Larmia kulturore në qytetin e Fierit, një shembull që duhet ndjekur

1002
Sigal

Dhimitraq Robo, piktori i ngjyrave ka mbledhur artdashësit në Galerinë e Arteve

Galeria e Arteve Figurative në Fier frekuentohet shumë nga artdashësit, sepse atje ka larmi ekspozitash të piktorëve të ndryshëm fierakë. Por këto ditë nga qytetarë dhe intelektualë të shumtë të cilët vizitojnë me interes ekspozitën e piktorit Dhimitraq Robo. Ekspozita përbëhet nga 82 punime prej të cilave; 35 janë piktura me penel, 13 pastele dhe 34 skica. Në të gjitha këto tablo, Robo demonstron talentin e vetë artistik nëpërmjet teknikave dhe pamjeve befasuese të prezantuara me emocion dhe larmi ngjyrash. Ajo që të bije më tepër në sy te ky piktor është individualiteti i tij krijues i shfaqur dukshëm nëpërmjet stilit të tij karakteristik. Robo punon shumë peizazhin rural dhe urban. Peizazhi rural ndërtohet me natyrat e qeta fshatareske, me drurë, gardhë, zogj, bimë e relieve të thyera mbushur me vreshta e prodhime të bollshme stinore. Është një harmoni e realizuar në raportin tokë – njeri, apo njeri – punë, e cila kolerohet edhe me raportet eterike të gjithësisë. Diku në një peizazh të tillë, ku “hyjnizohet” puna e peshkatarëve në bregdet gjatë përgatitjes së varkave për gjueti, piktori ka operuar pikërisht me një raport të tillë. ..  Një tipar tjetër dallues që të bije menjëherë në sy te kjo ekspozitë, është karakteri “entuziast” i ngjyrave. ..  Midis ngjyrave më të preferuara të autorit, dominon e kuqja, e verdha, e blerta dhe lejlaja… Peizazhi rural te Robo i ka me bollëk drurët dhe pamjet e tablove dekorohen me elementët e tyre në çdo formë dhe çdo stinë. Druri përbën për të një pasuri të çmuar, e cila trajtohet nëpërmjet animizimit të tyre. Këto “gjetje” apo forma të reja që marrin drurët, janë  imazhe të “fshehta” që zbulohen para vizitorit duke na dhënë një befasi të këndshme. Kemi një gërshetim të reales me surealen e cila tek shumë autorë trajtohet gjerësisht duke përbërë një nga elementët më të rëndësishëm të artit bashkëkohor. Por pikërisht me këto “gjetje”, Robo krijon drurët e tij të veçantë. Drurët e Robos ngjasojnë me njerëz në vallëzim. Kurorat e tyre të bashkuara diku, marrin formën e një gruaje në kërcim me flokë të lidhur tufë e diku duken si balerinë. Të krijohet përshtypja sikur të gjitha drurët e pikturave të Robos kanë hyrë në rrethin e një valleje që ka nisur që në gjenezë e shkon deri në mister. Misteri i drurëve vazhdon deri në përflakjen e tyre diellore. Kjo duket në një tablo të veçantë, ku paraqitet një pyll drurësh në pranverë, i cili ka “kapur” diellin në çarkun e degëve dhe “digjet” i gjithi në zjarrin e tij përrallor. … Më tej, magjia e peizazhit kalon në një animizim reshë. Është një tablo e rëndësishme që paraqet Apoloninë me shpirtin e saj antik që endet mbi retë e bardha të vjeshtës ideuar si mjellma që notojnë mbi valët e kaltra të Adriatikut. Apolonia është e tëra një botë e dhënë në apokalips. ..Ky është një vështrim i thjeshtë mbi tablotë e paraqitura në këtë ekspozitë.