Lazarat, Rama: Ditë zie për Policinë e Shtetit, për çdo shqiptar dhe çdo familje

534
Kryeministri Edi Rama e konsideroi ditë zie për të gjithë policinë e shtetit, ngjarjen e sotme në Lazarat, ku humbi jetën një efektiv i forcave RENEA dhe u plagosën dy të tjerë. Pasi vizitoi dy efektivët e plagosur që po marrin shërbimin mjekësor pranë Spitalit të Traumës në Tiranë, Kryeministri Rama i shprehu ngushëllimet më vëllazërore familjes së efektivit që nuk arriti dot t’i mbijetonte kësaj barbarie, si dhe shprehu në të njëtën kohë edhe sigurinë e mjekëve, që dy të tjerët janë plotësisht jashtë rrezikut për jetën.
“Sot është një ditë zie për të gjithë Policinë e Shtetit, për të gjithë punonjësit, familjen e Policisë së Shtetit, por besoj edhe për çdo shqiptar, çdo familje shqiptare që vlerëson ndershmërinë, vlerëson kurajën, vlerëson shërbimin e Policisë së Shtetit dhe të këtyre djemve. Duke i shprehur ngushëllimet më vëllazërore familjes së efektivit që nuk arriti dot t’i mbijetonte kësaj barbarie dhe duke shprehur në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e mjekëve që dy të tjerët janë plotësisht jashtë rrezikut për jetën, dua që të nënvizoj se duhet të ndjehen vërtetë keq, ata që për faqen e tyre të zezë, edhe në këtë moment që policia është në fushën e betejës me një grup vrasësish, flasin me dy kuptime dhe i kërkojnë llogari policisë, madje edhe duke e fajësuar, jo dhe aq në mënyrë indirekte. Faqen më të zezë”, tha Rama.
Ndërsa Drejtori i Spitalit të Traumës, Gjovalin Bushi, në një deklaratë për median konfirmoi gjendjen e mirë shëndetësore të dy efektivëve të plagosur në Lazarat, duke përjashtuar çdo rrezik mbi jetën e tyre. “Aktualisht, janë bërë të gjitha ekzaminimet dhe nuk do të ketë asnjë pasojë mbi shëndetin e tyre dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Plagët e marra janë sipërfaqësore dhe nuk do të kenë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, si pasojë e plagëve të lehta të marra”, nënvizoi Drejtori i Spitalit të Traumës.
Sigal