatën e Strasburgut, ai e fiton çështjen. Çfarë fitimi ka qeveria në këtë rast, përveçse miliona euro për të paguar, (të cilat sigurisht rëndojnë taksapaguesit shqiptar)?” shtron pyetjen z. Danushi. Me vendimet e dhëna, Gjykata e Strasburgut e ka rrëzuar ligjin për legalizimet, mbi të cilin po veprohet dhe sot. Shtyrja e afateve të legalizimeve nuk është gjë tjetër veçse një faturë më e lartë për shtetin shqiptar, qoftë nga kompensimet për shkak të legalizimeve, qoftë nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut, e cila pothuaj në të gjitha rastet i ka dhënë të drejtë pronarit. Por pronarët e kanë dhënë zgjidhjen për këtë çështje, nëpërmjet projektligjit të tyre, pa kosto financiare. A është marrë kjo parasysh? Çfarë po bën shteti për këtë gjë? Cila është strategjia për t’i dhënë një herë e mirë zgjidhje çështjes së pronës? Mosrespektimi i të drejtës së pronësisë ka sjellë kakofoni ligjesh, të gjitha në kundërshtim me Kushtetutën, por dhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në kundërshtim me to, qeveria vendos të shtyjë afatet e legalizimit, tashmë në bregdet, ku çështja është pak më delikate. Të shumta kanë qenë denoncimet e pronarëve përsa i përket abuzimeve në tokat bregdetare, toka të cilat janë ndarë nga zyrtarë lokalë si mall pa zot. Janë zbuluar dhe denoncuar manipulime dhe mashtrime nga më të ndryshmet në tokat në bregdet, ku dhe lakmia për të pasur një copë është më e madhe. Gjithsesi, Odiseja vazhdon… Grabitjet e sotme bëhen në emër të legalizimeve, duke e bërë të vagullt faktin se një ditë prona do të shkojë te i zoti. “Po pati legalizime, nuk ka kthim të pronës te i zoti” shprehet në një prononcim për “Telegraf” z. Niko Nesturi, kreu i shoqatës “Bregdeti”.

 

Një kah i rrugës prishet, krahu tjetër legalizohet

Është për t’u theksuar fakti se shteti ynë punon me dy standarde. Nga njëra anë INUK prish ndërtesat me leje dhe pa leje (kur e shikon të arsyeshme), ndërsa nga ana tjetër legalizohen. Mbi çfarë standardesh, ca prishen e ca legalizohen? Cuilat janë kriteret mbi të cilat merren këto vendime? Vetëm dy ditë më parë, kryeministri ynë është pritur me protesta në Bruksel, para nisjes së axhendës së vizitave të tij me krerët e PE-së, KiE-së dhe KE-së. Kanë qenë një grup shqiptarësh që banojnë në Bruksel, ata që i janë drejtuar kryeministrit me thirrje për mos shembjen e banesave të familjeve të tyre në Shqipëri. “Ndal dhunimit të të drejtave tona”, “Mos prishni shtëpitë tona”, “Mos dhunoni familjarët tanë” dhe “Zoti kryeministër, po shkatërron kursimet e jetëve tona”, kane qenë disa nga pankartat që mbanin protestuesit. Ndërsa dje, Lame lumturoi disa të tjerë duke u dhënë shansin që të aplikojnë për të legalizuar apartamentet në bregdet. Kjo është non sens… Një kah i rrugës prishet, ndërsa kahu tjetër legalizohet.

Deklarata e Artan Lames

Të gjithë qytetarët që kanë blerë në bregdet apartamente nga subjekte ndërtuese, të cilët nuk kanë pronësi mbi truallin, do të kenë mundësinë që brenda 60 ditësh të dorëzojnë pranë zyrave të ALUIZNI-it kërkesën për t’u bërë pronarët të truallit. Drejtori i Agjencisë së Legalizimit të Zonave Informale, Artan Lame, deklaroi të premten se afati i fundit për pranimin e kërkesave të qytetarëve për blerje trualli në zonat bregdetare është data 24 prill. “Sot lajmërojmë hapjen e afatit të ri për paraqitjen nga ana e qytetarëve të kërkesave për blerjen e truallit që do të mundësonte më pas regjistrimin në zyrat e regjistrimit të pasurive pronën e tyre si të ligjshme”, tha Lame në konferencën për shtyp mbajtur në Tiranë. Sipas tij, deri tani kanë aplikuar 91 subjekte për rreth 1200 apartamente, por shtoi ai, janë qindra subjekte të tjera me rreth 4-5 mijë apartamente të shitura qytetarëve, të cilët nuk mund të regjistrojnë këto prona sepse nuk kanë mundur të deklarojnë ato me ligjin e 2009-ës. Këto apartamente, bëri të ditur Lame, gjenden të ndërtuara në plazhet e Velipojës, Gjirit të Lalzit, plazhet e Golemit, Shkëmbit të Kavajës, Malit të Robit, etj. “Pikërisht për t’i hapur rrugën zgjidhjes së këtij problemi po rihapim procesin e deklarimit të tyre”, deklaroi Lame.