Lefter Koka del kundër Qeverisë: Shteti po bën ish-pronarët me dy palë shtëpi

595
Sigal

TELEGRAFI I DURRËSIT

BANESAT/ Deputeti i Durrësit: Duhet gjetur urgjent një zgjidhje tjetër për të mos përplasur dy grupimet

LSI del kundër maxhorancës, pa u  ulur më parë me grupet e interesit. Nuk mund të nxjerrim jashtë shtëpive rreth 3200 familje dhe ish- pronarët të bëhen me dy shtëpi, ndërsa ata që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve të hidhen në rrugë. Këtë qëndrim ka shprehur në emër të grupit parlamentar të LSI deputeti i Durrësit, Lefter Koka, grupim i cili abstenoi gjatë votimit në kuvend.

Reagimi

“Të gjendet një zgjidhje konsensuale, për të dy grupimet, për ish-pronarët dhe banorët që qëndrojnë në shtëpitë e tyre, si qiramarrës. LSI i mëshon qëndrimit, se qeveria duhet të gjejë një zgjidhje tjetër, për të mos përplasur dy grupimet, ish banorët qiramarrës që jetojnë në shtëpi ish- pronarësh,të strehuar nga Komiteti i Partisë, i cili kishte tagrin e strehimit të të gjithë banorëve dhe shoqatën e ish- pronarëve”, tha Koka. Çështja është se akti normativ, bën me dije që në 1 nëntor 1 mijë familje në Durrës, duhet të lënë shtëpitë dhe si zgjidhje ju ofrohet aplikimi dhe marrja e kredisë me interesa zero në bankë për tu strehuar. “Realisht me kohën fizike në dispozicion të tyre, për 45 ditë është krejtësisht e pamundur që të përfitohet kredia në bankë, duke u kryer të gjitha procedurat. Por nuk është ky problemi më i madh, sepse banorët qiramarrës që jetojnë në shtëpi ish-pronarësh, nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret për të përfituar kredi me pensionet e tyre, ndërsa banka kusht kryesor ka edhe kolateralin. Kjo është një shtresë popullsie që nuk ka kolateral. Në këtë pikë është e pamundur që t’i jepet zgjidhje këtij problemi. Por në krahun tjetër edhe Shoqata e ish-Pronarëve ka shumë të drejtë të marrë shtëpitë e sekuestruara pas 45”, thotë deputeti i Durrësit Koka.

Përplasja

Duke analizuar qëndrimin e deputetëve të LSI-së, analizon situatën, duke nënvizuar se edhe familjet që janë strehuar në banesa ish- pronarësh janë të barabartë me ata që i privatizuan këto banesa në vitet ‘94 e më pas. “Pse duhet që familjet e strehuara nga ish-Komiteti i Partisë, këtu të dy palët edhe ish- pronarët edhe Komunistët,  të trajtohen, në demokraci,  ca si të nënës e ca si të njerkës? Ish-pronarët morën shtëpi nga shteti duke i privatizuar, me 100 mijë lekë të vjetra, në vitet e para të demokracisë, ndërsa kjo shtresë është pa shtëpi. Të gjithë deri para viteve ‘90 janë strehuar nga Komiteti i Partisë, por privatizimi u krye për disa, me shuma prej 100 mijë lekësh, ndërsa  familjet në shtëpi ish-pronarësh duhet të marrin 50 mijë euro kredi në bankë, për shtëpi? Zgjidhja do të ishte që banesat sociale të ndërtohen dhe shpërndahen për këtë shtresë të popullsisë, e cila nuk mund të vërë kolateral në bankë, e si rrjedhojë nuk mund të marrë dot kredi në bankë. Mendoj që qeveria duhet të gjejë një zgjidhje për rehabilitimin e kësaj shtrese dhe të gjejnë zgjidhje të pranueshme, për të dy shtresat, jo vetëm për ish-pronarët. Nëse kanë dyshime se ka persona që kanë dy vila dhe banojnë në shtëpi ish- pronarësh, le t’i analizojnë rast për rast, por nuk mund të vendoset që në rang kombëtar, mbi 3 mijë familje të largohen nga shtëpitë në 1 nëntor. Kjo është e papranueshme dhe çon në vëllavrasje dy shtresat e popullsisë, sepse kemi të bëjmë me një çështje, shumë të ndjeshme, në komunitet”, -tha deputeti Koka.