Largohen nga puna, 60 punëtorë të kombinatit ushtarak në protestë

566
Sigal

POLIÇAN/Kundërshtojnë largimin si të paligjshëm dhe i zënë rrugën titullarit. Konfirmojnë përshkallëzimin e protestave

Mbi 60 punëtorë të Uzinës së Armëve në Poliçan, të hequr nga puna prej 5-ditësh, kanë dalë mëngjesin e sotëm në protestë përpara hyrjes së kësaj uzine. Ata kanë protestuar për rikthimin sërish në punë pasi, siç u shprehën, ‘pushimi ka ardhur në mënyrë të papritur dhe pa asnjë shpjegim nga ana e drejtuesve të uzinës’. Ata pohuan se nga uzina janë pushuar të gjithë ata punëtorë që kanë pasur 25-30 vite punë dhe që kanë qenë të kualifikuar e profilizuar në specialitete të shumta të këtyre reparteve. Punëtorët e pushuar pohojnë se ata janë hequr pa asnjë lloj motivacioni dhe në vend të tyre janë futur militantë partie, njerëz pa shkollë dhe pa asnjë lloj kualifikimi për të punuar në këtë uzinë.

LARGIMI NGA PUNA

Sipas punëtorëve, ditën e hënë ata kanë shkuar si zakonisht në punë, por në hyrje të uzinës janë ndaluar dhe nuk janë lënë të hyjnë pasi ishte afishuar një listë me emrat e të gjithë të pushuarve nga puna. Ata shprehen se, drejtuesit e uzinës, jo vetëm që nuk anë denjuar ti presin në zyrë për tu dhënë shpjegime në lidhje me këtë pushim por nuk u japin as librezat e punës. Ndërkohë që drejtori i Uzinës së Armëve në Poliçan, Altin Lamçe, nuk ndodhej në uzinë, nëndrejtori Arshin Tusha i pyetur në dalje të uzinës ku është bllokuar me makinë nga protestuesit, ka pohuar se “nuk i njoh fare këta njerëz si punëtorë të uzinës”. Një grup punëtorësh janë shprehur se nuk e kuptojmë pse lozin me jetën e tyre shtetarë e politikanë, të cilët po i flakin në rrugë si padrejtësish. “Si nuk na njohka nëndrejtori ne si punëtorë të uzinës. Ne kemi një jetë të tërë që punojmë në këtë uzinë, e cila na ka mbajtur me buke, dhe sot që ne jemi bërë me flokë të bardha, nuk na njohkan drejtuesit e uzinës. Kjo është absurde. Ne do ta përshkallëzojmë protestën duke bllokuar hyrjen e kombinatit”,- janë shprehur punëtorët.

HISTORIA E KOMBINATIT

Kombinati Poliçanit është ndërtuar në vitin 1967, mbi bazën e të cilit u krijua dhe qyteza e Poliçanit. U ndërtuan dhe shumë apartamente për punëtorët të cilët kishin ardhur nga shumë rrethet e Shqipërisë, ku shumica e tyre ishin nga Berati, Skraparit dhe Tirana. Destinacioni, ishin prodhimet ushtarake në markave të ndryshme. Fillimisht në këtë kombinat u punësuan 1400 punëtore kuadro inxhinier dhe specialist. Kombinati lulëzoi deri në vitet 1990. Pas ndryshimit të sistemit politik, filloi degradimi i tij. Filluan shkatërrimet, deri në vjedhje të makinerive e pajisjeve. Rivënia në punë pjesërisht për demontim municionesh luftarake, aktivizoi një numër të kufizuar punonjësish. Por ndryshimet e herë pas hershme politike, bënë që të bëhen lëvizje të shumta në fuqinë punëtore, duke favorizuar militantët partiakë, e duke hequr nga frontet e punës dhe specialist që kishin deri në 20 apo 25 vite punë në profesion. Ditët e fundit, u larguan dhe 60 punëtorë të uzinës, të zëvendësuar nga të tjerë. Të larguarit nga puna e kundërshtojnë largimin dhe kanë nisur protestat.