Lazimi: Aksioni kundër informalitetit, si rrethimi i tretë i Krujës

727
Sekretari për çështjet ekonomike në LSI, Majlind Lazimi, ka reaguar në lidhje me aksionin e qeverisë ndaj informalitetit, duke e krahasuar me “rrethimin e 3-të të Krujës” nga turqit. “Kjo mësymja e 3-të e qeverisë ndaj biznesit në kuadër të luftës kundër informalitetit po ngjason me “rrethimin e 3-të të Krujës” nga osmanet… Formalizimi i ekonomisë nuk bëhet me diktatin e “kërbaçit” dhe as me “taksa-mani” nga ana qeverisë, por me çlirimin e biznesit nga makthi i taksave të larta që mbysin iniciativën e lirë, investimet private, kreditimin e biznesit dhe punësimin e qytetarëve”, u shpreh Lazimi. Ai ka përmendur edhe shprehjen e Benjamin Franklin se “…në botë ka vetëm 2 gjëra të sigurta, vdekja dhe taksat”. “Nëse të parën nuk e kemi në dorë dhe nuk e fajësojmë dot qeverinë, për taksat – në një ekonomi si e jona ku informaliteti është mbi 40% e ekonomisë – është e qartë se taksa më të larta do të thotë më shumë inkurajim për qytetarët dhe bizneset për t’ju shmangur atyre”, u shpreh Lazimi. Ai nënvizoi se fatkeqësisht sot, për shkak të taksave të larta, të kushton më tepër të jesh i formalizuar sesa informal, si për qytetarët, ashtu dhe për bizneset. “Mesa duket qeveria nuk po e mëson këtë leksion të ekonomisë, teksa po përgatit paketën e re fiskale me taksa të rritura, ku me shumë gjasa në finale do të mbledh më pak të ardhura për buxhetin dhe do rëndojë më shumë xhepat e hollë të qytetarëve”, u shpreh Lazimi.
Sigal