Legalizimet, shkrihet drejtoria e Beratit

701
Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, paralajmëron se reforma në këtë institucion do të prekë edhe rrethet e tjera
Pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të ALUIZNI-t në Berat, Përparim Sinaj, kreu i drejtorisë së përgjithshme të ALUIZNI-t, Artan Lame, njoftoi shkrirjen e gjithë degës së Beratit. Kjo masë vjen pas shqetësimit të ngritur nga qytetarja Hëna Caka në një dëgjesë publike me kryeministrin Rama, për sorollatje në dyert e këtij institucioni. “Kjo na bëri që ta shohim thellë situatën me drejtorinë e Beratit dhe të them publikisht se kjo drejtori i bie të shkrihet e gjitha dhe të rifillojë nga fillimi rikonstruktimin, ringritjen e saj për të ndryshuar tërësisht formën se si i është shërbyer publikut, formën se si njerëzit janë përballur këtu, me mënyrën si janë trajtuar hallet e problemet e tyre”, tha Lame. Në të njëjtën kohë, ai bëri thirrje për të siguruar staf të ri në drejtorinë rajonale. “Gjej rastin t’i bëj thirrje kujtdo, djem e vajza të rinj, të shkolluar që padyshim Berati ka të paraqesin që në javën që vjen CV-të e tyre për t’u punësuar në drejtorinë e re të ALUIZNI-t Berat”, tha kreu i ALUIZNI-t. Drejtori Lame u ka bërë thirrje të gjithë inxhinierëve të rinj që të paraqesin aplikimet e tyre për të zëvendësuar 15 punonjësit që do të shkarkohen.

“Nuk ka person që nuk e ndoqi atë çka ndodhi dhe që nuk e ndoqi me interes dhe çfarë do ndodhte në gjithë ngjarjen. Duhet të kuptojmë një gjë që është gjëja më e rëndësishme, kryeministri nuk po kërkon shërbëtor për veten, kryeministri po kërkon shërbëtorëtë publikut. Po të ishte për shërbëtor për veten, kishte në rastin konkret, leja iu dha, pra iu shërbye dhe do të ishte sikur e zgjidhi hallin që pati. Fakti që kryeministri goditi shumë fort, pikërisht këtë element, elementin e gjërave që bëhen vetëm kur ka ndërhyrje nga lart, tregon pikërisht këtë që ju thashë. Kryeministri nuk kërkon shërbëtor për vete, kërkon shërbëtor për publikun”, u shpreh Lame.

Në fund, Lame paralajmëroi gjatë vizitës në Berat se reforma që do të nisë brenda ALUIZNI-t nuk do të prekë vetëm Beratin, por edhe shumë degë të tjera në vend.

Sistemi shtetëror dhe administrativ që mbulon problemet e legalizimeve është goditur rëndë nga ankesat e shumta të qytetarëve për korrupsion dhe vonesa, duke shkaktuar edhe ndërhyrjen e kryeministrit Rama. Nisur nga rasti i një zonje në Berat, për të cilin ka shkarkuar edhe një drejtues vendor, shefi i qeverisë ka paralajmëruar një furtunë të vërtetë. Ai ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të ndërtuar një rrjetë “që do të kapë e nxjerrë jashtë nga zyrat e shtetit, peshqit parazitë e grabitqarë që jetojnë me gjakun e taksapaguesve dhe me shërbimet e kthyera artificialisht në halle për njerëzit e zakonshëm”. Në të njëjtën kohë, pas reagimeve të shumta të qytetarëve, Rama është shprehur se në ALUIZNI në tërësi ka bërë një punë të madhe dhe të lavdërueshme, 144 mijë legalizime në 2 vjet e gjysmë, ndërkohë që ata të tjerët bënë 21 mijë në 8 vjet! “Po natyrisht ka shumë vend për përmirësim”, ka vlerësuar kryeministri. Ai ka folur edhe një herë për atë që e quan një koalicion të madh me qytetarët. “Prandaj do ta bëjmë koalicionin e madh, se janë shumë dhe duhet të bëhemi sa më shumë bashkë që t’i shkulim të paudhët e të disiplinojmë ata që janë çmësuar të sillen si duhet në tërë këto vite brenda Tepsisë së Pushtetit!”, u shpreh Rama.

“Telegraf” paralajmëroi shkrirjen 
Në numrin e djeshëm, gazeta “Telegraf” paralajmëroi nisjen e furtunës së shkarkimeve dhe shkrirjes së degëve në të gjithë strukturën shtetërore të legalizimeve. Pas kësaj, në muajt e ardhshëm, Agjencia e Legalizimeve, Hipotekat dhe Agjencia e Pronave pritet të bashkohen në një strukturë të vetme, që mund të ngrihet edhe në rangun e një ministrie në përbërjen e qeverisë së re, që do të nisë punën nga muaji shtator. Ky është një projekt që po diskutohet në zyrat e qeverisë dhe për të cilin nevojiten edhe ndryshime ligjore. 

Sigal