Largohesha nga Greqia dhe këngët arvanitase më ndiqnin pas

944
Luan Rama

Arvanitasit e bënë Greqinë shtetin e tyre dhe i shërbyen asaj, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e tyre arvanitas
Teodoros Pangallos: Unë jam rritur në një shtëpi ku origjina arvanitase na jepte një krenari të jashtëzakonshme, veçanërisht ne fëmijëve
A mund të themi më së fundi se e kemi vizituar gjithë Greqinë, se e kemi njohur antikitetin në fytyrat e tempujve të mëdhenj në Delf, Olimp, Mikenë, në Spartë, Maratonë apo Salaminë, vende që më sjellin nostalgjinë e udhëtimeve të para, siç ishte dhe Lemnosi ku shkova për të parë stelën e famshme me mbishkrime pellazgjike ende të padeshifruar? A mund të themi se i shkelëm të gjitha ato treva ku jetuan apo jetojnë ende arvanitasit tanë të dashur, gjaku ynë i “shprishur”, siç thoshin arbëreshët, që ende kanë në buzë këngën e Moresë? Sigurisht që jo, pasi siç shkruante Kazanzaki, Greqia është një palimpsest i vjetër, ashtu siç janë në të vërtetë kombet dhe historia e popujve të Ballkanit e të Evropës, si dhe Shqipërisë së Ilirisë së lashtë me tempujt e rrënuar, me mbretërit dhe mitet e saj, pasi kur lexon shënimet e shkrimtarit të madh për palimpsestin e Greqisë dhe pushtimet e huaja mbi të ne mendojmë dhe për palimpsestin shqiptar, për tokën tonë, fqinje me atë të grekëve, të serbëve, të malazezëve, të maqedonasve… mendojmë për atë palimpsest historie, jo dymbëdhjetë katesh, siç i kishte numëruar Kazanzaki, por katesh pa fund, pasi toka shqiptare ishte shkelur e pushtuar pafundësisht para dhe pas krijimit të shtetit shqiptar në kohën e Progonit, pushtime që fillonin që në kohën para-helenike, helenike, romake, normande, bizantine, bullgare, serbe, e më pas me kohën principatave shqiptare, Shqipërinë venedike, me epokën e famshme të Skënderbeut, kohën e gjatë dhe të errët shumëshekullore të pushtimit osman, pushtimet e fqinjëve, Luftën e Parë e të Dytë Botërore etj., ja pra ky palimpsest me aq shumë ngjarje, emra, vdekje e martirë. Largohesha nga Greqia dhe këngët arvanitase më ndiqnin pas, e po kështu dhe ato fjalë prushi që kishte shkruar fill pas Luftës së Dytë Botërore ish-presidenti grek Theodor Pangallos, i cili i rikthehej historisë arvanitase dhe lidhjes së fortë me popullin grek. Në gazetën “Akropolis” në gusht të vitit 1946, ai kishte shkruar: “… Që nga mosha e foshnjërisë flas gjuhën shqipe, pse e ndjera nëna ime, që më rriti, nuk dinte greqisht. Ajo ishte vajza e më të madhit pasanik të Megaridës, Andon Birbilit, në shtëpinë e të cilit në Salaminë, la frymën e fundit mareshali i paharruar Gjergj Karaiskaqi. Rrjedhimisht, gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë. Admiral Kundurioti, tre Nikolaidhët, gjyshi biri dhe nipi, gjeneral Konduli, admiral Saqellariu, V. Lasko dhe shumë grekë të tjerë të përzgjedhur, janë që të gjithë me origjinë shqiptare dhe janë të njohura shërbimet që ata i bënë atdheut. Paparigopulos shkruan se nga të gjitha racat që erdhën në Greqi, përzierja me gjakun shqiptar prodhoi amalgamën e shkëlqyer. Hidriotët, Speciotët, Miaulët, Sahturi dhe mijërat e luftëtarëve të 1821-shit e deri më sot, dëshmojnë vërtetësinë e mendimit të Paparigopulit…”

Një pinjoll i familjes Pangallos
Pothuaj shtatëdhjetë vjet më vonë, po një pinjoll i familjes Pangallos, ish-zëvendës kryeministër dhe ministër i Jashtëm, përsëriste të njëjtën histori: atë të shpalosjes së krenarisë së historisë arvanitase, në shkrimet e tij në gazetën greke “To Vima” e më pas në “Kathemirini” ku shprehej: “Unë jam rritur në një shtëpi ku origjina arvanitase na jepte një krenari të jashtëzakonshme, veçanërisht ne fëmijëve. Jemi arvanitas. Kjo prejardhje e lavdishme nxori në dritë rrënjë të tjera për historinë e familjes si një stërgjyshe në Hios, e stolisur gjithashtu me dantella, bizhuteri dhe me një të krehur alla-franceze, apo një stërgjysh që u largua nga Azia e Vogël për t’u bashkuar me lëvizjen revolucionare të grekëve në gjithë Ballkanin. Ne djemtë i adhuronim paraardhësit tanë me ato fustanella nga malësitë e Parthithas që u ngjiteshin maleve me këmbët e tyre muskuloze… Nga ana e babait tim Janaq Meleti, (Haxhi Meletis) kishin nderin të gjendeshin në krah të Karaiskaqit, njëri prej tyre si zëvendës-komandant i tij. Zoti Vlahojani në një antologji të vetën historike ka shkëputur dhe një tregim të shkurtër ku në një mbledhje të Parlamentit grek, në çastin ku gjërat ishin ndezur shumë, një luftëtar i vitit 1821 iu drejtua protagonistëve në gjuhën arvanitase që gjindja të pushonte. Dhe ajo pushoi… Arbërishtja ishte gjuha që fliste Kondurioti, kryeministri i Greqisë, Bubulina, Boçari dhe shumë të tjerë…”[1]. Duke iu referuar veçse një familjeje me emër të arvanitasve, më vjen në mendje ajo çka shkruar Antoine Gernier në librin e tij “Në Greqi më 1863”, ku midis të tjerave duke përshkruar ushtrinë greke gjatë revolucionit ai shkruante rreth mbretit Oton dhe mendimeve të tij për atë ç’kishte ndodhur në Greqi: “… Ndërkohë, si një gjerman që ishte, duke reflektuar dhe pa menduar të referohej deri tek Themistokli apo luftërat “medike”, ai e pati të lehtë të kuptonte se nuk ishte ushtria greke ajo që e shpëtoi Greqinë gjatë viteve 1820-1827. Nga të gjithë ai ishte informuar se asnjë nga gjeneralët grekë, as ata më me emër, më të guximshëm dhe të shkathët, nuk do të bënte dot atë që bënte një bandë “guerilleros” me fustanella… Disa nga këta kapitenë të marinës, Miaulin, p.sh. ai do t’i kishte imagjinuar në krye të një eskadre angleze apo franceze…”[2] Por në librin e Grenier një gjë binte në sy: fraza e tij për dy popujt kryesorë që përbënin Greqinë e asaj kohe. Ja çfarë shkruan ai: ”… Do të vijë një ditë kur në Greqi nuk do të ketë veçse dy grupe: ajo e “fustanellës” dhe grupi i “redingotave”. Deri atëherë lufta do të jetë e madhe mes tyre dhe do të mbarojë me shfarosjen e njërit grup…” Me fustanella ai i referohej arvanitasve ndërsa “redingotat” ishin grekët e rinj që morën pushtetin. Por sidoqoftë, ky parashikim nuk do të realizohej siç e kishte menduar Grenier. Nuk do të kishte luftë, edhe pse nga 1842 e gjer në 1862 me përmbysjen e mbretit Oton, kryengritjet e arvanitasve do të ishin të vazhdueshme. Por ata nuk u shfarosën. Në të kundërtën, ata e bënë Greqinë shtetin e tyre dhe i shërbyen asaj, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e tyre arvanitas, shqiptar. Kthehesha nga Greqia dhe përpara më shfaqej fytyra e atij burri tashmë të vjetër që shkruante me një krenari të habitshme gjithçka që kishte ndjerë në jetën e tij. Të ngjante se të parët e tij ishin ngritur nga varret dhe ai fliste në emër të tyre, fliste për ta, për jetën e tyre dhe kohën e luftërave të mëdha, për arvanitasit e Atikës, të Korinthit, të Moresë, Evias, etj., për fillimin e kryengritjes në 25 prill të vitit 1821 nga arvanitasit e Melet Vasiliut, për Athinën e çliruar nga ata, për atë farë, siç shkruante ai, të ardhur në Athinë që në shekullin XI… Po, Pangallos tregonte për gjuhën e gjysheve që dalëngadalë filloi të zhbëhej, por në shpirt përkatësia arvanite kishte mbetur. Duke shkruar për këtë pleksje të arvanitasve dhe grekëve, ai më kujtonte përsëri atë shprehje të famshme të etnografit Guillaume Lejean, i cili në vitet ‘60 të shekullit XIX shkruante për përzjerjen e gjakut helen me atë shqiptar. Këtë fakt na e rikujton dhe historiani francez Albert Dumont që e kishte njohur mirë Greqinë dhe Shqipërinë, dhe i kishte pikëtakuar nga afër këta dy popuj në shekullin XIX, për çka shkruan dhe në librin e tij “Ballkani dhe Adriatiku”. “Ushtritë e kësaj kohe, – pohonte Dumont, anëtari i Shkollës Franceze të Athinës, – nuk kishin ushtarë më të mirë se stratiotët, këta zviceranë të Orientit. Nëse ata luftojnë si heronjtë homerikë, duke e kthyer strategjinë në dinakëri, në një forcë që lëshohet pa urdhër mbi armikun, ata dinë po ashtu ta pranojnë disiplinën dhe të ndjekin rregullat e tjera të luftës. E kemi pikasur këtë në Egjipt në kohën e Mehmet Ali Pashës. Por ne dimë gjithashtu se ç’kanë bërë për Pavarësinë greke shqiptarët e Hidrës dhe të Specaj. Heronjtë, që poetët tanë u kanë kënduar ashtu si pasardhësve të Themistokliut dhe të Leonidhas, ishin bij të shqiptarëve të panjohur». Duke lëvduar kështu historinë shqiptare, më së fundi Albert Dumont arrinte në konkluzionin e tij historik rreth lashtësisë së këtij populli, çka ishte diçka që mbështetej dhe nga disa studiues të tjerë të botës antike, veçanërisht nga tezat e Louis Benloe autorit të veprës «Greqia para grekëve». – «Ky popull kaq i panjohur – vazhdonte Dumont, – i cili ruan imazhin më të saktë të asaj çka ishin etërit e racës greke e latine do të meritojë gjithnjë interesin e historianit. Ky popull do të mbetet si dëshmitar i gjallë i një të kaluare që shpesh besojmë se është zhdukur. Asnjë vend tjetër në Evropë nuk ka zakone më të lashta. Shkenca do të shpjegojë habinë e dijetarëve të vërtetë dhe studiuesve të këtyre tribuve, që besonin se ata janë ajo çfarë ka mbetur nga ajo racë misterioze e pellazgëve që ne e gjejmë në gjenezën e dy prej qytetërimeve më të bukura të botës së vjetër…»

Një shkrim për Athinën…
Kur para disa kohësh kisha botuar një shkrim për Athinën dhe kohën kur gjatë viteve 1821, 1823 dhe 1825 atë e kishin në dorë kapedanët arvanitas si Gurra dhe Odisea Andruçi e kapedanë të tjerë në rrethinave të Athinës. Ky fakt dhe të tjerë me siguri, duket se u dha të drejtën disave të flisnin për “Athina shqiptare”, “Himara greke” etj. Kjo sigurisht ishte një marrëzi! Historia është histori dhe mjerisht, popujt ballkanikë ende nuk janë shkëputur nga sindroma “historike” për t’u rikthyer shumë shekuj mbrapa. Franca, Italia, Gjermania nuk kanë qenë në këto hapësira siç janë sot; harta e Evropës ka ndryshuar nëpër shekuj dhe lumturisht, grindjet historike kanë përfunduar. Popujt evropianë shohin përpara. Çdo të ndodhte në Ballkan sikur të gjithë të ngriheshin dhe të kërkonin kufijtë e vjetër, një, disa shekullore apo mijëvjeçare?… Historitë e “Republikës së Çamërisë”, “Himara greke” e “Athina shqiptare” janë sa për të qeshur aq dhe të çmendura e tragjike. Sot jetojmë në shekullin XXI, në shekullin e integrimeve të mëdha dhe historia jonë e përbashkët, e gëzuar apo e dhembshme, heroike apo e përgjakur nga masakrat si në Çamëri, nuk duhet të na hedhë në barrikada armike, por duhet të na bashkojë. Le të kapemi nga shembujt më të mirë të historisë së përbashkët që të ndërtojmë një ardhmëri të përbashkët, pasi ardhmëria asnjëherë nuk është vetmitare, por e ndërvarur. Është ndryshe të afirmosh historinë dhe ndryshe të kërkosh me forcë rikthimin në të drejtën historike!…
Sigal