Lefter Dilo – Arkitekt i Muzeve të Gjirokastrës

278

Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C

Gjirokastra është qyteti i vlerave të shumta historike, kulturore dhe arsimore.

Gjirokastra është qyteti i dijes dhe kulturës. Gjirokastra është qyteti i mjaft familjeve të mëdha. Pra, Gjirokastra është një muze i madh me vlera arkitekturore origjinale. Të gjithë këta faktorë kanë bërë që UNESCO ta marrë nën mbrojtje. Madje edhe kënga e saj me shumë zëra, kënga e qytetit të Gjirokastrës, njohur me termat teknike iso-polifoni ose polifoni, ka një status të veçantë. Dihet se iso-polifonia ka shtrirje të gjerë, ajo përfshin gjithë Labërinë, Çamërinë dhe Toskërinë, por sipas studiuesve gjermanë iso-polifonia gjirokastrite është forma më e plotë, forma klasike e të gjitha varianteve polifonike. Kjo magji kulturore-artistike popullore e veçantë, iso-polifonia, u vlerësua nga UNESCO më 25 nëntor 2005 me titullin:

Albanian folk iso-polyphony
a Masterpiece of Oral and Intangible

Heritage of Humanity.
(Iso-polifonia shqiptare
Kryevepër e trashëgimisë
gojore dhe shpirtërore të njerëzimit
.)

Lefter Dilo ishte muzikolog, historian dhe publicist. Me kulturën e gjerë dhe pasionin e veçantë që kishte për muzetë meritoi nderimin qytetar, që u shpreh edhe në vendimin e presidentit Nishani, që i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh”, me këtë motivacion: “Për klasin e lartë profesional, cilësinë, përkushtimin e pasionin në ngritjen e rrjetit muzeal dhe etnografik në Gjirokastër dhe Jug të Shqipërisë, si dhe për rolin e tij të vyer si publicist, studiues, historian dhe enciklopedist në kulturën shqiptare”. Lefter Dilo përfundoi Liceun francez në Korçë dhe ndoqi studimet e larta në Francë për 4 vjet për “histori frënge”. Disa vite punoi në Ministrinë e Arsimit dhe më vonë ishte sekretar i gjimnazit të Gjirokastrës. Në vitet 1949-56 mësues i historisë dhe i frëngjishtes në shkollat e Gjirokastrës. E kam pasur për disa muaj mësues të frëngjishtes dhe gjer sot e kësaj dite i kujtoj ato mësimore dhe vjersha që mësova me të. Ishte metodist i aftë në mësimdhënie. Një anë tjetër e veprimtarisë së tij ishte gazetaria. Në vitet 1945-48 punoi gazetar dhe sekretar i kolegjiumit të gazetës “Tribuna e Popullit” për Jugun e Shqipërisë.

Gazetar dhe publicist, bashkëkohës me Nonda Bulkën, Petro Markon, Aleks Budën etj., u shqua për një prodhimtari të gjerë krijuese. Botoi më 1944 në Tiranë librin për Faik Konicën “Kandili i kuq”, po në vitin 1944 botoi edhe librin “’Ligjëron Fan S. Noli”. Ndër botimet e tij janë edhe “Avni Rustemi” (1958), “Bajua dhe Çerçiz Topulli” (1960). Ka shkruar dhe botuar një numër të madh monografish për patriotët e rrethit si Koto Hoxhi, Jorgji Meksi etj. Pasioni tij kryesor ishin muzeumet. Në përballimin e këtij aktiviteti kulturor Lefter Dilo iu kushtua studimeve historike, dokumenteve dhe të dhënave materiale e bibliografike. Ai hartoi “Ditari i Gjirokastrës” (800 faqe), një vepër madhore për Gjirokastrën. Më 1957 përurohet muzeumi në kala, ku gjenden objekte interesante të dëshmorëve, shkrime me tematikë patriotike, sociale, të periudhës së Zogut nga gjithë trevat e Shqipërisë. Më 1964 u ngrit muzeu i Luftës Nacional-çlirimtare në shtëpinë e lindjes së Hoxhës. Lefter Dilo punonte me përkushtim dhe këmbëngulje. E shihje çdo ditë nëpër udhët e sokakët, shtëpitë karakteristike gjirokastrite duke kërkuar dhe mbledhur dokumente, fakte. Takohej çdo ditë me të moshuar që mbanin mend ngjarje ose personazhe të njohur, skedonte historitë, ngjarjet e faktet që i tregonin, shfletonte në bibliotekë botime në shqip dhe në gjuhë të huaj, mblidhte libra, dorëshkrime, fotografi, dokumente të periudhave të ndryshme historike, mbante letërkëmbim me studiues të njohur në Tiranë dhe rrethe të tjera. Më 1967, pas riparimit të shtëpive të Topullarëve, ngrihet muzeu historik (1800-1939), i cili për vlerat historike, dokumentare, vlerësohet si ndër më të mirët në rajon. Këtu për herë të parë u ekspozua dosja e Avni Rustemit në gjyqin në Parisit, dorëshkrimet origjinale të Bajronit (që i ka marrë nga Anglia), sahati i xhepit i Çajupit etj. Këto dokumente të rralla i siguronte Dilo nga turistët e huaj në sajë të aftësive të tij komunikuese dhe gjuhëve të shumta që dinte. Kështu ndodhi edhe me Prof. Nexhip Alpanin, që pas Konferencës kombëtare kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, e shoqërova për vizitë në fshatin Zhulat, vendlindja e zotit Nexhip. Kur shkuan në Gjirokastër dhe po vizitonin Muzeumin e armëve në kala, aty u gjend Lefter Dilo. Mjaftonte kaq dhe Lefteri, si mjeshtër i komunikimit, e angazhoi Prof. Alpanin, i cili i dërgoi Autobiografinë e Ismail Qemalit. Nga kjo autobiografi e Ismail Qemalit mësojmë se nëna e tij ishte me prejardhje nga një derë e madhe e Gjirokastrës. Një punë e veçantë e Lefter Dilos ishte krijimi i qendrës muzeale/muzeore të arsimit dhe shkollës së parë shqipe “Iliria”, që bashkë me obeliskun dëshmojnë për atdhetarizmin e mësuesve të parë të Gjirokastrës. Ngritja e muzeumeve dhe pajisja me dokumente, ilustrime, objekte muzeale etj., kërkonte fonde dhe përkrahje. Lefter Dilo me statusin intelektual që kishte, me punën dhe pasionin e treguar, e gjente mënyrën që me anë të letrave drejtuar Hoxhës të siguronte edhe fonde edhe përkrahje. Kështu, ndodhi që pasi kishte mbledhur mbi 400 ikona, në kohën e ndalimit të fesë, kërkoi të ngrihej muzeu i artit mesjetar. Ky propozim u gjend me vend, por u ra dakord që të ngrihej në Korçë, ku kishte edhe më pak muzeume. Një punë të veçantë Lefteri bëri për ngritjen e muzeumit kombëtar të armëve në kalanë e Gjirokastrës. “Populli, zyrtarët, intelektualët e donin dhe e respektonin Lefterin për punën e frytshme, -shkruan studiuesi Bajo Topulli/ shpjegohu – por nuk mungonin xhelozitë e zilitë personale.” (Bajo Topulli: “Të tregosh për Gjirokastrën e gjirokastritët”, 2009, f. 247.) Lefter Dilo, siç u përmend më lart, ishte publicist dhe autor i disa librave, por nuk ishte poet. Debati rreth poemës Argjiro të Ismail Kadaresë, për bazën historike të legjendës së poemës, u përdor për të goditur Lefter Dilon. Ky ishte një qëndrim i padrejtë se ishte thjesht një debat intelektual dhe jo politik.[… i pashtjelluar] Gjirokastra është një qytet karakteristik me vlera të shumta muzeale, por muzeumet e ngritura nga Lefter Dilo ia shtonin bukurinë dhe interesin e shtuar të turistëve. Vitet e fundit programi i rilindjes urbane e ka kthyer edhe Gjirokastrën në një rigjallërim dhe ka shtuar dhe rritur vizitat e turistëve, të cilët bashkë me vlerat muzeale të qytetit shijojnë mikpritjen, pastërtinë, ndershmëri e qytetarëve të, prandaj ata vijnë dhe rivijnë si vizitorë. Lefter Dilo me këtë punë disa dhjetë-vjeçare si muzeolog i përkushtuar e meriton plotësisht vlerësimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Rumanisë, që ka shkruar në librin e përshtypjeve të muzeut të Topullarëve: “Ëstenciar e muzeumeve të Gjirokastrës shikoj të dy anët e medaljes së historisë shqiptare. Lefter Dilo meriton një statujë me mbishkrimin – mbret i pakurorëzuar i muzeologjisë ballkanike”.