Largohet nga Shqipëria pas ngjarjes ish-kreu i SHIK-ut, u qëllua nga persona të maskuar dhe ende të paidentifikuar nga policia

677
Ka lënë menjëherë spitalin, edhe pse ende pa marrë mjekimin e nevojshëm dhe ka lënë qytetin e tij, Beratin dhe Shqipërinë mëngjesin e sotëm 48-vjeçari Artan Dauti, ish kreu i SHIK-ut në këtë qytet në vitet ’93- ’97. Largimi i tij, edhe pse jo në gjendje të mirë shëndetësore, erdhi menjëherë pasi sipas familjarëve dhe djalit të tyre i rrezikohej jeta. Ish kreu i SHIK-ut në vitet ’93-’97, u qëllua fizikisht mbrëmjen e djeshme pak metra larg shtëpisë së prindërve të tij. Dauti, mësohet se me dëshirën e tij është larguar po dje edhe nga Spitali i Beratit, që në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme ka ikur nga ky qytet dhe mësohet se, po sot ka udhëtuar në drejtim të Italisë, ku dhe jetonte prej vitesh së bashku me bashkëshorten e dy fëmijët e tij. Liri Dauti, nëna e tij e moshuar, e cila jeton në lagjen “29 Nëntori”, të këtij qyteti ka deklaruar, se djali i saj sot është larguar në drejtim të Italisë pa mbushur 24-orë nga ngjarja e ndodhur. Ajo e ka mësuar vetëm ditën e sotme ngjarjen nga familjarët e saj dhe deklaron se gjithçka mund të ketë ndodhur për shkak të punës që 48-vjeçari ka pasur më parë në këtë qytet si ish Kreu i SHIK-ut Berat, pasi nuk ka pasur asnjë konflikt tjetër më pas, as ai, as dy djemtë apo familjarët e tjerë. Liri Dauti,e cila ditët e fundit ka pasur probleme shëndetësore për shkak të moshës, duket se është bërë shkak për kthimin e djalit të saj nga Breshia e Italisë, ku ai jetonte që prej vitit 1997 së bashku me familjen e tij. Ajo deklaron, se djali i saj kishte ardhur në Shqipëri vetëm për të parë nënën e sëmurë, që s’e kishte takuar prej më shumë se 20-vjetësh. Sipas saj, Artani ishte përgatitur për t’u nisur, pasi nuk mund të qëndronte më shumë se katër ditë, për shkak të punës në Itali ku nuk kishte mundur dot të merrte më shumë ditë leje, por saktësisht për ditën dhe orën e nisjes e moshuara nuk ka pasur dijeni. Por, që në orët e para të mëngjesit ish kreu i SHIK-ut ka lënë qytetin e Beratit duke u përshëndetur me familjarët për t’u nisur drejt Italisë. Mësohet se Artani ka dalë nga Spitali i Beratit, ende pa u kuruar dhe përmirësuar, duke deklaruar se do ta vazhdoje kurimin në shtetin ku jetonte. 

Ngjarja : 48-vjeçari Artan Dauti u qëllua mbrëmjen e të Hënës pak metra larg banesës së nënës së tij nga persona ende të paidentifikuar dhe të maskuar. Në rrugicën e lagjes “29 Nëntori”, kur ai sapo kishte dalë nga banesa e nënës dhe po hynte në automjetin që kishte parkuar në rrugicën e lagjes, dy persona të maskuar i kanë qëlluar nga prapa me sende të forta dhe pasi e kanë rrëzuar në tokë i kanë qëlluar edhe disa herë të tjera me grushte e shkelma, duke i shkaktuar plagë dhe lëndime të ndryshme të rënda në trup dhe kokë. Agresorët u larguan me shpejtësi drejt rrugicave të errëta të lagje,s vetëm pasi dëgjuan zhurma njerëzish që po afroheshin në vendngjarje, sepse dëgjuan të bërtiturat e Artanit. I plagosuri Artan Dauti u transportua drejt Spitalit Rajonal të qytetit, ku mori ndihmën e parë, për shkak të hematomave të shkaktuara nga dhuna fizike. E ndërsa, burimet e policisë së Beratit bëjnë me dije, se po punohet për të identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje, nëna e tij dëshmon se gjithçka mund të ketë lidhje me postin e tij që ka pasur vite më parë në Berat si kreu i SHIK-ut. 
Sigal